E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Saranda do të jetë kryeqytet turistik i Shqipërisë

- Sezoni turistik 2007, bum turistik për Shqipërinë.

Kryeministri Berisha ndodhet sot për një vizitë në qytetin e Sarandës, ku zhvilloi një takim në bashkinë e qytetit me kryetarin e bashkisë së Sarandës, zotin Edmond Gjoka dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak.

Gjatë bashkëbisedimit me ta, Kryeministri theksoi se ky vit ka shënuar një kthesë të rëndësishme në turizmin e vendit, një bum turistik, të pasuar nga një seri shërbimesh të reja për turistët. Kryeministri evidentoi faktin se Saranda dhe i gjithë bregu kanë pritur këtë vit turistë të huaj nga Evropa dhe bota më shumë se në çdo vit tjetër. Kështu, u shpreh Kryeministri shënohet një rritje prej 32 për qind e turistëve në Sarandë dhe 30 për qind e tyre në mbarë vendin. Kjo rritje, - nënvizoi Kryeministri - është e një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse sjell rritjen e punësimit dhe të fuqisë së tregut. Ndër të tjera, Kryeministri nënvizoi faktin se këtë vit është rritur fuqia akomoduese hoteliere dhe ajo e shtëpive pritëse. Duke u ndalur në këtë fakt, Kryeministri u shpreh se do të shihet me përparësi mënyra e ofrimit të ndihmës këtyre familjeve nëpërmjet kredive të ndryshme, në mënyrë që ata të përmirësojnë cilësinë e shërbimit ndaj turistëve.

Kryeministri garantoi se qeveria do të mbështesë fuqishëm projektet për nxitjen e turizmit në qytetin e Sarandës dhe në të gjithë bregun. Kryeministri u shpreh se do të shihet me përparësi ideja për ndërtimin e portit të jahteve. Është rritur numri i jahteve që kanë vizituar këtë vit Saranden, - u shpreh Kryeministri, - prandaj ky qytet duhet të ketë portin e tij më të bukur. Gjithashtu, ai u shpreh se do të shqyrtohet edhe çështja e aeroportit, për të cilën do të merren të gjitha masat e nevojshme.

Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se në ndihmë të projekteve për zhvillimin e turizmit jo vetëm në Sarandë, por në të gjithë vendin vjen ligji ri për partneritetin publik, privat, për dhënien me koncesion, kuadri i të cilit po përgatitet, duke i shërbyer pushtetit vendor dhe qytetarëve.

Ndër projektet afatshkurtra të qeverisë, Kryeministri veçoi projektin për inagurimin brenda muajve në vijim, të fillimit të punimeve për segmentin rrugor Kardhiq-Delvinë.

Kryeministri siguroi se Saranda do të jetë në qendër të investimeve të qeverisë, pasi ajo e meriton të quhet parajsa ujore dhe tokësore e këtij vendi.

Gjithashtu, Kryeministri garantoi se së shpejti në këtë qytet do të nisin investime të mëdha, në mënyrë që kjo trevë tu përgjigjet më së mirë fluksit gjithnjë në rritje të turistëve dhe kërkesave të tyre për pushime sa më optimale.

Duke vlerësuar mënyrën e shkëlqyer të menaxhimit turistik, Kryeministri u shpreh se nuk do të jetë e largët dita, kur Saranda do të presë deri në 1 milion turistë, gjatë sezonit.

Nga ana e tij, kryetari Bashkisë, zoti Gjoka falenderoi Kryeministrin për vizitën dhe për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë qytetit të Sarandës. Zoti Gjoka u shpreh se sezoni aktual ka qenë shumë më tepër i sukseshsëm se ai i viteve të shkuara. Numri i turistëve të huaj nga Evropa dhe bota, - u shpreh ai, - është rritur në 200 mijë. Zoti Gjoka theksoi se në sajë të kujdesit dhe vëmendjes së treguar nga qeveria mund të thuhet se Saranda është destinacioni kryesor i industrisë së turizmit. Në sajë të investimeve të qeverisjes vendore dhe të donatorëve të huaj, Saranda njeh përmirësime të ndjeshme në infrastrukturë, nëpërmjet ndërtimit të rrugëve me parametra europiane dhe furnizimin me energji elektrike të pandërprerë. Zoti Gjoka theksoi faktin se nëpërmjet investimeve të konsiderueshme të Bankës Botërore, Bankës Evropiane të Investimeve dhe qeverisë shqiptare, po punohet që brenda vitit 2009 të realizohet projekti për furnizimin me ujë 24 orë të qytetit të Sarandës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›