E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qemal Stafa” bashkon Blushin me Ramën

• Tryeza e Fondacionit “Qemal Stafa” për çështjet e NATO-s, veçanërisht pas marrjes së ftesës, kanë bashkuar ish-kryetarin e grupit parlamentar socialist, Ben Blushi dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama, marrëdhëniet

e të cilëve kohët e fundit nuk janë më të mirat. Ishte një tentativë e drejtorit ekzekutiv të fondacionit, Sajmir Tahiri, i cili vendosi në krye të panelit dy politikanët me peshë sot në PS, njëri në drejtim dhe tjetri në tërheqje, i cili i ka kanalizuar energjitë kohët e fundit në letërsi, duke nxjerrë dhe librin e tij të parë. Por, ndërsa deklaratat e Ramës gjatë kësaj tryeze ishin të përgjithshme, që kishin lidhje me pozicionin e PS-së në procesin e reformave, Blushi vuri theksin në dallimin mes të djathtëve dhe të majtëve në realizimin e reformave. Rama shprehu vendosmërinë e PS-së “për të luajtur një rol përcaktues dhe të patjetërsueshëm për të gjitha ato reforma që i duhen vendit për të ngritur një shtet funksional dhe për të patur një demokraci funksionale”. Sipas tij, “këto janë reforma që kërkojnë konsensuse të gjera, për të cilat ne jemi të gatshëm pa asnjë kompleks dhe pa asnjë tundim, sepse politika e vjetër e së shkuarës ka bërë që kjo ftesë të vonojë 16 vjet, ndërkohë që Shqipëria hapin e parë e bëri në vitin 1992”. Nga ana e tij, Ben Blushi, duke folur për efektet pas ftesës dhe anëtarësimit në NATO, tha se qenia në Aleancë zgjeron hapësirat për liri, siguri dhe mirëqenie. Por Blushi tha se reformat nuk janë të mjaftueshme vetëm me ato që artikulohen sot nga politika. “Besoj se ka nevojë për një menu më të madhe reformash, e cila mund të garantojë më shumë mirëqenie, më shumë progres ekonomik, më shumë standarde për jetën, një menu reformash që e nxjerr vendin nga varfëria, e cila ul ritmet e shfrenuara të korrupsionit të dy viteve të fundit, e cila konsolidon administratën publike, që mbetet pika më e dobët dhe kundërshtari më i madh i reformave në Shqipëri”, tha Blushi. Sipas tij, “janë një sërë reformash në të cilat, pavarësisht se ne kemi marrë ftesën për në NATO, pavarësisht se mund të japim konsensus kur reformat kanë sens, janë reforma që në mënyrë të pakthyeshme ndajnë opozitë me shumicën, ndajnë në fund të fundit të majtën me të djathtën”. Nga ana e tij, drejtori ekzekutiv i “Qemal Stafës”, Sajmir Tahiri, tha se “festa për ne ka mbaruar që ditën kur morëm ftesën, dhe tani është koha për t’u kthyer te qytetarët dhe problemet e tyre, është koha për të filluar menjëherë e pa humbur kohë me reformat që të gjithë qytetarët presin”.                  a.l.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›