E Diel, 1 Nëntor 2026

Mensa falas dhe 40 familje të punësuara më 2009

Autori i Lajmit: red.
Stafi i Bashkisë së Tiranës vijoi dje takimet me komunitetin në kuadrin e hartimit të buxhetit për vitin 2009 “Thuaj fjalën tënde”, me qytetarët e Njësisë Bashkiake numër 3. Kjo nismë ka si qëllim të ndajë me banorët e kryeqytetit projektet strategjike dhe më të rëndësishme në zhvillimin e qytetit, deri tek ato më të voglat që janë në territorin e njësive. Gjatë fundvitit 2007-2008 Bashkia e Tiranës organizoi rreth 22 dëgjesa publike pas së cilave u morën dhe u shkëmbyem mjaft ide për prioritetet dhe projektet e qytetit. Një nismë e re që do të prezantohet në buxhetin e vitit 2009, është përfshirja në një program të vetëm, të fondeve sociale dhe ato të solidaritetit. Programi do të trajtojë disbalancat në statusin shoqëror dhe social të kategorive në risk të komunitetit, duke rritur ndjeshmërinë e gjithsecilit për të kontribuar në mënyrë direkte dhe indirekte në adresimin e problemeve për këto kategori. Kryebashkiaku Edi Rama, pasi falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e tyre gjatë këtij procesi për hartimin e “Buxhetit me pjesëmarrje”, tha se gjëja që donte të theksonte, ishte ngritja e një fondi social të solidaritetit, i cili do të nxisë krijimin e qendrave të reja sociale, nëpërmjet rehabilitimit dhe financimit të shërbimit me të tretët. Kjo, sipas tij, do të realizohej me fondin e komunitetit, ku “të gjithë grupet apo individët, banorë të kryeqytetit, do të mund të trokasin dhe do të mund të aplikojnë, duke vënë në dispozicion përkushtimin e tyre qytetar dhe nga ana tjetër, me fondin social të solidaritetit”. Rama theksoi se qëllimi është që “ne t u vijmë edhe më shumë në ndihmë njerëzve në nevojë dhe t u qëndrojmë edhe më pranë sidomos fëmijëve në nevojë”. Gjatë vitit 2009, do të funksionojnë 8 qendra sociale: Qendra komunitare multidisiplinare për fëmijët dhe familjen, e cila trajton 30 raste me papërshtatshmëri sociale/ditë, (vendndodhja - Njësia Bashkiake Nr. 9); Qendra komunitare “Të qëndrojmë së bashku”, e cila ofron shërbime sociale ditore, për personat me aftësi të kufizuar, rreth 50 fëmijë në ditë, (vendndodhja - Njësia Bashkiake Nr. 6); Qendra komunitare ditore për moshën e tretë e cila ofron shërbime përkujdesi për rreth 50 të moshuar në ditë, (vendndodhja - Njësia Bashkiake Nr.10); Menca sociale, e cila ofron një vakt falas për 100 persona të kategorive të ndryshme sociale (të moshuar, fëmijë të rrugës, persona me aftësi të kufizuar, gra me probleme sociale) (vendndodhja - Njësia Bashkiake nr. 6); Qendra burimore komunitare për Toksiko - dipendencën dhe HIV-AIDS, do të ofrojë asistencë, këshillim dhe referim, për të gjithë rrjetin e shërbimeve sociale që lidhen me këtë problematikë, për këtë grup në risk. (vendndodhja Njësia Bashkiake Nr. 5). Ndërkohë projekte të tjera në ndihmë të familjeve të varfëra do të kenë të bëjnë me “Bonusin e qirave” për të pastrehët dhe familjet në vështirësi ekonomike. Pilotimi i skemës së re të ndihmës ekonomike, të shoqëruar me punë në komunitet, në Njësinë Bashkiake Nr.3, nga ku po përfitojnë 40 familje. Për Njësinë Bashkiake nr 3, gjatë vitit 2009 është parashikuar ndërtimi i pesë këndeve sportive “Dua të luaj”, me minifusha basketbolli, kënde sportive apo ambiente çlodhëse. Bashkia e Tiranës kërkon kontributin e qytetarëve në nismën për identifikimin e hapësirave publike mes pallateve, me qëllim shtimin e tyre deri në numrin e premtuar 100, në fund të mandatit. Është parashikuar gjithashtu: Projektimi për Rikualifikimin Urban në Bllokun Nr.56, (kufizuar nga bulevardi “Zhan d Ark” dhe vazhdimi i tij, rruga “Arkitekt Sinani” dhe rruga “Hoxha Tahsim”); Rikualifikimi i rrjetit rrugor; Sistemin e furnizimit me ujë dhe të kanalizimit; Ndriçimin rrugor; Gjelbërimin dhe mobilimin urban; Sistemim - asfaltim për rrugët dhe ndërhyrjet e identifikuara nga komuniteti, të cilat do të përfshihen në Programin “Fondi i Komunitetit”; Rikonstruksionin e pjesshëm të shkollës së mesme “Çajupi”; Rikonstruksionin e pjesshëm të shkollave 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjës” dhe “Xhezmi Delli”; Rikonstruksionin e Kopshtit Nr.22 (rruga ”Kongresi i Manastirit”); Rikonstruksioni i palestrës në shkollën 9-vjeçare “Nikel Dardani”.
Ky lajm është publikuar: 31/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›