E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drenica ndal liderin

Drenica ia ka ndërpre serinë e fitoreve Trepçës ’89. Lideri i Superligës nuk ka mundur të fitoj më shumë sesa një pikë përballë kuqezinjve, pasi përballja mes tyre ka përfunduar baras, 2:2. Ndërsa, Liria e ka gjetur fitoren përballë Besës, pas plot tetë javësh. Kurse, Llamkos Kosova e ka vazhduar serinë e zezë të rezultateve, duke u mposhtur nga Ferronikeli.

Drenica i ka dhënë fund serisë së fitoreve të Trepçës ’89. Kuqezinjtë të dielën e kanë ndalur liderin e Superligës, edhe atë midis Mitrovicës, duke ia rrëmbyer një pikë shumë të rëndësishme, pasi përballja mes tyre ka përfunduar baras, 2:2 – në kuadër të xhiros së nëntë të kampionatit.

Hero i drenicasve ishte pikërisht ish sulmuesi i ‘Xehetarëve’, Berat Hyseni, i cili i realizoi dy gola duke ia evituar humbjen ekipit të tij.

Në fakt, ekipi i Gani Sejdiut ka kaluar i pari në avantazh prej 1:0 në minutën e 3-të nga penaltia nëpërmjet Isuf Llumnica. Por, Hyseni në minutën e 6-të i ka barazuar shifrat në 1:1. Ndërsa, epërsinë mitrovicasve ia ka rikthyer Ilir Izmaku në minutën e 45-të, derisa në minutën e 62-të goli i Hysenit e shpëtoi pa pësuar humbje Drenicën, e cila prej minutës së 67-të ka luajtur pa Fisnik Lushtakun e përjashtuar. Megjithatë, Trepça ’89 mbetet ekipi i vetëm në Superligë pa pësuar humbje.

Besa – Liria 0:3

Pas plotë tetë javësh, më në fund Liria e ka gjetur fitoren. Prizrenasit ia kanë dalë ta mposhtin Besën si mysafirë të saj në Pejë me rezultat bindës, 0:3 Golat për bardheiznjtë i kanë shënuar Skeraj, Thaçi e Shala, të cilët ia sollën pak dritë ekipit të tyre, derisa Besën e zhytën në krizë akoma më të madhe.

Ferronikeli - Ll. Kosova 2:1

Llamkos Kosova e ka vazhduar serinë e zezë të rezultateve. Vushtrriasit janë mposhtur edhe në Drenas nga Ferronikeli me rezultat 2:1, duke e pësuar kështu humbjen e pestë në këtë kampionat, krahas tri barazimeve e një fitoreje. Bardhekaltrit kanë kaluar të parët në avantazh prej 0:1 në minutën e 24-të nëpërmjet Faruk Zenelit nga penaltia, por Fatih Karahoda ishte shpëtimtar i Ferronikelit. Sulmuesi i shkathët i shënoi dy gola në minutat e 52-të e 82-të, për ta dhuruar ekipit të tij fitoren e tretë në këtë edicion.

Tabela ND GD PI

1. Trepça ’89 9 11 21

2. Prishtina 8 6 16

3. Drita 9 -2 16

4. Trepça 9 4 14

5. Hysi 9 4 13

6. Hajvalia 8 2 12

7. Vëllaznimi 9 -1 10

8. Ferronikeli 9 -4 10

9. Liria 9 -1 9

10. Drenica 9 -2 8

11. Kosova (V) 9 -9 6

12. Besa 9 -12 6

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›