Drita vazhdon të ndriçojë
_277029.jpg)
Drita vazhdon ta mbajë primatin në Superligë. Gjilanasit kanë arritur ta nxjerrin një pikë në Mitrovicë përballë Trepçës ’89 në derbin e xhiros së katërmbëdhjetë të zhvilluar të mërkurën, i cili ka përfunduar pa gola.
Gjatë pjesës së parë forcat e ekipeve në fushë ishin afërisht të barabarta. Të dyja palët aplikuan lojë të hapur, kryesisht në mesin e fushës, por nuk krijuan raste të mira shënimi. Ndërsa, gjatë pjesës së dytë, mitrovicasit kanë dominuar plotësisht, duke e kërkuar me ngulm golin e fitores, por sulmeve të tyre me mençuri u kundërvihej mbrojtja e Dritës, e cila vetëm nëpërmjet kundërsulmeve të rralla përpiqej të shënonte.
Rastin më të mirë për ta kaluar në avantazh skuadrën e Gani Sejdiut e ka lëshuar Ibrahim Peci në minutën e 47-të, kur me një gjuajtje qëlloi shtyllën. Vendasit i kanë krijuar edhe disa raste tjera të mira shënimi, disa prej të cilave me mjaft mund i ka ndalur portieri gjilanas Latifi. Kështu Dritës i ka mjaftuar një pikë për ta ruajtur kreun në renditjen tabelore me 29 pikë, sa ka edhe Prishtina në vendin e dytë. Ndërsa Trepça ’89 shkaku i këtij barazimi ka rënë në vendin e katërt me 24 pikë.
Drenica – Vëllaznimi 1:2
Vëllaznimi i është rikthyer fitoreve. Gjakovarët i kanë fituar tri pikë shumë të rëndësishme në luftën e tyre për titull të kampionit, pasi në Skenderaj e kanë mposhtur Drenicën me rezultat të ngushtë, 1:2. Hero i Vëllaznimit në këtë takim ishte Agron Skeraj, realizuesi i të dy golave. Sulmuesi prizrenas e ka kaluar ekipin e tij në avantazh prej 0:1 në minutën e 20-të. Mirëpo, kuqezinjtë mbetën me një futbollist më pak në fushë në minutën e 55-të, kur Liridon Lekaj u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Këtë e ka shfrytëzuar Drenica, e cila ia doli t’i barazojë shifrat në 1:1 në minutën e 84-të me golin e Taulant Dajakut nga penaltia. Kurë të gjithë prisnin se takimi do të përfundonte pa fitues, Skeraj në minutat shtesë e shënoi golin e dytë dhe të fitores për gjakovarët, të cilët tani gjenden në vendin e tretë në tabelë me 26 pikë, tri më pak sesa kryesuesi Drita dhe Prishtina që është e dyta. Kurse drenicasit mbeten në pjesën e poshtme të tabelës në kuotën e 13 pikëve.
Gjilani – Besa 2:1
Gjilani të mërkurën e ka zhvilluar ndoshta ndeshjen më të mirë në këtë sezon. Skuadra e Muharrem Sahitit më në fund shënoi fitore, edhe atë përballë Besës në formë, të cilën e mundi me rezultat 2:1. Më meritori në këtë fitore të Gjilanit ishte sulmuesi Ismet Ramushi, i cili njërin gol e shënoi në minutën e 10-të, kurse golin e dytë sulmuesi gjilanas e realizoi në minutën e 65-të. Golin e vetëm për pejanët e ka shënuar Egzon Gashi.
KEK-u – Trepça 1:2
Trepça ka shënuar fitore të rëndësishme si mysafire e KEK-ut me rezultat 1:2. Vendasit kanë kaluar të parët në avantazh prej 1:0 nëpërmjet Florent Bërbatovcit, goli i të cilit u kontestua nga mitrovicasit. Mirëpo, Trepçës rikthimin në lojë, madje edhe fitoren, ia siguroi sulmuesi i saj në formë Berat Hyseni, i cili realizoi dy herë. Golin e parë sulmuesi prishtinas e shënoi në minutën e 37-të, kurse të dytin e realizoi në minutën e 80-të, për rezultat përfundimtar, 1:2.
Tabela ND GD PI
1. Drita 14 12 29
2. Prishtina 14 11 29
3. Vëllaznimi 14 4 26
4. Trepça ’89 14 5 24
5. Hysi 13 7 21
6. Besa 14 -1 18
7. Trepça 14 -1 18
8. Lepenci 14 -4 16
9. Gjilani 14 -8 14
10. Drenica 14 -5 13
11. Liria 13 -10 11
12. KEK-u 14 -10 10
Ndeshja e fundit e xhiros së 14-të e Superligës mes Lirisë e Hysit zhvillohet të enjten në Prizren prej orës 13:00