E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendra Ekonomike për Zhvillimin e Fëmijëve

Autori i Lajmit: Denisa Kona
Intervista

Vite më parë çerdhet kanë qenë në komptetencë të Ministrisë së Shëndetësisë, por gjatë kohës kur ato i kaluan bashkisë, shumë prej tyre “firuan”. Ministria e Shëndetësisë në vitet e tranzicionit kishte ndryshuar destinacionin e një numri çerdhesh dhe sot ato funksionojnë si qendra shëndetësore, si dentist apo klinika private. Ndërkohë, kanë mbetur ende dy çerdhe të cilat nuk janë zënë nga aktivitete private dhe siç mësojmë nga nëndrejtoresha e qendrës ekonomike të çerdheve, bashkia po bëhet gati për t i marrë dhe për t i futur në funksion, por nuk mund të bëjë më asgjë për ish-godinat- çerdhe, që tashmë kanë destinacione të tjera. Më tej, në një intervistë për “Ballkan”, nëndrejtoresha Lumturi Xhezo tregon gjendjen e çerdheve, frekuentimin e tyre, projektet për rikonstruksion dhe zgjerim të hapësirave etj.
-Sa çerdhe ka gjithsej Tirana, sa prej tyre janë të rikonstruktuara dhe sa presin të rikonstruktohen?
Tirana ka 29 çerdhe, prej të cilave 2 janë në rikonstruksion, tri kanë përfunduar së rikonstruktuari dhe pritet të fillojë edhe rikonstruksioni i një çerdheje tjetër. Kurse të tjerat e kanë kaluar rikonstruksionin vite më përpara, por me kalimin e kohës kanë nevojë të meremetohen si dhe të rriten hapësirat. Në një projekt të vitit të ardhshëm është menduar të rriten hapësirat në një numër çerdhesh, duke i përfshirë në rikonstruksion.
-Sa është numri i fëmijëve që shkojnë në çerdhe dhe sa arrijnë çerdhet e shtetit të plotësojnë kërkesat e prindërve për rregjistrime?
Nga rregjistrimet, janë 2100 fëmijë që frekuentojnë çerdhet e kryeqytetit por kërkesat për rregjistrime kuptohet që janë më të mëdha. Një arsye është se çdo edukatore në çerdhe mund të përkujdeset deri për 7 fëmijë, kur në grupet e kopshteve mbajnë nga 25-25 fëmijë. Për këtë arsye, çerdhet nuk mund të mbingarkohen tej kapaciteteve, pasi shërbimi për këto grupmosha është më i vështirë.
-Për sa çerdhe ka nevojë Tirana për të plotësuar kërkesat?
Nuk mund të themi se sa çerdhe duhen për të plotësuar kërkesat e kryeqytetit, por aty ku janë krijuar poliqendrat në Tiranë (komplekset e reja të banimit), janë parashikuar edhe hapësirat për çerdhe, kopshte etj. që në planet urbanistike.
-Në çfarë moshe pranohen fëmijët në çerdhe?
Ne i pranojmë nga 6 muaj deri në 3 vjeç, por kuptohet se ka toleranca rreth moshës 3 vjeç dhe, kur mbarojnë çerdhen, fëmijët mund të jenë edhe pak më shumë se 3.5 vjeç. Por në rast se ai e ka mbushur moshën 3 vjeç në fillim të shtatorit, ne e adresojmë në kopsht.
-Pajisjet e kopshteve me shtretër, batanije, lodra etj janë bërë vetëm nga fondi i bashkisë apo edhe me fonde prindërish?
Të tëra kopshtet pajisen me fondet e bashkisë. Kontribute në para nga prindërit nuk pranohen.
-Por kemi konstatuar që ndodh edhe ndryshe…
Ne kemi një strukturë të ngritur në qendrën e çerdheve pranë së cilës është ngritur bordi i prindërve i cili administron donacionet. Por bëhet fjalë vetëm për dhurata jo në para.
-Si është furnizimi me lodra i çerdheve? A janë të mirëpajisura dhe në përshtatje me nevojat moshore për zhvillim të çdo grupmoshe?
Furnizimi me lodra i çerdheve është i përshtatshëm. Pranë qendrës sonë funksionon një sektor edukimi që përbëhet nga psikologë, pediatër e punonjës socialë që menaxhojnë procesin e mirërritjes, që do të thotë, fëmijët të kenë lodra të përshtatshme, programe të përshtatshme edukimi, që prindërit të mbështeten për mirëedukimin dhe edukatoret të trajnohen për të nxitur formimin e drejtë të personalitetit të fëmijëve.
-Pyetja jonë ishe më konkrete: A janë të furnizuara siç duhet me lodra të gjitha çerdhet dhe me lodrat që i argëtojnë dhe zhvillojnë në kohën e duhur?
Po, çerdhet janë të mirëfurnizuara me lodra, por megjithatë, lodrat edhe konsumohen…
-Si janë të pajisura kuzhinat e çerdheve? A kanë gjithçka që u duhet?
Të gjitha çerdhet janë pajisur nga bashkia me soba dhe frigoriferë dhe të gjitha enët e kuzhinës. Kuzhina është e para në pajisje, pasi aty përgatitet ushqimi i fëmijëve dhe duhet që siguria të jetë më e madhe.

Ky lajm është publikuar: 29/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›