E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i fishekëve, Trebicka 10 orë dëshmi

• Biznesmeni shqiptaro-amerikan Kosta Trebicka vijoi dje për pesë orë me radhë dëshminë e tij në Prokurorinë e Përgjithshme ...

Trazhgim Sokolaj

...për tregtinë ilegale të fishekëve dhe abuzimet e zyrtarëve shtetërorë të implikuar në këtë proces. Trebicka hyri në zyrat e prokurorëve rreth orës 09:20 dhe doli prej andej me një makinë tip fuoristradë me xhama të errët rreth orës 13:15. Automjeti me të cilin ka lëvizur biznesmeni ishte parkuar në pjesën e pasme brenda rrethimit të hekurt të Prokurorisë së Përgjithshme. Në këtë mënyrë, Trebicka nuk është shfaqur për asnjë moment para kamerave të shumta që prisnin daljen e tij nga Prokuroria. Automjeti lëvizi me shpejtësi në drejtim të qendrës së Tiranës, pasi Trebicka kishte përfunduar dhënien e deklarimeve në organin e akuzës. Rrëfimet e biznesmenit që denoncoi publikisht aferat në tregtinë e municioneve shqiptare kanë plotësuar në këtë mënyrë kohëzgjatjen 10-orëshe të dëshmisë së dhënë nga Kosta Trebicka pas hetuesve shqiptarë të dosjes “Gërdeci”, pas kthimit të tij nga SHBA katër ditë më parë. Të enjten në mbrëmje, biznesmeni që për pak kohë paketoi fishekët që niseshin nga Shqipëria në drejtim të Kabulit, shkoi për herë të parë në prokurori duke dhënë ciklin e parë të dëshmisë përgjatë pesë orëve. Në deklarimet e tij para hetuesve, Trebicka mësohet se ka folur për të njëjtat gjëra që ka përmendur publikisht në media, veçse dëshmia para prokurorëve mësohet se ka pasur më tepër hollësi. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se biznesmeni nuk ka fajësuar direkt ndonjë person, porse të dhënat e marra prej tij, sipas akuzës, hedhin pikëpyetje të forta për abuzime nga Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes MEICO në Ministrinë e Mbrojtjes. Prokurorët kanë vijuar ta pyesin edhe gjatë ditës së djeshme Kosta Trebickën, rreth pozicionit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe presidentit të kompanisë AEY, Efraim Diveroli, që bleu fishekë nga Shqipëria. Burimet nga organi i akuzës thanë se i vetmi person i përmendur më parë publikisht nga Kosta Trebicka, për të cilin ai nuk është pyetur nga hetuesit e Prokurorisë, është djali i Kryeministrit Berisha.   
Ambasada e SHBA
Në kohën kur Kosta Trebicka kishte vetëm një orë që kishte filluar të fliste në zyrën e hetuesve të dosjes “Gërdeci”, një makinë me targa diplomatike e ambasadës amerikane ka mbërritur në pjesën e pasme të Prokurorisë së Përgjithshme. Prej saj ka zbritur një punonjës, i cili besohet të jetë nëpunës i sigurisë. Ai hyri në Prokurorinë e Përgjithshme dhe besohet se ka ndjekur nga afër pjesën kryesore të deklarimeve të dhëna prej Kosta Trebickës para prokurorëve shqiptarë. Pak çaste para se grupi hetimor të përfundonte marrjen e dëshmisë nga Kosta Trebicka, makina e ambasadës amerikane ka dalë nga oborri i organit të akuzës bashkë me punonjësin e sigurisë, që besohet se ka dëgjuar një pjesë të mirë të deklarimeve të dhëna nga biznesmeni. Sipas kornizës ligjore në fuqi, në rast se Shqipëria vendos të importojë armë apo municione jashtë vendit, atëherë veç institucioneve shtetërore të brendshme duhet që të marrin njoftim për këtë edhe ambasada amerikane dhe ajo britanike. Kjo bëhet me qëllim bllokimin e transfertave në armë dhe municione drejt ndonjë vendi që mund të jetë nën embargo ndërkombëtare. Me këtë argument burimet e Prokurorisë sqaruan pjesëmarrjen e “hetuesit” amerikan në një pjesë të procesit të pyetjes së biznesmenit Kosta Trebicka. Ai cilësohet person kyç në çështjen objekt hetimi, pasi firma e tij ishte nënkontraktuar nga kompania amerikane AEY, e cila bleu fishekë nga ndërmarrja MEICO në emër të Departamentit amerikan të Mbrojtjes. Kompania “Xhoi” e Trebickës duket se është përjashtuar nga paketimi i fishekëve që shkonin në Kabul prej ndërhyrjeve të Ylli Pinarit, ndërsa edhe vetë Kosta Trebicka ka pranuar se ishte tërhequr sapo kishte mësuar për abuzimet me dyfishimin e çmimit për 1 mijë fishekë që ndërmarrja MEICO po i shiste kompanisë AEY, që kishte fituar tenderin nga Departamenti i Mbrojtjes.

