E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oto Bariç krenohet me Kombëtaren Shqipërinë

 

Barazimi i Shqipërisë me Portugalinë (0-0) e ka bërë të mburret edhe ish-trajnerin e kuqezinjve, kroatin Oto Bariç. Në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji list”, Bariç ka thënë se ka vënë disa “gurë” të rëndësishëm në themelet e përfaqësueses shqiptare. “Nuk dua të marr meritat për këtë ndeshje, por më duhet të them se unë i kam vendosur themelet e skuadrës përfaqësuese shqiptare. Mburrem me të gjitha që kam bërë atje”, ka thënë 76-vjeçari. Oto Bariç ka drejtuar Shqipërinë në eliminatoret e “Euro 2008”. Shqipëria përfundoi e pesta në Grupin G me 11 pikë të grumbulluara në 12 ndeshje. Strategu kroat vlerëson se Shqipëria mund të bëhet përfaqësuese tejet e fortë. “Më vjen mirë që shqiptarëve po u ecën mbarë. Kanë potencial të bëhen përfaqësuese e fortë e klasës së mesme evropiane”, ka vlerësuar Bariç. Shqipëria barazoi pa gola në transfertë kundër Portugalisë, të mërkurën në kuadër të eliminatoreve të Botërorit “Afrika e Jugut 2010”. Kuqezinjtë, që tani drejtohen nga holandezi Ari Han kanë zhvilluar katër ndeshje dhe kanë bilanc një fitore, dy barazime dhe një humbje. Renditen në vendin e katërt të Grupit të parë me pesë pikë, aq sa kanë edhe Portugalia e Suedia. Oto Bariç aktualisht është i papunë. Ai para Shqipërisë ka drejtuar edhe përfaqësueset e Kroacisë dhe Austrisë. Ka drejtuar edhe shumë klube në Austri, Kroaci e Gjermani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›