E Diel, 1 Nëntor 2026

Tedi Papavrami me “Dosjen e Kadaresë” në Francë

12/04/2005  Sigurisht pas tregut shqiptar, Kadare ka për zemër botën franceze. Publikimi më i bujshëm i vitit, libri “Një dosje për Kadarenë”, me autor Shaban Sinanin, së shpejti do të hyjë dhe në tregun francez.

Është muzikanti Tedi Papavrami, pinjolli i përkthimeve të Kadaresë, që po merret dhe me botimin e fundit, pjesës më delikate mbi shkrimtarin shqiptar.

Këtë e ka konfirmuar dje recensuesi i botimit, Naim Zoto, duke shtuar se libri është përfshirë në këtë vrull përkthimesh dhe në rumanisht, italisht dhe anglisht.

Përmes shtëpisë botuese “OMSC-1”, me një staf bashkëpunëtorësh e recensuesish si Luan M.Rama, Naim Zoto dhe redaktorësh si Loredan Bubani dhe Çerçiz Loloçi, të pasuruar dhe nga parathënia e ish-të burgosurit politik, ku theksohet i dënuar për poezi, Visar Zhitit, botimi “Një dosje për Kadarenë” grupon një sasi dokumentesh të dikurshme kundër letërsisë. Pra, bëhet fjalë për ato shkrimet e tinëzta, antishkrimet dhe kontrollin në diktaturë të letërsisë së Kadaresë. Ky debat rihapet nën konceptin e marrëdhënies midis artit dhe diktaturës, ndërsa për shkrimtarin po pritet dhe përgatitja e fazës së dytë të “dosjes”, ku siç është thënë, qoftë nga shkrimtarë, personalitete që kanë jetuar dy kohërat dhe nga vetë drejtori i Arkivave të Shtetit, Sinani, ka dhe pjesën më të errët dhe më të rëndë mbi Kadarenë.

Riardhja e këtyre dokumenteve mbi persekutimin e Kadaresë në botimin e Sinanit është pritur me mjaft bujë dhe nga shtypi evropian, sidomos në shtypin italian dhe grek. Ndërsa në paraqitjen që i ka bërë këtij botimi, Sinani ka theksuar se botimi nuk është i lidhur aspak me nxitjen e shkrimtarit, Kadaresë. Porse synimi i tij është të vendosë në qendër të opinionit të huaj një dosje më shumë në krah të vlerësimit të shkrimtarit. Në Durrës, kur është paraqitur libri, drejtori i Arkivave ka thënë se, dorëshkrimi është pritur ftohtë nga Kadareja, i cili nuk i ka kushtuar më shumë se 10 minuta vështrim sipërfaqësor.

Por autori i librit është shprehur se ky botim në Francë do të paraqitet në një version të ri, pasi do të kalojë dhe një dorë ripunimi. Vepra e prof.dr.Shaban Sinanit “Një dosje për Kadarenë”, e cila ka pasur reagime, madje, edhe polemika që para se të botohej, ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë, autori i është përkushtuar studimit për stilin e të shkruajturit të Kadaresë, ndërsa në pjesën e dytë botohen 40 dokumente, që dëshmojnë marrëdhëniet e shkrimtarit Ismail Kadare me politikën në kohën e regjimit komunist.

Shtypi italian “Corriere de La Sera”

Rihapet debati mbi marrëdhëniet midis artit dhe diktaturës

"Shokë, duhet të pengojmë që ky roman të publikohet". Jemi në vitin 1962. Anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste shqiptare kanë përpara një dorëshkrim të titulluar "Përbindëshi". Autori është një i ri 26-vjeçar,

Ismail Kadare, i cili më pas u bë një shkrimtar me famë botërore, aq sa është kandiduar shumë herë për çmimin Nobel. Por jeta e tij dhe karriera prej shkrimtari janë ndeshur me regjimin komunist, që e ka përndjekur dhe ka bojkotuar veprat e tij. Nga kjo shtypje, mbetën si dëshmi e një budallallëku të pabesueshëm, me mijëra kartela me kritika dhe vëzhgime, shpesh qesharake, të zyrtarëve të partisë. Janë dokumente të ruajtura në Arkivin e Shtetit Shqiptar. Kemi mundur t’i konsultojmë me vetë Kadarenë. "Ky libër, me titullin ‘Përbindëshi’ - arrijnë në unanimitet krerët e Komitetit Qendror - është i dëmshëm dhe mund të krijojë një realitet fals në mendjen e popullit". Ndalimi i botimit të tij është i detyrueshëm. Vetëm 25 vjet më vonë, më 1987-ën, kur Enver Hoxha vdes, romani fiton lirinë.

Kadareja kishte eksperimentuar me vështirësinë për një zë, i cili të shprehej lirshëm në një regjim totalitar. Ishte student i Institutit “Gorki” në Moskë dhe kishte shkruar romanin e tij të parë, "Qyteti pa drita". Librin e lexoi një mik i tij, i cili ia ktheu i terrorizuar. Ndërkohë arriti të publikojë një kapitull në gazetën “Zëri i Rinisë”, i cili u sekuestrua menjëherë. Libri nuk u botua kurrë. Nuk shkoi më mirë me një përmbledhje poezish. Poeti rus, David Samoilov, një disident, i cili përpiqej të mos e irritonte shumë regjimin, i tha: "Nëse do t’i publikosh, duhet të shkruaj një parathënie, në të cilën pohoj se je i dënueshëm, pasi je ekspozuar ndaj ndikimeve të Perëndimit".

Krerët komunistë shqiptarë mblidhen përsëri në vitin 1963, për të vlerësuar romanin, i cili i dha Kadaresë famën ndërkombëtare, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur". Vendimi nuk është inkurajues. "Një libër i trishtueshëm, i cili nuk e edukon popullin. Personazhet nuk janë heronj të revolucionit, madje, ka një prift, i cili përshkruhet si një burrë simpatik. Kjo është e patolerueshme. Një prift nuk mund të jetë simpatik dhe nuk mund t’i ndihmojë njerëzit, pasi sakrifica dhe altruizmi nuk i përkasin njerëzve të kishës".

Dorëshkrimi i kthehet autorit me shtesën që të "ndryshojë personazhin e priftit". Kadare bën ndonjë modifikim dhe këtë herë romani merr të drejtën për botim. Librat e tij janë pothujase gjithë trill, me metafora, që tregojnë vetminë dhe mungesën e lumturisë së njeriut në diktaturë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›