E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftesa në NATO, Berisha: Morëm vendin që meritojmë

• Shqipëria mori vendin që meriton. Kështu u shpreh kryeministri Berisha pak orë pas marrjes së ftesës për t’u anëtarësuar në NATO, gjatë një konference për shtyp për mediat shqiptare në Bukuresht.

ADI SHKEMBI

 Kreu i qeverisë i është referuar sërish historisë që nga Traktati i Varshavës dhe deri në marrjen e ftesës. Sipas Berishës, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1912, vendi u qeveris aq keq saqë nuk arriti të marrë vendin që i takonte mes vendeve demokratike. “Nga mesi i viteve `50 në një traktat ushtarak u rreshtuan diktaturat që kishin vetëm një qëllim të vetëm, të mbronin diktaturën. Sot vendi dhe kombi rreshtohen në një Aleancë politike dhe ushtarake, shtyllën kryesore të lirisë botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me vendet e mëdha të botës së lirë. Sot, Shqipëria hyn në të ardhmen e saj të sigurt, pasi forma më e fuqishme, më e sigurt e një vendi është siguria kolektive dhe e tillë është NATO”, u shpreh kryeministri Berisha. Duke folur për përfitimet nga anëtarësimi në NATO, kreu i qeverisë tha se, vendi fiton më shumë siguri dhe kredenciale. Sipas Berishës, me hyrjen e Shqipërisë në strukturën euroatlantike Shqipëria vendoset në krahun e kombeve të lira. “Unë mendoj se pas pavarësisë së Shqipërisë, që shënoi ditëlindjen reale të vendit, anëtarësimi në NATO është ngjarja më e rëndësishme për Shqipërinë”, vijoi më tej kreu i ekzekutivit. Sipas kryeministrit, ftesa nuk është fundi i rrugës për në NATO, por ai e ka quajtur një fillim të ri. “Me këtë rast dua të falënderoj me mirënjohjen më të thellë SHBA-në për mbështetjen e fuqishme dhe të jashtëzakonshme që u kanë dhënë aspiratave tona, që janë ndihma e madhe për përmbysjen e diktaturës komuniste nga presidenti Xhorxh Bush, ndihma e madhe për ndërtimin e demokracisë dhe vlerave të saj nga presidenti Klinton, ndihma e jashtëzakonshme e presidentit Xhorxh W. Bush”, nënvizoi kryeministri. Kreu i qeverisë bëri të ditur gjithashtu para mediave shqiptare se, presidenti Bush është interesuar nëpërmjet ambasadores amerikane në NATO lidhur me ecurinë e reformave në Shqipëri. Sipas Berishës, “sot vendet anëtare të Aleancës kanë vendosur një besim të paprecedent ndaj Shqipërisë në historinë e saj. Siç e dëgjuat, unë nuk kisha fjalë tjetër përveçse të bëja një zotim solemn se ky besim do të shndërrohet në një përkushtim të madh për reforma dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje për të realizuar standardet për të merituar anëtarësimin e plotë”, u shpreh më tej kryeministri. Një ditë më parë, me një vendim unanim 26 vendet anëtare të NATO-s i dhanë ftesën Shqipërisë për të nisur procedurat për t’u anëtarësuar në këtë Aleancë, me të drejta të plota. Pas këtij vendimi, vendi ynë duhet të kalojë në disa etapa, që nga hartimi i dokumentit final e deri në ratifikimin e tij nga të gjitha parlamentet e vendeve anëtare, në mënyrë që të jetë gati për t’u ulur në krah të këtyre vendeve në samitin tjetër, i cili do të zhvillohet në prill të vitit të ardhshëm.

