Drita ia zdrit Besës
Drita ka vazhduar me paraqitje të mira edhe në xhiron e tetë të Superligës së Kosovës në futboll. Kandidati për titull të kampionit ka shkëlqyer të shtunën në Gjilan, ku e ka deklasuar Besën e Pejës duke e mposhtur me rezultat të thellë, 5:1. Florent Osmani ishte i papërmbajtshëm për pejanët, i cili ia doli t’i realizojë katër gola për ekipin kaltërebardh. Qysh në minutën e 12-të, Osmani me një gjuajtje fantastike e kaloi Dritën në avantazh prej 1:0. Me këtë rezultat edhe ka përfunduar pjesa e parë, derisa në periudhën e dytë vendasit i realizuan edhe katër gola të tjerë, derisa mysafirët ia dolën disi ta shënojnë golin e nderit. Në minutën e 48-të, Osmani shënoi për rezultat 2:0. Gjilanasit e shtuan avantazhin në 3:0 në minutën e 51-të me autogolin e Shpëtim Zharrës. Pesë minuta më vonë, Osmani sërish ia doli të realizojë për rezultat 4:0. Ndërsa, nëpërmjet Krenar Vokshit, Besa ia doli që në minutën e 62-të ta ngushtojë disavantazhin në 4:1. Kur të gjithë pritnin që ndeshja të përfundojë me këtë rezultat, në skenë sërish doli Florent Osmani, i cili e realizoi golin e katërt të tij në këtë takim, për rezultat përfundimtar, 5:1. Pas kësaj humbjeje, Besa mbetet sërish në pjesën e poshtme të renditjes tabelore, derisa Drita vazhdon ta ndjekë liderin Prishtina.
Liria – KEK-u -0:2
Paraqitjet e dobëta kanë bërë që Lira të bjerë në vendin e fundit të renditjes tabelore. Kjo pasi prizrenasit janë mposhtur edhe të shtunën në shtëpi të tyre me rezultat 0:2 nga KEK-u, i cili deri dje ishe i fundit në tabelë. Këtë fitore të madhe, ‘Elektricistëve’ ia siguruan golat të cilat i shënuan Florim Bërbatovci e Argjend Malaj. Tani, KEK-u pozicionohet në vendin e parafundit të tabelës së klasifikimit me shtatë pikë, një më shumë se Liria.
Drenica – Gjilani - 2:1
Më në fund, Drenica iu është rikthyer fitoreve. Kuqezinjtë të shtunën në Skenderaj e kanë mposhtur Gjilanin me rezultat 2:1. në fakt, gjilanasit pjesën parë e kishin përmbyllur në avantazh prej 0:1, por kuqezinjtë gjatë pjesës së dytë i riktheu në lojë goli i Artan Hajdarit. Kurse, fitoren Drenicës ia ka siguruar goli të cilin e ka shënuar Taulant Dajaku. Me këtë fitore, Drenica është ngjitur në mes të tabelës me 10 pikë, kurse Gjilani ka rënë në pjesën e poshtme me shtatë pikë, sa ka edhe Besa e KEK-u.