Trebicka dëshmi në Kongres
Biznesmeni Kosta Trebicka është thirrur në seancën dëgjimore që pritet të zhvillohet në Kongresin amerikan lidhur me blerjen e fishekëve kinezë në Shqipëri nga firma e tenderuar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes. Trebicka mësohet se do të japë deklarime para Kongresit lidhur me aktivitetin e firmës së drejtuar nga Efraim Diveroli, i cili kishte nënkontraktuar Trebickën të paketonte fishekët që niseshin nga Shqipëria dhe dërgoheshin në Kabul për ushtrinë afgane. Në SHBA ka filluar një hetim penal, pasi atje ndalohet tregtimi apo çdo lloj veprimtarie tregtare me municione të prodhimit kinez, siç ishin fishekët shqiptarë.

Hetimi, supermasa në Prokurori
Efektiva të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë marrë në ruajtje Prokurorinë e Përgjithshme. Nuk konfirmohet nëse një veprim i tillë është bërë që kur organi qendror i akuzës filloi hetimet për dosjen “Gërdeci” dhe tregtinë ilegale të armëve. Megjithatë më parë, në portën hyrëse të Prokurorisë së Përgjithshme bënte shërbimin e rojës një efektiv i zakonshëm i Policisë së Shtetit. Prej dy ditësh, në portën e organit qendror të akuzës është shfaqur një punonjës i repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa punonjësi i zakonshëm i policisë është zhvendosur të kryejë shërbim jashtë rrethimit të hekurt të oborrit të institucionit të akuzës.

Pinari: Zbatova urdhrat
Ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, një nga personat e shumëpërfolur pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Gërdec të Vorës, gjatë deklarimeve të dhëna deri më tani për Prokurorinë ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij. Ai ka thënë se çdo veprim në cilësinë e drejtorit të ndërmarrjes MEICO e ka kryer sipas ligjeve në fuqi dhe se kishte zbatuar urdhrat e Ministrisë së Mbrojtjes në të gjitha procedurat që kishte ndjekur në marrëdhënie me repartet ushtarake dhe me firmat apo kompanitë private. Burimet zyrtare nga Prokuroria thanë se, Ylli Pinari dhe dy të arrestuarit e tjerë, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli, kanë mohuar akuzat që u janë bërë për tragjedinë e Gërdecit.   

