E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dhe PSD në shesh: Pro NATO-s, jo Berishës

• Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate zhvilluan dje protestën në sheshin "Skënderbej", duke kërkuar largimin e kryeministrit Sali Berisha.

BLEDAR HOTI

Me dhjetëra e mijëra protestues ishin dje në orën 18.00 në sheshin "Skënderbej", duke protestuar një ditë pas marrjes së ftesës që Samiti i NATO-s i bëri Shqipërisë për t'u anëtarësuar. Në këtë miting, ndryshe nga herët e tjera binte në sy mungesa e liderëve të tjerë të koalicionit të majtë, si Ilir Meta i LSI-së, Neritan Ceka i PAD-së dhe Paskal Milo i PDS-së. Protestuesit në pjesën dërrmuese mbanin në duar flamujt me simbolin e PS-së dhe në pak raste të PSD-së. Protesta ishte e titulluar "Pro NATO-s, jo Berishës", pjesëmarrësit mbanin në duar pankarta në të cilën i bëhej thirrje kryeministrit Berisha që të largohej, duke e fajësuar për tragjedinë e ndodhur më 15 mars të këtij viti në Gërdec të Vorës. I vetmi politikan që ka folur në këtë miting ka qenë kryesocialisti Edi Rama. Në fjalën e tij lideri i socialistëve kërkoi largimin e kryeministrit "për shkak të paaftësisë së tij dhe korrupsionit". "Tragjedia e 15 marsit nuk e ka ndryshuar, po e ka forcuar edhe më shumë këtë prioritet për reforma, pasi të tilla tragjedi janë, në themelin e tyre, pjella të një sistemi të kalbur politik që rrit, prej 17 vjetësh, deformimet e rënda në zgjedhje e, për pasojë edhe në qeverisje, duke bërë që pas çdo procesi zgjedhor shqiptarët të bien nga shiu në breshër. Ashtu siç ranë pas 3 korrikut kur me një votë antikorrupsion u gjendën nën një qeveri e një kryeministër, që kanë mbyllur rrugën e konkurrencës së lirë e të ndershme dhe kanë zgjeruar me korsi të shpejtësisë së lartë rrugën e korrupsionit", tha në fjalën e tij Rama. Kryesocialisti ka argumentuar në formë retorike dhe arsyet se pse partia që ai udhëheq vendosi të protestonte në një kohë kur vendi duhet të ishte në festë. "Mbrëmë në darkë një qytetar më përgëzoi për kontributin që ne dhamë për arritjen e djeshme të Shqipërisë dhe më pyeti: A ka kuptim të protestoni nesër kundër qeverisë? Përgjigjja ime është: Për politikën e qytetarëve një orë e mirë si kjo, është ora më e mirë për t'u gëzuar së bashku për të sotmen dhe për t'u mbledhur së bashku për të ardhmen. Duke manifestuar kënaqësinë tonë të veçantë për ftesën që Shqipëria mori dje për anëtarësimin në NATO dhe shqetësimin tonë legjitim për të nesërmen e kompromentuar prej papërgjegjshmërisë, paaftësisë dhe korrupsionit që është bërë palca e qeverisjes së sotme", theksoi Rama. Ai u shpreh se, "ne u jemi thellësisht mirënjohës miqve tanë të mëdhenj për dorën e partneritetit që i shtrinë dje Shqipërisë e popullit shqiptar, por jemi gjithashtu thellësisht të shqetësuar për dorën e korrupsionit që sot qeveris Shqipërinë duke bërë që qytetarët e saj, socialistë e demokratë, të vuajnë po njësoj mungesën e punës e të rrugës, mungesën e dritave e të ujit, mungesën e librave e të shpresës për kalamajtë e tyre. Dhe mbi të gjitha mungesën e sigurisë së jetës". "Por kryeministri ynë, ashtu si krejt qenia e politikës së vjetër që jeton me papërgjegjshmëri, punon me paaftësi e ushqehet me korrupsion, nuk di të heqë dorë e nuk ka fuqi të tërhiqet, sepse standardet politike e morale që Shqipëria kërkon sot janë të papranueshme në botën ku ai ka mbetur peng", shtoi kryesocialisti. Ndërsa ka shprehur bindjen se, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të realizohet vitin e ardhshëm dhe se "vendi do të qeveriset nga ne dhe do të ndihemi të sigurt në punë, në rrugë". PS-ja sipas tij, është e gatshme të mbajë këtë përgjegjësi historike.

