E Diel, 1 Nëntor 2026

Mërgim Mavraj bën gati debutimin me Shqipërinë

 

Jetmir Halilaj

Mërgim Mavraj, qendërmbrojtësi kosovar i Bohumit, me pasaportë shqiptare pritet të debutojë me fanellën e Kombëtares ‘A’ të Shqipërisë në miqësoren e muajit nëntor. Lajmin e kanë bërë të ditur burime zyrtare pranë FSHF-së, të cilat pohojnë se futbollisti është i gatshëm të vijë e të luajë me Shqipërinë. Ka qenë trajneri Ari Han, ai që ka shfaqur interes për Mavrajn, duke parë që reparti difensiv i përfaqësueses shqiptare vuan për një qendërmbrojtës që të mund të japë garanci në rolin e tij.
Pasaporta
Mavraj u pajis me pasaportë shqiptare dy vjet më parë, kur kuqezinjtë drejtoheshin nga tekniku Oto Bariç. Ky i fundit, më pas refuzoi ta grumbullonte atë në Kombëtaren A, çka nuk i la shije të mirë lojtarit, i cili shfryu duke thënë se nëse nuk luante në skuadrën A, atëherë nuk do të vinte me Shqipërinë. Një deklaratë e tillë nuk i pëlqeu aspak presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili reagoi duke thënë se nëse Mavraj nuk e ndjen të veshë fanellën, atëherë është i lirë të mos vijë, por të paktën të kthejë mbrapsht pasaportën shqiptare, të cilën FSHF-ja ia siguroi në kohë rekord. Megjithatë, kjo gjë nuk ndodhi dhe aktualisht qendërmbrojtësi zotëron pasaportë shqiptare, çka ia lehtëson shumë punën atij në lidhje me një aktivizim të mundshëm me Shqipërinë.
Kontaktet
Pas ndeshjes kundër Portugalisë, kanë nisur sërish kontaktet me qendërmbrojtësin e Bohumit, ku zyrtarë të FSHF-së e kanë pyetur lojtarin nëse ai do të donte të vinte e të luante në miqësoren e nëntorit me Shqipërinë. Mësohet se futbollisti me prindër nga Kosova, ka thënë “po” dhe ky është një lajm i mirë për trajnerin Han, aq më tepër që ka qenë pikërisht holandezi, që ka kërkuar shërbimet e tij. Megjithatë, gjatë ditëve të ardhshme pritet të konfirmohet zyrtarisht grumbullimi i Mavrajt me ekipin e parë të Shqipërisë. Ai do të jetë një alternativë e mirë për repartin e tërhequr të kuqezinjve, i cili vuan dëmtimet e shpeshta të Beqirit dhe për këtë arsye Hani, por edhe paraardhësi i tij, Oto Bariç, janë detyruar shpeshherë të aktivizojnë Currin apo Canën në qendër të mbrojtjes, ndonëse ata janë mesfushorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›