Drenica thellon krizën e Flamurtarit
Drenica të shtunën ka shënuar fitore të mundimshme, por shumë të rëndësishme, pasi në Skenderaj e ka mposhtur konkurrentin tjetër në luftë për mbijetesë, Flamurtarin, me rezultat 2:1, në kuadër të xhiros së nëntëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në futboll.
Në fakt, ekipi mysafir nga Prishtina ka kaluar i pari në avantazh prej 0:1 në minutën e 11-të me golin që e ka realizuar Përparim Livoreka. Këtë epërsi Flamurtari e ka ruajtur deri në minutën e 87-të, kur Drenica ia doli ta barazojë rezultatin në 1:1 me golin e bukur që e ka shënuar Taulant Dajaku nga një gjuajtje e lirë.
Kur të gjithë prisnin se ndeshja do të përfundonte me rezultat të barabartë, ndodhi e kundërta. Vendasit ia dolën të shënojnë sërish në minutën e 90-të për rezultat përfundimtar 2:1. Realizues ishe Samir Ramizi.
Kjo fitore do ta motivojë akoma më shumë Drenicën në luftën e saj për mbijetesë, derisa Flamurtarit iu kanë vështirësuar edhe më shumë punët. Kjo është humbja e dytë rresht për prishtinasit në dy ndeshjet e para të tyre në stinorin pranveror.
Liria – Ballkani3:0
Liria u është rikthyer fitoreve, pasi të shtunën në Prizren e mposhti Ballkanin me rezultat të thellë, 3:1. Prizrenasit e nisën mirë këtë ndeshje dhe qysh në minutën e 7-të kaluan në avantazh prej 1:0, me golin që e shënoi Alban Dylazeka. Bardhezinjtë epërsinë e tyre në 2:0 ndaj therandasve e shtuan në minutën e 25-të me golin që e realizoi Fatih Karahoda.
Liria nuk u ndal me kaq. Ekipi vendas në minutën e 51-të shënoi edhe njëherë për rezultat përfundimtar 3:0 nëpërmjet Rafet Mullallarit. Kjo humbje ia vështirëson edhe më shumë punët Ballkanit në luftë për mbijetesë.