Darka
Në përfundim të ditës së dytë të samitit, kryeministri Berisha ka marrë pjesë në darkën e shtruar nga presidenti i Rumanisë, Traian Basescu. Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, të pranishëm në këtë darkë ishin presidenti amerikan Xhorxh W. Bush, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, kryeministri britanik, Gordon Brown, kancelarja gjermane, Angela Merkel, etj. Personalitetet e larta politike e uruan kryeministrin Berisha për këtë arritje të madhe të Shqipërisë, marrjen e ftesës.

Starova
Kryetari i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, Arian Starova, përshëndeti dje marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Gjatë një deklarate për mediat, Starova theksoi se, vendimi i 26 vendeve për të ftuar vendin tonë t’i bashkohet Aleancës është ngjarja e dytë më e rëndësishme për Shqipërinë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndërsa deputeti i PS-së Ulqini, deklaroi se, pozita dhe opozita kanë mundësi të bashkëpunojnë që vendi ynë të anëtarësohet me të drejta të plota vitin tjetër në NATO.

Festimet
Marrja e ftesës në Samitin e Bukureshtit është shoqëruar nga festime në qytetin e Elbasanit. Deputeti dhe kryetari i PD-së për Elbasanin, Aurel Bylykbashi, ka uruar të gjithë qytetarët elbasanas, gjatë një takimi me drejtues të partive aleate të maxhorancës qeverisëse. “Ne nuk mund të rrimë pa festuar këtë ngjarje kaq madhështore për Shqipërinë, e cila fillon kështu rrugën e saj drejt hapësirave të Bashkimit Evropian”, u shpreh Bylykbashi.

Pollo: Ftesa e Shqipërisë për në NATO, në tekstet e historisë
Në universitetet dhe shkollat e mesme do të mbahen konferenca, seminare dhe aktivitete të veçanta kushtuar organizatës së NATO-s. Këtë bëri me dije dje ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, një ditë pasi Shqipëria mori ftesën zyrtare për të qenë në gjirin e Aleancës Euro-Atlantike. Aktivitetet do të organizohen në bashkëpunim me QSA (Qendra e Studimeve Albanologjike) dhe me fakultetet e historisë dhe shkencave humane në të gjitha universitetet e vendit. Në shkollat e mesme do të mbahen konferenca, seminare kushtuar këtyre temave. Në vijim ngjarja e madhe për vendin tonë do të përfshihet edhe në librat e historisë. “Padyshim që edhe në librat e historisë, në arsimin bazë dhe të mesëm, ne do të përshtatim programet, në mënyrë që nxënësit që mësojnë historinë bashkëkohore të vendit tonë, të njihen dhe me ftesën e Bukureshtit, që përbën një zhvillim të madh për Shqipërinë dhe rajonin”, deklaroi ministri Pollo. Ai shtoi se MASH ka përgatitur draftin e aktiviteteve “Shqipëria-pjesë e familjes së NATO-s”, e cila do të përfshijë një sërë temash, si historiku i krijimit të Organizatës së NATO-s, vendet që ndërmorën iniciativën për krijimin e organizatës, kushtet historike në të cilat u krijua NATO, roli dhe detyrat e NATO-s, rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO.

PDK: Ftesa,dhurata e dytë pas Kosovës

Partia Demokristiane e ka vlerësuar marrjen e ftesës nga Shqipëria si dhuratën e dytë për këtë vit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në një deklaratë për shtyp të kësaj partie thuhet se, “Partia Demokristiane falënderon të gjithë aleatët perëndimorë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës që na kanë ndihmuar që ne shqiptarët brenda vitit 2008 të marrim dy dhurata të mëdha historike, pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësinë në NATO. Shqipërisë i është hapur rruga për të ndërtuar një shtet demokratik dhe të së drejtës”. Në të njëjtën kohë, kjo forcë politike i bën thirrje të gjithë faktorit politik në vend që të ulet në tryezën e bisedimeve dhe për një vit, koha që na ndan nga Samiti i ardhshëm i NATO-s, të miratohen reforma elektorale, ajo në drejtësi dhe disa prej reformave të tjera të rëndësishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›