Kryeministri Sali Berisha përuron fillimin e punimeve për rehabilimin e sistemit të kanalizimeve të qytetit të Sarandës
Në vijim të vizitës në Sarandë, Kryeministri Berisha përuroi fillimin e punimeve për rehabilitimin e impiantit të përpunimit të ujërave të zeza për qytetin e Sarandës, projekt prej të cilit do të përfitojnë rreth 80 mijë banorë të këtij qyteti.
Ky impiant, sëbashku me kanalizimet e ujërave të zeza, ka një vlerë prej 500 milionë lekësh dhe është investim i përbashkët i qeverisë shqiptare me Bankën Botërore, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Europiane për Investime, si dhe qeverinë e Luksemburgut.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm krahas Kryeministrit Berisha, edhe Kryetari i Bashkisë Edmond Gjoka, Kryetari i Komunës se Ksamilit, si dhe Ministri i Punës,Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Koço Barka.
Kryeministri Berisha u shpreh se ndërtimi i këtyre impianteve shihet me përparësi nga ana e qeverisë, pasi ndikon në pastrimin e zonave turistike dhe përmirësimin e infrastrukturës për zhvillimin e turizmit.
Ndërsa përmendi faktin se dy vjet më parë këto impiante nuk ekzistonin, Kryeministri renditi dhe disa nga impiantet që janë në ndërtim e sipër, si psh në qytetin e Pogradecit, Vlorës, Durrësit, Shëngjinit, dhe së shpejti në Ksamil.
Kryeministri Berisha falënderoi punonjësit dhe inxhinjerët e firmës ndërtuese italiane të këtij projekti, duke kërkuar prej tyre mundësinë e përfundimit të punimeve përpara afatit. Shqipëria, - nënvizoi Kryeministri, - më shumë se çdo vend tjetër ka nevojë për punime cilësore dhe me ritëm sa më të shpejtë.