Driblojnë turqit, Shqipëria projekton Slloveninë
Kombëtarja shqiptare mund të luajë kundër Sllovenisë në miqësoren e muajit nëntor. Burime pranë FSHF-së, bënë të ditur se Federata Turke e Futbollit, me të cilën ata kishin arritur një akord verbal, është në kërkim të një kundërshtari tjetër për datën e lirë të 19 nëntorit dhe drejtuesit e institucionit shqiptar të futbollit, kanë nisur sërish bisedimet me Federatën Sllovene. Bëhet fjalë gjithnjë për mundësinë që ka Shqipëria të luajë jashtë fushës së saj në këtë miqësore. Kjo duket se nuk përbën ndonjë problem për teknikun e Kombëtares, Ari Han, pasi kuqezinjtë ndeshjen e radhës të eliminatoreve, atë kundër Maltës, do ta luajnë në transfertë dhe miqësorja kundër Sllovenisë do të ishte një test i mirë. Gjithsesi, pritet një konfirmim zyrtar nga ana e federatës.