Gilman Lika i jep fitoren Haçetepes
Gilman Lika, mesfushori i përfaqësueses shqiptare U-21 që luan në radhët e turqve të Haçetepes, i ka dhënë fitoren skuadrës së tij dje në ndeshjen kundër Denzilsporit. 22-vjeçari shkodran ka shënuar golin e vetëm të takimit në minutën e 70-të të ndeshjes, duke i dhënë tri pikë të çmuara skuadrës së tij, e cila aktualisht renditet në vendin e 13-të me shtatë pikë, por është larguar nga zona e ftohtë e fundit të tabelës. Lika ka luajtur gjatë gjithë takimit dhe padyshim është cilësuar si lojtari më i mirë i ndeshjes. Ai është një kandidat potencial për t’iu bashkuar përfaqësueses A të Shqipërisë në të ardhmen. Ndërkaq, Elvis Kraja, qendërmbrojtësi shkodran që luan te Zakarpatia Uzhgorod, në kategorinë e dytë ukrainase, ka qenë protagonisti i fitores së skuadrës së tij dje, teksa ka shënuar të dy golat në ndeshjen që Zakarpatia fitoi 2-1 ndaj Helios. Kraja u transferua gjatë kësaj vere në kampionatin ukrainas. Në Gjermani, kapiteni i Kombëtares nuk ka luajtur asnjë minutë në ndeshjen e djeshme që skuadra e tij, Hanoveri, humbi në shtëpinë e saj 5-2 nga Hofenhaimi. Mesfushori kuqezi, Ervin Skela, luajti gjatë gjithë ndeshjes, që skuadra e tij Kotbusi, humbi 1-0 ndaj Këlnit.