E Diel, 1 Nëntor 2026

Drini po i afrohet rrugës nacionale, të ngrihet argjinatura në Bërdicë

SHKODER – “Është nevojë urgjente ndërtimi i argjinaturave në zonën e Bërdicës. Lumi Drin është duke gërryer sipërfaqe të tëra të tokës bujqësore, madje në zona të caktuara po i afrohet dhe rrugës nacionale. Gjendja është alarmante”. Alarmi jepet nga krykomunari i Bërdicës, Besnik Brahimi. Sipas tij, është kërkuar që të vijnë grupet e punës dhe të shohin gjendjen në terren, të shohin se si banorëve të kësaj zone po u humbet toka. “Duhet të kemi të qartë se bëhet fjalë për një tokë që merret nga Drini, por që të zotët e saj e kanë pasur mjet jetese. Ka disa familje që gradualisht po mbesin pa tokë”, ka deklaruar numri një i komunës së Bërdicës. Ai ka shtuar se gërryerja e tokave nga lumi Drin ka ardhur prej vitesh, por tani situata është rënduar shumë. “Në kërkesat tona nuk kemi kërkuar mrekulli. Thjesht kemi kërkuar ndërtimin e argjinaturave. Janë kushedi sa fonde të shpenzuara për këtë qëllim, ndaj dhe kërkojmë që qeveria të përfshijë në projektet e saj edhe rikonstruksionin e argjinaturës së lumit Drin në territorin e komunës Bërdicë. Edhe Këshilli i komunës është angazhuar duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare që të ndërhyjë sa më parë”, ka pohuar Brahimi. Sipas tij, zona më alarmante ndodhet në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, tek vendi i njohur si “Harku i Bërdicës”, pasi aty lumi Drin për shkak të gërryerjeve po i afrohet rrugës nacionale. “Është nevojë urgjente tani që jemi në kohë dhe po del pranvera, kohë e mjaftueshme për të bërë projektet dhe për të ndërhyrë konkretisht me qëllim që të mos kujtohemi atëherë kur të fillojnë shirat dhe dëmi i madh të jetë bërë. Duhet të kujtojmë se pikërisht në këtë segment, “Harku i Bërdicës”, është zona që bllokon qytetin e Shkodrës me pjesën tjetër të vendit në çdo situatë përmbytjesh. Në këtë segment, niveli i ujit të lumit Drin të dalë në rrugë ka qenë shumë i lartë, duke bërë që rruga nacionale Shkodër-Lezhë të bllokohej”, deklaroi kryekomunari. Ai ka pohuar se situata i është bërë e ditur dhe Avokatit të Popullit.                              r.d

Përmbytjet në Bërdicë
Komuna e Bërdicës është ndër komunat më të dëmtuara nga përmbytjet në zonën e Shkodrës. Në përmbytjet e dhjetorit 2010 u evakuuan 835 familje me rreth 3600 banorë. Sipërfaqja e përmbytur ishte 1850 hektarë, rreth 50 shtëpi të përmbytura dhe 350 shtëpi të rrethuara nga uji. Në komunën e Bërdicës, vlera e dëmeve financiare arriti në 357 milionë lekë. Kjo komunë shtrihet përgjatë rrugës nacionale Tiranë-Shkodër dhe problemet e shkaktuara nga uji krijuan bllokim të qarkullimit të mjeteve si drejt kryeqytetit, ashtu dhe në brendësi të komunës së Bërdicës në Shkodër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›