E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dridhet” Mynihu

12/04/2005  Javën e parë, fitorja iu ka buzëqeshur bluve të Londrës, me një rezultat mjaft të favorshëm për ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme. Kështu, skuadra e Murinjos, edhe pa prezencën e tij ka arritur të fitojë me shifrat 4-2, ku vetëm penalltia e Balak, në minutat e fundit, i ka rritur më shumë shpresat e bavarezëve për t’u kualifikuar. Gjithçka mund të ndodhë, sepse djemtë e Magath janë në shtëpinë e tyre dhe këtë e dinë fare mirë të gjithë. Megjithatë, Bajerni ka rekuperuar lojtarët titullarë të skuadrës, që do të kërcënojnë së tepërmi prapavijën e Çelsit. Bavarezët do të mbrohen mirë, për të mos pësuar gola të tjerë, me synimin për të siguruar një fitore me rezultatin e pastër, 2-0. Dy zgjidhjet e para për sulmin bavarez, Roi Makai-Klaudio Pizarro, do të zbresin në formacionin titullar që do të përballet me miqtë londinezë në “Olimpia Stadion”. Po ashtu, edhe argjentinasi Martin Demikelis do të rikthehet në skuadër, pas periudhës së skualifikimit. Në këtë mënyrë, rikthimi në formacion i këtyre tre lojtarëve të rëndësishëm, do ta plotësojë skuadrën e Feliks Magath, me një besim më të madh. Optimizmi është mjaft i lartë, por ama edhe tensioni nuk ka për të munguar në fushën e blertë, pasi “uragani” i londinezëve në “Stemford Brixh”, duket se nuk iu është shqitur akoma nga fytyra, bavarezëve. “Ne e kemi treguar edhe më parë, lidhur me aftësitë tona për të rikthyer rezultatet e mëparshëm në favorin tonë, ka thënë Balak. Duke patur parasysh këtë eksperiencë, ne do të japim maksimumin për të rekuperuar rezultatin në 2-0”. Makai ka shënuar plot shtatë gola për këtë sezon dhe është rikthyer në formacionin titullar, pas tërheqjes muskulore të pësuar në takimin me Borusia M’Gladbah. Ndërsa, Pizarro, autori i dy golave në sfidën kundër Arsenalit, ka mbyllur me sukses fazën e rekuperimit nga dëmtimi. Ndërkohë, nga ana tjetër edhe pse pa prezencën e trajnerit portugez në pankinë, Çelsi ka zhvilluar një lojë të jashtëzakonshme në ndeshjen e kaluar. Pavarësisht nga barazimi i arritur gjatë fundjavës në Premier Ligë, në takimin kundër Birmingamit, blutë janë përgatitur maksimalisht për “duelin” me Bajernin e Mynihut. Kështu, Murinjo ka lënë pushim disa lojtarë titullarë, si Drogba, Makelele dhe Gudjonsen dhe në skuadër, besimi është në nivelet më të larta. Tashmë për të vendosur kualifikuesin e gjysmëfinales vlen vetëm sinjalizimi i gjyqtarit spanjoll, Mejuto Gonzalez.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›