E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dreka, Topi e Berisha sot me Bush

• Pa kaluar ende një vit nga dreka në Tiranë me presidentin Bush, përfaqësuesit më të lartë të Shqipërisë dhe Kroacisë do të jenë të ftuar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, në një drekë në Zagreb.

ADI SHKEMBI

Kështu, presidenti Topi, kryeministri Berisha së bashku me delegacionin që ishin në NATO nga Shqipëria, si dhe presidenti i Kroacisë, Mesiç dhe kryeministri Sanader, me delegacionin e tyre do të drekojnë sot me presidentin Bush, dy ditë pas marrjes së ftesës nga 26 vendet e NATO-s. Zyra e shtypit e kryeministrit Berisha bëri të ditur dje se, krerët e shtetit shqiptar janë ftuar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë për t’u takuar me të në një drekë pune. “Presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha, të shoqëruar nga ministrat pjesëmarrës në delegacionin shqiptar që mori pjesë në Samitin e NATO-s në Bukuresht, menjëherë pas punimeve të këtij samiti do të nisen sot pasdite për në Kroaci, ku do të marrin pjesë në pritjen që presidenti amerikan Xhorxh W. Bush organizon për vendet që morën ftesën për anëtarësim në NATO. Kryeministri Berisha do të takohet me presidentin amerikan Xhorxh W. Bush dhe gjatë një dreke pune”, thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Ministrave. Në përfundim të ditës së tretë të Samitit të Bukureshtit, presidenti Bush kishte parashikuar në axhendën e tij edhe një vizitë në Kroaci, ku do të takohet me krerët më të lartë të shtetit. Sipas mediave kroate, të cilat kanë zbardhur një pjesë të axhendës së kreut të Shtëpisë së Bardhë në Zagreb, “sot në mëngjes Bush do t’i drejtohet popullit kroat në sheshin historik “St. Mark”, në të cilin ndodhen ndërtesat e qeverisë dhe të Parlamentit. Më pas ai do të drekojë me Mesiç, kryeministrin Ivo Sanader dhe homologët nga Shqipëria”. Prej mëse një jave, para Samitit të Bukureshtit, presidenti Bush u bëri thirrje 26 vendeve anëtare t’u jepnin ftesën Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, duke i përkrahur ato deri në fund. Por një gjë e tillë u bë e mundur vetëm për dy vendet e Kartës Adriatik 3, Shqipërinë dhe Kroacinë, ndërkohë që Maqedonia ngeli jashtë për shkak të problemeve me Greqinë lidhur me emrin. Pas zyrtarizmit të vendit, Bush përshëndeti dy vendet duke thënë se, Shqipëria dhe Kroacia kanë punuar shumë për të arritur marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Në të njëjtën kohë presidenti, u shpreh se, dy vendet, të cilat mundën të bindnin 26 qeveritë e vendeve anëtare për të marrë ftesën, tani janë të gatshme dhe të përgatitura për në NATO. Sipas tij, Shqipëria dhe Kroacia do të jenë të afta të përballojnë reformat e kërkuara.

Reagimi maqedonas

Liderët maqedonas kanë reaguar mjaft ashpër ndaj Greqisë për veton e saj mbi anëtarësimin e këtij vendi në NATO, krejt të kundërt nga ajo që priste Greqia. Presidenti maqedonas, Branko Cërvenkovski ka vlerësuar se vendi i tyre quhet Republika e Maqedonisë dhe nuk do ta ndryshojë kurë këtë emër për hir të tekave të Greqisë. “Dëshiroj t’i porosis të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, por edhe fqinjët tanë në Greqi se Republika e Maqedonisë do të ekzistojë, populli i ynë edhe këtë do ta përjetojë. Do të vazhdojmë në rrugën që e kemi përcaktuar vetë dhe secili që e ka menduar se në këtë mënyrë do të na pengojë si popull ose si shtet ta realizojmë ardhmërinë që e dëshirojmë, gabon shumë. Dikush këtë do ta kuptojë më herët, dikush më vonë, e ne këtë e dimë”, tha Cërvenkovski.

“Gati të shtojmë trupa në Afganistan”

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, tha dje se, shumë shpejt dy njësi të tjera me trupa do të shkojnë në Afganistan. Duke folur një ditë pas marrjes së ftesës për t’u anëtarësuar në NATO, Oketa u shpreh se, prej kohësh po bëhen përpjekje për të shtuar trupat në front dhe një gjë e tillë do të bëhet e mundur. “Përsa i përket Afganistanit ka kohë që po bëhen përpjekjet për të dërguar dy njësi trajnuese dhe shpejt do të mundësohet shtimi i dy njësive, të cilat do t’i bashkëngjiten prezencës sonë atje”. Sipas tij, “shtimi i trupave tanë paqeruajtës atje, vjen jo vetëm si një domosdoshmëri e rritjes së prezencës së trupave të NATO-s, por edhe për faktin se trupat tona kanë kryer një punë tepër pozitive dhe të vlerësuar dhe natyrisht kanë dhënë edhe ato kontributin e tyre në mundësimin e marrjes së kësaj ftese. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe trupat tanë në Irak”. Lidhur me marrjen e ftesës ministri i Mbrojtjes, Oketa shtoi se, ajo kërkon përpjekje të mëdha nga ana e Shqipërisë për të arritur standardet që kërkon NATO-ja për t’u bërë anëtare me të drejta të plota në Aleancë. Ndërkohë gjatë Samitit të Bukureshtit, Oketa është takuar edhe me presidentin Bush. “Një nga takimet më të rëndësishme të ministrit Oketa ishte takimi me Presidentin e SHBA-ve, Xhorxh W Bush. Ministri Oketa, përveç prezantimit si ministër i ri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, ka marrë urimet më të mira nga presidenti Bush për detyrën e tij të re dhe  shumë të rëndësishme, si dhe për marrjen e ftesës zyrtare të Shqipërisë për anëtarësimin e saj në NATO”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›