Marrësit e armëve të
Pinarit: S‘dimë gjë

TIRANE – Ndërmarrja shtetërore MEICO në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes duket të jetë një institucion problematik. Subjekti i vetëm shtetëror që, sipas ligjit, është i autorizuar të importojë dhe ekspertojë armë dhe municione, ka rezultuar i dyshimtë në disa kontrolle e monitorime të kryera. Sipas një raporti të fundit të monitorimit të MEICO, rezulton se të paktën dy shtete në të cilat ndërmarrja shtetërore ka deklaruar se kishte shitur armë dhe municione, nuk dinë asgjë për këtë fakt. Autoritetet kanë verifikuar në destinacionin e armëve që MEICO pretendonte se ishin shitur, por pikërisht marrësi i armëve i deklaruar nga ndërmarrja MEICO, në dy shtete të ndryshme, ka deklaruar se nuk kishte blerë armë apo municione nga ndërmarrja shqiptare në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Një fakt i tillë ka hedhur dyshime të forta për destinacionin e vërtetë të armëve dhe municioneve të shitura prej ndërmarrjes MEICO. Sipas ligjit, kjo ndërmarrje në rast të marrjes së çdo oferte për blerje apo shitje municioni, duhet të krijojë komisionin e vlerësimit. Komisioni drejtohet nga shefi i Drejtorisë së Logjistikës dhe ka anëtarë: Shefin e armatim-municionit, specialist të armatimit, përfaqësues i sektorit për ndërmarrjet ushtarake, përfaqësues të Drejtorisë së Planifikimit dhe Financës, përfaqësues i Institutit të Projektimit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe një përfaqësues i MEICO-s.

Ndalohet tregtia e Diverolit

“New York Times” ka botuar shkrimin e dytë investigativ për trafikun e fishekëve në Afganistan. Artikulli i botuar dje, kryesisht i referohet aferës së AEY në SHBA e Hungari dhe pezullimit përfundimtar të aktivitetit të Efraim Diverolit në të gjitha fushat e biznesit.  Sipas shkrimit, që mban për autor dy gazetarë dhe si shkrues C.J.Chives, të njëjtin e shkrimit të parë, ku përfshihej qeveria shqiptare, këtë radhë, strukturat e investigimit amerikan do të marrin në pyetje edhe Kosta Trebickën. Emri i biznesmenit shqiptar nuk përmendet në artikull, por NYT i referohen nënkontraktorit shqiptar që përgjoi bisedën me tregtarin 22-vjeçar të armëve. Nga ana tjetër, në shkrimin e djeshëm, për herë të parë theksohet se strukturat e hetimit të SHBA kishin kontrolluar zyrat e Diverolit në vitin 2007, dhe sërish e kishin lejuar atë të vazhdonte biznesin. Gazetarët e NYT kanë zbuluar edhe hetimin e Departamentit të Mbrojtjes. Avokati i zv.presidentit të AEY, David M. Packouz, vetëm 26 vjeç, ka thënë për NYT se nuk do të lejojë dëshminë e këtij të fundit, në rast se autoritetet amerikane nuk do të sigurojnë që Packouz të mos ndiqet penalisht. Ky shkrim është vazhdimi i investigimit të NYT për tregtinë e armëve. Në shkrimin e parë, qeveria shqiptare e përfaqësuar nga MEICO ishte në qendër të abuzimit me fishekët që shkonin në Afganistan. Investigimi i botuar në mars, tregonte edhe për presionet e Mediut dhe Pinarit mbi firmën amerikane, mashtrimin për cilësinë dhe llojin e fishekëve, si abuzimin me çmimin duke nënkontraktuar një tjetër firmë qipriote, e cila realisht ishte inekzistente.

SHKRIMI I NEW YORK TIMES
Uashingtoni bllokon eksportin e municioneve nga firma e dyshuar për mashtrim
Publikuar më 4 prill 2008
C. J. CHIVERS

