E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria do të ndërmarrë të gjitha masat për favorizmin e produkteve bio vendase

- Rritja e turizmit ndihmon në rrijen e konsumit të prodhimeve bujqësore vendase

Kryeministri Berisha u takua sot në Sarandë me fermerët e zonës bujqësore të Vurgut. Kryeministri bisedoi me ta dhe u interesua për problemet dhe ecurinë e aktivitetit të tyre.

Kryeministri vizitoi parcelat e mbjella me misër dhe u kujtoi fermerëve se, dy vjet më parë, misri vendas, i një cilësie të pakrahasueshme, mbetej pa u shitur, sepse monopolet qeveritare të kohës favorizonin OMGJ-të. Duke garantuar se fenomene të tilla nuk do të ndodhin më, Kryeministri siguroi se qeveria do të ndërrmarrë në vazhdimësi masat e nevojshme për favorizimin e prodhimeve bio të vendit.

Kryeministri u shpreh se rritja e ndjeshme që njohu turizmi këtë vit, nëpërmjet fluksit të dendur të turistëve vendas dhe atyre të huaj, do të jetë në dobi të zhvillimit të tregut të prodhimeve vendase dhe konsumit të tyre.

Ndër të tjera, Kryeministri siguroi se qeveria mbetet e angazhuar në krijimin e lehtësirave për fermerët shqiptarë, duke përfshirë këtu furnizimin me energji elektrike dhe ujë. Lidhur me këtë, Kryeministri u shpreh se qeveria po shqyrton të gjitha mundësitë për rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet termike, për të mos krijuar varësi nga ato ujore.

Kryeministri i garantoi fermerët se qeveria po mbështet projekte, që do të shtrihen në të gjithë vendin, për zhvillimin e prodhimit bujqësor.

Më pas, Kryeministri foli me fermerët për inisiativën e ndërmarrë në kuadër të ndihmës ndaj tyre, atë të vendosjes së skemës së rimbursimit të TVSH-së. Sipas kësaj skeme, sqaroi Kryeministri, do të krijohen lehtësira për fermerët, duke i ndihmuar ata të marrin TVSH-në për prodhimet që shesin. Kryeministri shprehu besimin se kjo nismë do të bëhet realitet brenda vitit të ardhshëm, pasi të diskutohet dhe të merret mendimi i përfaqësuesve të fermerëve.

Duke siguruar se inisiativat e ndërmara nga qeveria në ndihmë të fermerëve nuk do të mungojnë, Kryeministri u shpreh i bindur se në të ardhmen puna e fermerëve shqiptarë do të jetë më e lehtë dhe prodhimet cilësore vendase do të konkurojnë me dinjitet tregun.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›