E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha përshëndetet me turistë të huaj në Butrint

-Puna e qeverisë po mundëson rritjen e turizmit të huaj

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, vizitoi sot Parkun Kombëtar të Butrintit, që është vizituar këtë vit nga rreth 40 mijë turistë të huaj. Kryeministri u takua dhe bëri foto me turistë nga vende të ndryshme të Europës, u uroi atyre pushime të mbara dhe diskutoi me ta mbi disa vende historike.

Gjatë bisedës me Drejtorin e Parkut Kombëtar, zotin Ylli Cerova Kryeministri theksoi se dy vitet e fundit vendi përjetoi një kthesë të rëndësishme në turizëm dhe në këtë kthesë në një rol të rëndësishëm patën një kompleks faktorësh, si lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për të zbutur infiormalitetin, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asiciimit me Bashkimin Europian, vizita e presidentit Bush në vendin tonë etj..

Kryeministri vlerësoi se qyteti antik i Butrintit mbart një pasuri të jashtëzakonshme kulturore dhe historike që duhet shfrytëzuar, në rradhë të parë, për ti ardhur në ndihmë turizmit. Vlerat e çmuara muzeale dhe arkeologjike që mbart ky qytet, - u shpreh Kryeministri, - përbëjnë një tërheqje të madhe për turistët që vizitojnë Sarandën. Në këtë kuadër, Kryeministri theksoi se ka ardhur koha e fuqizimit të mëtejshëm të sektorit të arkeologjisë dhe ridimensionimit të tij.
Kryeministri bëri të ditur se ka kërkuar prej Ministrisë së Arsimit përshpejtimin e përgatitjes së ekspertëve dhe të guidave turistike që do tu ofrohen turistëve të veçantë apo grupeve të tyre. Kryeministri shtoi se do të ishte një ide shumë e mirë që të angazhohej në këtë drejtim edhe fakulteti i Sarandës.

Nga ana e tij, Drejtori i Parkut, zoti Cerova kërkoi shtimin e fondeve për Butrintin, për të cilën Kryeministri u shpreh se forma më e mirë e zgjidhjes së kësaj çështjeje mbetet koordinimi i bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe autoriteteve vendore të Sarandës.

Kryeministri u shpreh se nuk duhet të reshtin përpjekjet për të qenë në dispozicion të turistëve me shërbimin më të mirë dhe më modern të mundshëm. Në këtë kuadër, Kryeministri u shpreh se një prej përparësive të qeverisë është edhe zgjerimi i rrugës Sarandë-Butrint, në mënyrë që turistët të udhëtojnë pa vështirësi nga Saranda. Gjithashtu, Kryeministri shtroi si një domosdoshmëri përmirësimin e transportit, në mënyrë që turistëve tu krijohen të gjitha kushtet optimale për të lëvizuar në mënyrë të organizuar. Ndër të tjera, ai kërkoi nga të gjitha autoritetet që viti i ardhshëm, ti gjejë ata më të përgatitur dhe më bashkohorë në ofrimin e shërbimeve për turistët.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›