Departamenti amerikan i Shtetit ka pezulluar gjithë aktivitetet ndërkombëtare të eksporteve të kompanisë AEY, një kompani tregtare armësh me seli në Miami Beach, që drejtohej nga një 22-vjeçar. Sipas burimeve amerikane që citojnë këtë vendim, kontrata për municione e AEY me Pentagonin i është nënshtruar hetimit kriminal.
Ushtria javën e shkuar akuzoi presidentin e firmës, Efraim E. Diveroli për mashtrim, duke argumentuar se ai kishte transportuar fishekë kinezë në Afganistan, pasi kishte certifikuar se ata ishin prodhuar në Hungari. Ushtria gjithashtu ka pezulluar Diverolin dhe kompaninë e tij nga kontrata të tjera federale në të ardhmen.
Vendimi i fundit bllokon gjithë elementet e biznesit të AEY.
Sipas rregullave federale, transferimi i armëve përmes kufijve ndërkombëtarë në të cilat qeveria amerikane nuk është konsumatore, kërkon një licencë të Departamentit amerikan. Një zyrtar i Departamentit amerikan tha se duke marrë parasysh rrethanat e jashtëzakonshme dhe aplikimet për licencë të zotit Diveroli do të refuzohen.
“AEY i është nënshtruar një politike refuzimi për gjithë kërkesat e ardhshme për autorizim eksporti”, tha një zyrtar, që nuk është autorizuar për të folur publikisht dhe kërkoi të mbetej anonim. Dy zyrtarë të tjerë konfirmuan këtë vendim. “Departamenti amerikan mund të bëjë përjashtime për këtë politikë refuzimi, por vetëm nëse cenohet siguria kombëtare ose ka arsye të politikës së jashtme për të vepruar kështu”.
Avokati i Diverolit, Hy Shapiro, nuk ka pranuar ta komentojë vendimin në fjalë.
AEY ka qenë furnizues kryesorë municionesh për ushtrinë dhe forcat policore në Afganistan, që kur Ushtria i dha kontratën dyvjeçare në janar 2007. Kontrata, tashmë e zgjidhur, ka vlerë 298 milionë dollarë.
Kompania gjithashtu ka siguruar municione dhe pajisje për agjenci të tjera federale dhe për qeverinë irakiane. Në një intervistë telefonike, vitin e shkuar, Diveroli deklaroi se bënte çdo vit biznes 200 milionë dollarësh.
Kontrata e tij për Afganistanin ka qenë e mbushur me probleme.
Një hetim nga gazeta “The Times”, zbuloi se Diveroli transportonte miliona pushkë të vjetra dhe fishekë automatikësh kinezë nga Shqipëria, dhe i dorëzonte këto municione në paketime të thërrmueshme dhe të dekompozuara. Kontrata dhe ligji amerikan ndalojnë tregtinë e armëve kineze.
Kompania e Diverolit gjithashtu ka punuar me një kompani gëzhojash në Qipro dhe ndërmjetësi, i cili ka qenë në listën federale të entiteteve që dyshoheshin për trafik të paligjshëm armësh, është regjistruar në mënyrë të fshehtë nga një nënkontraktor në një bisedë telefonike që flet për korrupsion.
Problemet e tij janë shtuar. Në fillim të marsit ai u dënua për ngarje të makinës në gjendje të dehur në Miami Beach. Në fund të marsit, përfaqësuesi Henri A. Waxman, një demokrat nga Kalifornia, që drejton dhe komitetin e mbikëqyrjes së reformave qeveritare, planifikoi një seancë dëgjimore me Departamentin e Mbrojtjes për të ekzaminuar bizneset e AEY.
Të enjten, një hetues i Komitetit të Kongresit amerikan kontaktoi me një nënkontratktor në Shqipëri, i cili kishte regjistruar bisedat telefonike me Diverolin. Sidoqoftë ka të dhëna se hetimi nga kongresi do të vazhdojë deri në fund, ndërkohë që vazhdon dhe hetimi kriminal.
Marc D.Seitles, avokati që përfaqëson David M. Packouz, terapistin masazhator të licencuar, i cili ishte dhe ish-zv.president i AEY, thotë se i ka dërguar një letër Kongresit, ku bën të ditur se zoti Packouz do të flasë publikisht nëse i garantohet imunitet nga ndjekja penale.
