E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shala për ambasadat: Po na u desh, diplomatët në hotele

 

Ministria e Jashtme në Prishtinë po bën të gjitha përpjekjet për të nisur sa më shpejt vendosjen e misioneve të para diplomatike, me gjithë pengesat për mungesën e lokalizimit të godinave ku do të vendosen diplomatët. Qeveria e Kosovës është zotuar që misionet e para diplomatike të nisin gjatë këtij muaji. Por Ministria e Punëve të Jashtme nuk i ka të përcaktuara objektet që do të shfrytëzohen si ambasada. Kështu, qëndrimi i diplomatëve të parë kosovarë, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, mund të bëhet nëpër hotele. Kujtim Shala, këshilltar i ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, tha për REL, se të dhjetë misionet e Kosovës, përveç Brukselit, do ta nisin punën gjatë këtyre ditëve, qoftë nevoja edhe nëpër hotele duke e konsideruar një zgjidhje të tillë të përkohshme. “Deri tani janë identifikuar disa objekte, por asnjëri prej tyre nuk është përzgjedhur, sepse për secilin prej tyre duhet të aplikohet procedura e prokurimit dhe ne do ta respektojmë atë. Ka vende që misionet e tyre i mbajnë edhe nëpër hotele, ne nuk e kemi ndërmend që ta bëjmë këtë, por si fillim ashtu do të shkojë puna”, tha Shala duke sqaruar se fillimisht këto misione do të nisin punën me staf të reduktuar. Sipas një vendimi të presidentit të Kosovës në marrëveshje edhe me qeverinë, për këtë vit në Prishtinë është parashikuar hapja e 10 ambasadave ku bëjnë pjesë Uashingtoni, Brukseli, Londra, Parisi, Berlini, Roma, Berna, Vjena, Ankaraja dhe Tirana. Këshilltari i ministrit Hyseni nuk ka identifikuar ndonjë vend, ku mund të hapet ambasada e parë, duke i parë që të gjitha si prioritete dhe të rëndësishme njëlloj. “Prioritete nuk kemi. Që të dhjetë ambasadat apo përfaqësitë diplomatike janë prioritet. Tani për tani, mund të ketë pak më shumë vonesa në Bruksel, për punë teknike apo logjistike. E për të tjerat, varet, por nuk është punë të cilën e kemi plotësisht në duar vetëm ne”, theksoi Shala. Qeveria i ka ndarë Ministrisë së Punëve të Jashtme një buxhet prej 25 milionë eurosh për blerjen e objekteve të ambasadave. Sa për ambasadat e vitit të ardhshëm, parashikohet të përfshihen edhe misionet diplomatike në republikat e ish-federatës Jugosllave, përkatësisht edhe në vendet fqinje, Maqedoni e Mal të Zi. “Për vendet e ish-Jugosllavisë, Ministria e Punëve të Jashtme e ka një strategji dhe me këtë strategji parashihet hapja e ambasadave në këto vende gjatë vitit 2009. Kemi pasur parasysh 10–12 misione të reja gjatë vitit 2009, kurse Malin e Zi, Kroacinë dhe Maqedoninë i kemi menduar me këtë pjesë shtesë të misioneve”, deklaroi Shala.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›