E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i FMN-së në telashe, në hetim pas skandalit seksual

 

Drejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar po hetohet për abuzim me detyrën. Dominique Strauss-Kahn është zbuluar të ketë pasur një marrëdhënie jashtë martesore me një nëpunëse me origjinë hungareze, Piroska Nagy, e martuar dhe ish-përgjegjëse e Departamentit “Afrika e Fondit Monetar”. Vetëm një vit më parë, drejtori i Bankës Botërore, Paul Wolfowitz, u detyrua të japë dorëheqjen, pasi u akuzua se ka kërkuar rritjen në detyrë të së dashurës së tij, një prej nëpunëseve. Një hetim mbi një abuzim të tillë është hapur edhe mbi kreun e FMN-së, pas zbulimit të marrëdhënies me nëpunësen. Pas fakteve të pamohueshme, Kahn ka e pranuar ekzistencën e kësaj marrëdhënieje, por ka mohuar kategorikisht se mund të ketë abuzuar me fuqitë e veta për të fituar favoret seksuale të nëpunëses. “Në asnjë moment nuk kam abuzuar me pozicionin tim si drejtor i FMN-s”, ka deklaruar Kahn. Sipas “Wall Street Journal”, me hetimin është ngarkuar shoqëria Morgan, “Lewis & Bockius LLP”, e cila duhet të paraqesë përfundimet e saj në fund të tetorit. Strauss-Kahn dhe Piroska Nagy kanë nisur lidhjen në janar të këtij viti në një konferencë në Evropë. Zbulimin e ka bërë bashkëshorti i Piroskës, ekonomisti argjentinas Mario Blejer, edhe ai nëpunës në FMN.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›