“Packouz, 25-vjeçar, u largua nga AEY në pranverën e shkuar dhe nuk ka më kontakt me kompaninë që atëherë”, thotë avokati Seitles. Ai shton se pa imunitet, “nuk mund të lejoj që klienti im të dëshmojë në këtë çështje dhe nëse ai thirret për dëshmi, do të kërkojë citimin e Amendamentit 5”.
Statusi i transportimeve të mëparshme të Diverolit gjithashtu është nën pikëpyetje. Një dorëzim i planifikuar i gati dy milionë fishekëve u bllokuan në Sllovaki, sipas dy zyrtarëve amerikanë dhe pronarit të biznesit tjetër të tregtisë së armëve. Ndërkohë që qeveria sllovake po rishikon kërkesën e Diverolit për licencë eksporti.
Ndërsa prodhuesi i fishekëve hungareze MFS 2000, gjithashtu ka kërcënuar për akte ligjore.
Dokumentet e brendshme të ushtrisë tregojnë se AEY ka blerë miliona fishekë nga kjo kompani vitin e shkuar. Drejtuesit e MFS 2000 kanë thënë se municionet ishin hungareze dhe në gjendje të mirë.
Sipas hetuesve të Pentagonit, Diveroli më vonë certifikoi që edhe municionet e tjera, të prodhuara disa dekada më parë në Kinë, ishin prodhuar gjithashtu nga MFS 2000. Kompania hungareze thotë se Diveroli ka njollosur reputacionin e saj.
“MFS 2000 është absolutisht pa faj në gjithë këtë çështje”, shkruante në një mesazh në email drejtori i përgjithshëm, Gyorgy Karoly. Pentagoni ka nisur të hetojë gjithë marrëdhëniet e saj të shkuara me AEY. Një njoftim federal i publikuar të shtunën e kaluar, thoshte se po gjurmohen dhe gjithë furnizuesit e rinj për miliona pjesë municionesh që Diveroli ende nuk i kishte dërguar në Afganistan, përfshi ata të fishekëve, raketave, mortajave dhe fishekëve të artilerisë.
Ky njoftim tregonte se Ushtria po ashpërson standardet e kontratës. Kontrata me AEY ka lejuar municionet të çdo lloj viti dhe nuk specifikon që paketimi duhej të bëhej në materiale që duhej t’i mbanin municionet në kushte të rrepta sigurie.
Dokumentet nga Shqipëria tregojnë se AEY ka blerë më shumë se 100 milionë fishekë kinezë që janë magazinuar për dekada të tëra në stoqet e luftës së ftohtë. Fishekët janë prodhuar rreth viteve ‘60.
Diveroli më pas rregulloi që ato të ripaketoheshin në kuti kartoni, shumica e të cilave të çara dhe të dekompozuara gjatë transportimeve në zonat e luftës. Po kështu llojet e ndryshme të municioneve janë përzierë. Në disa raste municionet ishin të pista, të gërryera apo të mbuluara me një cipë.
Në kërkesën e re të Pentagonit, specifikohet që municionet mund të jenë më të reja se 20 vjet, në paketime të durueshme dhe në kushte të përshtatshme. “Çdo paketim do të përmbajë të njëjtin tip ammo”, thuhet në rregullat e reja të Ushtrisë. “Materiali nuk duhet të ekspozohet ndaj papastërtive apo kontaminimeve të tjera që mund të kontribuojnë në përkeqësimin e njësisë, ose që mund të kërkojnë një pastrim nga konsumatori para përdorimit”.
Një tjetër avokat i përfshirë në këtë çështje ka shprehur habinë që Diveroli, i cili ka nisur të marrë kontrata federale në moshën 19-vjeçare, ka arritur të vazhdojë biznesin kaq gjatë.
Sipas tij, zyra e AEY është bastisur nga agjentët federalë vitin e shkuar dhe kompjuterët e saj dhe të dhënat janë konfiskuar. Por autoritetet kontraktuese të Ushtrisë vazhdonin të punonin me të. “Duket sikur njëra palë e qeverisë nuk dinte se çfarë bënte pala tjetër”, ka thënë ky avokat.
Raportuan: C/J Chivers nga Moska
dhe Eric Schmitt, Uashington

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›