E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, mes dëmtimeve e rezervave ndaj Maltës

 

Jetmir Halilaj

“Për Shqipërinë fitoret nuk janë asnjëherë të lehta, prandaj kundër Maltës duhet të bëjmë maksimumin, nëse duam tri pikët”. Fjala e kapitenit Altin Lala. Ai, më mirë se kushdo tjetër, e ka të qartë se edhe skuadrat e vogla janë problem për kuqezinjtë. Malta, kundërshtari i radhës i përfaqësueses sonë, cilësohet si rivali më i dobët (të paktën në letër), por edhe skuadra shqiptare nuk është në formën e saj më të mirë, përkundrazi, pjesa dërrmuese e lojtarëve janë jashtë formës së tyre. “Kemi edhe një muaj e gjysmë kohë para ndeshjes me Maltën dhe jam i bindur se deri atëherë, të gjithë lojtarët do të jenë në formë të mirë”, deklaroi me doza optimizmi Ari Han gjatë vizitës së fundit të tij në Tiranë pak ditë para se të mbyllej viti 2008. Në fakt, gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç shpresonte tekniku dhe tifozët e Kombëtares. Një pjesë e lojtarëve kyç vijnë pas dëmtimeve, ndërsa disa prej tyre, po kaq të rëndësishëm në organikën e kuqezinjve, gjatë fazës së parë, nuk kanë lënë thuajse asnjë gjurmë. Padyshim, në qendër të vëmendjes mbetet reparti i sulmit. Për Bogdanin, Kapllanin, Salihin dhe Berishën, faza e parë nuk ka qenë aspak pozitive, ndonëse midis tyre ka nga ata që e kanë nisur mirë sezonin (Hamdi Salihi dhe Arjan Beqaj), por më pas, janë ndalur për shkak të problemeve fizike.
Ari Han, i shqetësuar
Trajneri ka vendosur të vijë në Tiranë një javë para ndeshjes me Maltën. Ai do të shohë nga afër gjendjen e disa futbollistëve të kampionatit shqiptar dhe kërkon të informohet deri në detaje për ecurinë e tyre. Ndërkohë, burime pranë Federatës dhe stafit kuqezi, bëjnë të ditur se tekniku holandez po “monitoron” me laps në dorë ecurinë dhe paraqitjet e disa prej legjionarëve që luajnë jashtë. Tekniku po projekton të grumbullojë lojtarët më në formë, ata që deri tani kanë pasur një ecuri konstante në skuadrat e tyre, por nuk i dalin llogaritë, sepse me përjashtim të Duros, Skelës, Agollit dhe Hidit, pjesa tjetër e skuadrës nuk po kalon ditët më të mira.
Dëmtimet
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala, ka shumë gjasa që të mungojë kundër Maltës, ndonëse teorikisht, ka ende shanse që ai të rikthehet në fushë para datës 11 shkurt. Shkatërruesi që luan te Hanoveri iu nënshtrua një operacioni në shpinë për shkak të një hernie diskale dhe tani është në fazë rikuperimi. Vetë lojtari ka pohuar se është e vështirë të luajë në atë ndeshje. Arjan Beqaj, portieri kuqezi është gjithashtu, në fazë rikuperimi. Ai e nisi shkëlqyeshëm këtë sezon, duke bërë paraqitje shumë të mirë, por një dëmtim i dyfishtë (në shpatull dhe në gju) në fund të muajit tetor, e detyroi të qëndrojë jashtë. Edhe ai është në fazë rikuperimi, ndonëse ka shumë më tepër shanse se Lala për të qenë në fushë më 11 shkurt. Hamdi Salihi, e nisi fuqishëm sezonin, duke shënuar katër gola në kampionatin austriak, në shtatë javët e para, por një problem në kavilje, jo vetëm që e detyroi të mos luante rregullisht te Riedi, por e privoi edhe në Kombëtare në ndeshjet kundër Hungarisë dhe Portugalisë. Jahmir Hyka, mesfushori i talentuar i përfaqësueses, ka luajtur shumë pak te Mainci dhe përveç kësaj, shpeshherë është përballur edhe me probleme fizike të bezdisshme, ndonëse jo të rënda. Lorik Cana gjithashtu, ka pësuar një dëmtim pasi është kthyer nga pushimet dimërore. Ai do t’i mungojë Marsejës edhe dhjetë ditë të tjera, por nuk rrezikon që të mungojë ndaj Maltës. Edhe ish-sulmuesi i Partizanit, Elis Bakaj, pati probleme fizike gjatë fazës së parë, por u rikthye dhe tani gëzon një formë të mirë.
Ata që s’luajnë
Janë shumë. Bogdani është aktivizuar shumë pak te Kievo. Kapllani nuk ka luajtur rregullisht te Karlsruhe. Vangjelit i është dashur të qëndrojë në stol në pjesën më të madhe të kohës tek Arisi. Besart Berisha e nisi me një dygolësh te Rozenborgu, por më pas edhe ai u abonua me stolin. Hyka ka luajtur fare pak te Mainci, madje disa ditë më parë u përfol për një largim të mundshëm të tijin në formë huazimi, për shkak se nuk gjente hapësira.

Më 11 shkurt synojmë vendin e parë
Më 11 shkurt përfaqësuesja shqiptare do të ndeshet kundër Maltës dhe nëse arrin të marrë tri pikët në këtë transfertë, do të ketë mundësi që të ngjitet në krye të Grupit 1. Shqipëria renditet në vendin e katërt me pesë pikë (aq sa edhe Portugalia e vendit të tretë) me dy pikë më pak se Danimarka dhe Hungaria e vendit të parë. Në këtë datë nuk luan asnjë nga ekipet e tjera të Grupit 1 dhe nëse kuqezinjtë do të mund të fitojnë, deri në fund të muajit mars, do ta kryesojnë vendin e parë. Shqiptarët mund të vazhdojnë të ëndërrojnë për t’u kualifikuar në Botërorin e ardhshëm “Afrika e Jugut 2010”, vetëm nëse skuadra jonë përfaqësuese do të arrijë ta fitojë ndeshjen e radhës, që në letër, cilësohet si një nga takimet ku kuqezinjtë duhet të marrin patjetër tri pikët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›