E Diel, 1 Nëntor 2026

Magath: Besim te Bajerni

12/04/2005  Ndeshja e sotme në Ligën e Kampioneve, përballë Çelsit, do të jetë e 100-ta për Bajernin e Mynihut, të cilët shpresojnë të mos jetë e fundit për këtë sezon. Megjithëse me një dizavantazh prej rezultatit 4-2, të marrë në Londër, gjatë ndeshjes së parë, “gjigandët” e Mynihut do të kërkojnë të arrijnë me çdo kusht, çerekfinalen e parë prej katër vitesh, në këtë kompeticion. “Jam i bindur për skuadrën time. Neve nuk na duhet ta fitojmë ndeshjen e sotme që në 20 minutat e para, por ne duhet patjetër të shënojmë të parët. Nëse do të arrijmë këtë, kjo nuk do të thotë se do të tregohemi euforikë, por do të vazhdojmë të përqëndruar, duke shkatërruar të gjitha kundërsulmet e anglezëve” – shprehet trajneri bavarez, Feliks Magath, i cili beson në fuqinë e djemve të tij në “Olympiastadion”. “Në fushën tonë, ne jemi në gjendje të shënojmë edhe tre apo katër gola. Këtë e kemi vërtetuar më së miri ndaj Ajaksit apo Arsenalit, kështu edhe sot do t’i provojmë të gjitha mundësitë tona” – vazhdon më tej Magath. Ajo që e bën të jetë më tepër optimist teknikun bavarez, është rikthimi në skuadër i dy golashënuesve të tij, Roi Makait dhe Klaudio Pizarros, të cilët në ndeshjen e kaluar, nuk morën pjesë për shkak të dëmtimeve. Gjithashtu, në takimin e sotëm, Bajernit do t’i shtohet edhe një forcë tjetër në mbrojtje, Martin Demiçelis. “Ne e kemi sërish të kompletuar formacionin tonë. Kjo më bën më të gëzuar dhe më optimist” – thotë më tej Magath. Kurse kapiteni i skuadrës, Oliver Kahn, shikon si çelës të suksesit, përballjen e ashpër fizike me londinezët. “Ne duhet ta luftojmë Çelsin me armët e veta. Duhet të reagojmë me shumë agresivitet, duke prezantuar një luftë, trup me trup” – përfundon Oli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›