Festa për NATO-n, Topalli mbledh deputetët, opozita e bojkoton

Opozita bojkoton pritjen e shtuar dje në darkë nga ana e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në pritjen e shtruar nga Kuvendi, ku ishin të ftuar deputetë, qeveritarë, titullarë të trupit diplomatik, si dhe pronarë së medias së shkruar dhe vizive, si dhe artistë të njohur ka rënë në sy mungesa e deputetëve të opozitës, kryesisht të socialistëve. Edhe pse një ditë më parë kryeparlamentarja Topalli kishte ftuar vetë kryetarin e PS-së, Edi Rama, socialistët nuk kanë preferuar që të jenë të pranishëm, duke pasur si argument protestën e opozitës, e cila përfundoi deri te sheshi "Nënë Tereza". Në këtë takim ka rënë sy prania e kreu të PAD-së, Neritan Ceka, i cili nuk pranoi të protestonte në mitingun e PS-së. Ndërsa ka rënë në sy edhe prania e ish-kryeparlamentarit Servet Pëllumbi. "Ftesa për anëtarësim është pa mëdyshje një testament i punës së madhe e serioze, që e bëri këtë vizion një realitet. Ajo reflekton qartë progresin që ky vend ka bërë, në një kohë të shkurtër, në arritjen e standardeve. Samitin e Bukureshtit, që unë do ta quaja si samiti i Shqipërisë, shënoi hap vendimtar në historinë e populli tonë, popullit që vuajti diktaturën më të egër të regjimit totalitar", tha kryetarja Topalli. Numri një i Kuvendit theksoi se, "jam optimiste se menjëherë javën ardhshme do nisë puna në Kuvendin e Shqipërisë në komisionet parlamentare për t'ju përgjigjur menjëherë besimit të dhënë nga NATO". "Një fillim i ri, fillim i një etape të re sfidash të rëndësishme që kërkojnë dinamikë. Ndaj dhe bashkëpunimi mes forcave politike është thelbësor në ditët në vijim, për të shkurtuar rrugën e anëtarësimit të plotë në strukturat euroatlantike", u shpreh kryetarja e Kuvendit. Në përshëndetjen e tij ambasadori amerikan Withers vlerësoi faktin që mbi 94 për qind e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin e vendit në NATO dhe kjo, tha ai, tregon vendosmërinë tuaj për të ecur përpara. Ambasadori amerikan shprehu admirim e kënaqësi për atë çka Shqipëria arriti në Samitin e Bukureshtit, duke nënvizuar fjalët që presidenti Bush tha në këtë Samit se, Shqipëria është një komb i madh në një Aleancë të madhe. "Eshtë një ditë e mrekullueshme për Shqipërinë dhe miqtë e saj", u shpreh Withers. Kryetarja e Kuvendit, duke trokitur gotat, falënderoi përzemërsisht ambasadorët për mbështetjen që popujt dhe qeveritë e vendeve të tyre i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, veçanërisht në këtë moment të kthimit të shpirtit të lirë të shqiptarëve në strehën e Aleancës që mbizotëron sot botën, në Aleancën e së mirës.

Ftesa në NATO, të rinjtë koncert festiv të Piramida

Një koncert festiv u zhvillua dje pasdite në orën 17:30 nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, "Pjetër Arbnori". Ky koncert u organizua për nder të festës së marrë për anëtarësimin në NATO. Koncerti u organizuar përpara sheshit të Piramidës. Në këtë aktivitet festiv morën pjesë të rinj dhe të reja të Tiranës të shkollave të ndryshme. Për disa orë të tëra në shesh kanë kënduar të rinj dhe të reja. Ndërsa koncerti është shqetësuar për disa minuta nga protestuesit e shumtë opozitarë që ishin drejtuar drejt Kryeministrisë. Kjo i ka tërhequr vëmendjen pjesëmarrësve në koncert, por nuk i ka penguar ata që të vazhdojnë festimet e tyre. Koncerte festive janë organizuar dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me rastin e marrjes së ftesës. Gjatë dy ditëve në qytetin e Vlorës do të zhvillohen aktivitete me rastin e marrjes së ftesës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Gjithashtu koncerte festive ka pasur edhe në qytetin e Shkodrës, me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësim.

Marshimi
Pas përfundimit të fjalimit të Ramës, protestuesit janë ftuar që të marshojnë drejt Kryeministrisë. Ata janë udhëhequr nga ana e kryesocialistit Rama dhe drejtues të tjerë të PS-së dhe deputetë të kësaj force politike. Vala e protestuesve nuk ka protestuar në heshtje, si radhën e parë, por ka ngritur dhe zëra duke i bërë thirrje kryeministrit Berisha që të largohej. Gjatë rrugës për në Kryeministri, protestuesit opozitarë janë "përplasur" me të rinjtë, që po festonin hyrjen e Shqipërisë në NATO, por gjithçka ka shkuar në mënyrë paqësore. Ndërsa protesta i ka tërhequr vëmendjen edhe diplomatëve që po iu drejtonin hotel "Rognerit".

