E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjet, miratohet sistemi i pagave për gjyqtarët

• Komisioni parlamentar i Ligjeve bie dakord për rritjen e pagave të gjyqtarëve të të gjitha shkallëve.Në mbledhjen e djeshme, anëtarët e komisionit kanë rënë dakord për të rritur pagat e gjyqtarëve mbi bazën e vjetërsisë në punë. Kështu, deputetët e Komisionit parlamentar të Ligjeve ranë dakord për variantin e paraqitur nga ana e Ministrisë së Financave. Kështu, sipas burimeve, mësohet se paga e gjyqtarit të Shkallës së Parë është lënë që të jenë 50% më e ulët se sa e ministrit të qeverisë. Ndërsa është përcaktuar se rritja e pagës do të realizohet për çdo vit në masën 2 për qind. E njëjta masë rritjeje është edhe për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Ndërsa kjo rritje do të vazhdojë deri kur të arrihet mosha e vjetërsisë së punës. Ndërsa për krerët e gjykatave është vendosur që rritja të jetë në masën 10 për qind. Komisioni parlamentar i Ligjeve nuk ka përcaktuar ende mënyrën dhe dhënien e së drejtës së inspektimit të gjykatave. Sipas burimeve, është hedhur ideja që inspektimi të lihet gjatë shqyrtimit të ligjit "Për funksionimin dhe organizmin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë". Komisioni parlamentar i Ligjeve pritet të mblidhet përsëri sot për t'i dhënë dorën përfundimtare projektligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor". Brenda kësaj jave, sipas burimeve, pritet që të përfundojë puna për këtë projektligj, i cili po miratohet me konsensus politik ndërmjet pozitës dhe opozitës. Ndërsa kundër këtyre ndryshimeve kohët e fundit ka dalë KLD-ja, e cila nuk e ka vlerësuar pozitivisht këtë konsensus mes partive në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Për nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu, nuk është realizuar asnjë nga kërkesat e paraqitura nga ana e institucionit që ai drejton.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›