E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, Gjykata e Apelit: Naum Disho të arrestohet

Kreu i OMONIA-s, Naum Disho

Naum Disho duhet të arrestohet, pasi urdhër-arresti i lëshuar ndaj tij me vendim gjykate është i vlefshëm. Çështja për kreun e OMONIA-s së Korçës është paraqitur edhe një herë pranë Gjykatës së Apelit në këtë qytet, e cila ka marrë në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga mbrojtja për shtyrjen me një afat 6-mujor të ekzekutimit të arrestit. Pasi kjo kërkesë i është rrëzuar mbrojtësit të Dishos në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit ka lënë në fuqi të njëjtin vendim, pra atë të formës së prerë që urdhëron arrestimin e Dishos. Apeli rrëzoi pretendimet e avokatit mbrojtës për shtyrjen e arrestimit të Dishos, duke lënë në fuqi dënimin “një vit burg” për kreun e OMONIA-s. Në seancën e zhvilluar pranë kësaj Gjykate kanë qenë prezent familjarë të Dishos, por edhe mbështetës të organizatës OMONIA, ndërkohë që vetë Disho vijon të mos paraqitet. I dënuari me një vit burg për veprën penale të “dhunimit të varreve” prej më se dy muajsh i ka shpëtuar Drejtësisë dhe nuk është bërë i mundur arrestimi i tij nga Policia e Korçës, ndërkohë që çështja ka sjellë reagime nga më të ndryshmet, përfshirë edhe ato në shtetin grek. Naum Disho u shpall fajtor për akuzën e dhunimit të varreve në bashkëpunim dhe më 10 janar 2012 u dënua me një vit heqje lirie me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit në Korçë. Aktualisht, çështja e Naum Dishos ndodhet në Gjykatën e Lartë, ku pritet të depozitohet dhe dosja e dytë me emrin e tij. E para ka lidhje me ankimimin mbi vendimin e dënimit me 1 vit burg, që kanë marrë dy gjykatat më të ulëta për Dishon. Pavarësisht mbrojtjes, kreu i OMONIA-s u quajt fajtor për dhunimin e varreve në Boboshticë, ndërsa dy punëtorët e akuzuar për ndërtim të paligjshëm u dënuan me kusht. Që nga momenti kur Gjykata e Faktit dënoi me burg Dishon, ai i është shmangur daljes në publik, pasi Policia e Korçës e ka shpallur person në kërkim. Dënimi i tij ka sjellë reagime të shumta politike dhe diplomatike. Në fillim të muajit  mars, Aleanca Kuq e Zi zhvilloi një protestë në Korçë, duke kërkuar dorëzimin e Naum Dishos dhe përballjen e tij me vendimin e drejtësisë.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›