Familjarët
Në këtë miting kanë folur dhe familjarët e viktimave të Gërdecit, si dhe kryetari i kësaj shoqate për tragjedinë e ndodhur më 15 mars. Në fjalët e tyre ata kërkuan kompensimin e plotë financiar për tragjedinë e ndodhur, ku humbën dhe të dashurit e tyre. Në këtë miting ka folur edhe kryetari i Shoqatës së ish-Ushtarakëve, Pogaçe. Ai kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Berisha, duke e bërë përgjegjës për shmangien dhe keqtrajtimin e ushtarakëve të dalë në pension. Përkrah Ramës ishin rreshtuar kryesocialdemokrati Gjinushi, socialistët Dokle, Ulqini dhe Ruçi. Ndërsa bashkë me ato ishin dhe një përfaqësi e familjeve të zonës së Gërdecit.

Beja: Të hënën në Kuvend ndryshimet në Kushtetutë

Reforma zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese pritet të shqyrtohen ditën e hënë në komisionin parlamentar të Ligjeve.

Një fakt të tillë e ka bërë publik kryetari i komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatos Beja, i cili ka bërë të ditur se, do të punohet mbi bazën e nismës së paraqitur nga PS-ja për ndryshimet Kushtetuese. Në një prononcim për median, Beja deklaroi se, "komisioni i Ligjeve pritet të fillojë ditën e hënë punën për ndryshimet kushtetuese duke i hapur rrugën komisionit për Reformën Zgjedhore të vendosë për ligjin e ri elektoral, që do të adoptojë vendi". Baza e punës pritet të jenë amendimet kushtetuese të paraqitura nga ana e PS-së që prekin ndryshimet për sistemin zgjedhor dhe pragun elektoral. "Kemi shprehur gatishmërinë që të fillojmë punën për të bërë ndryshimet e para dhe ky ligj do të përpunohet dhe shtjellohet tek Kodi Elektoral, ideja është që të heqin sistemin të përshkruar në Kushtetutë. Dhe Kushtetuta të shprehet në parim dhe në kod të jetë sistemi i realizuar", deklaroi Beja.
Ndërsa nisma e PS-së e pranuar nga demokratët është kontestuar nga ana e partive të tjera politike të spektrit të majtë dhe të djathtë. Kjo solli dhe përplasjen brenda dy kampeve të koalicionit të majtë dhe atij të djathtë. Ndërsa është përcaktuar që ndryshimi i Kushtetutës të mos realizohet nga komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore, por nga ana e komisionit të përhershëm parlamentar të Ligjeve.
Përplasja Rama-Topalli
Ftesën për bashkëpunim me opozitës, menjëherë pas marrjes së ftesës nga Samiti i NATO-s e ka bërë kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, gjatë debati televiziv të bërë në televizionin "Top Chanel". Topalli gjatë përballjes me kryesocialistin Edi Rama i kërkoi atij që të mos mbesë vetëm në suazën e premtimeve, por të hënën le të konkretizojnë nismat për reformat, për realizimin e atyre kushteve të vendosura nga NATO-ja dhe BE-ja. "Nëse ju keni propozime konkrete, sillni paketën në komisionin e Ligjeve, reforma nuk duhet të mbesë vetëm në suazën e fjalën", iu drejtua Topalli. Por kryesocialisti Rama ka theksuar se, nuk mund të ketë reforma me kryeministër Sali Berisha. Ky ka qenë qëndrimi i prerë i Ramës, i cili ka deklaruar se, "opozita mbështet procesin e reformave në vend, por jo me këtë kryeministër". Përpara ngjarjes tragjike të Gërdecit, para 15 marsit, dy partitë e mëdha, PS-PD ishin pranë realizimit të ndryshimit të sistemit zgjedhor, duke ndërhyrë në Kushtetutë.

Komisioni i posaçëm i Reformës

Ndërkohë që debatet parlamentare kanë bllokuar vendimin e Kuvendit për të shtyrë afatin e komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore. Konferenca e kryetarëve kishte parashikuar që të shtynte afatin e këtij komisioni, në një afat prej njëmujor. Por një vendim i tillë nuk është ndërmarrë ende nga ana e Kuvendit. Partive të vogla janë kundër drejtimit të komisionit me bashkëkryetar.

Topalli krijon rrjetin e NATO-s

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i bëri thirrje dje të rinjve të Parlamentit rinor për krijimin e Networku-t Atlantik të të Rinjve. Gjatë një takimi në hotel "Tirana Internacional" me anëtarë të Parlamentit Rinor, kryetarja e Kuvendit vlerësoi ftesën e NATO-s për Shqipërinë, duke e cilësuar atë "një ngjarje të jashtëzakonshme". Ajo iu bëri thirrje të rinjve të pranishëm të bëhen pjesë e ndërtimit të një Networku Atlantik të të Rinjve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›