E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritani bie në provën e parë. Aventurë e shkurtër për Anin

Me të papritura dhe surpriza të shumta ka qenë i mbushur spektakli i madh i së shtunës. Ndryshe nga çdo javë tjetër, natën e mbrëmshme banorët kanë përjetuar emocione të forta. Nga shtëpia e "Big Brother" nuk ka dalë një, por dy konkurrentë. I pari, me televotimin që ka qenë i hapur gjatë gjithë javës, është larguar Dritani. Eliminimi i dytë është zhvilluar ndryshe. Moza, e shpëtuara nga 5 të nominuarit e javës, ka zgjedhur Adin si të shpëtuarin e dytë dhe përzgjedhja ka vazhduar zinxhir. Në fund, kanë mbetur katër të rinjtë në nominim: Ani, Ari, Juna dhe Eltoni. Publiku ka zgjedhur që shtëpinë e madhe të "Big Brother" ta lërë Ani.

Arjoni dhe Anjeza: E pëlqejmë njëri-tjetrin

Gjatë gjithë javës ata janë parë shumë afër me njëri-tjetrin. Madje kanë shkëmbyer edhe një puthje. Publiku është munduar të kuptojë nëse një histori dashurie po lind brenda shtëpisë. Në një lidhje me shtëpinë gjatë spektaklit, Arbana ka pyetur Arjonin dhe Anjezën nëse gjërat kishin ndryshuar mes tyre. Arjoni ka theksuar se ndjen të njëjtën gjë që ka shprehur të shtunën e shkuar, me ndryshimin e vetëm se ka pasur edhe një puthje. Anjeza, nga ana e saj, ka pranuar se e pëlqen Arjonin dhe ndihet mirë.

Ani rrëfen për dashurinë

Gjatë javës Ani ka rrëfyer dashurinë e tij për një vajzë. Në bisedat me Eltonin, ai është shprehur se e ndien mungesën e vajzës 17-vjeçare, me të cilën as ka folur dhe as nuk është takuar që prej 25 dhjetorit, ditëlindjes së tyre. Për këtë arsye, "Vëllai i Madh" kishte vendosur t‘i bënte një surprizë të bukur. Në dhomën e rrëfimit, Ani ka gjetur një album bosh, të cilin ai ia ka dhuruar më parë të dashurës së tij. Më pas, ka dëgjuar në audio përshëndetjet e së dashurës, e cila i ka thënë se do që albumin ta mbushë me foto të tij aty brenda dhe e pret jashtë.

Fotot artistike

Një nga momentet gazmore të spektaklit të madh të së shtunës kanë qenë edhe fotografitë artistike të realizuara brenda shtëpisë. Publiku, njëkohësisht dhe banorët, kanë parë disa prej tyre, duke i komentuar jo rrallë me të qeshura.

Adela dhe Bjordi

Një tjetër histori që ka shkaktuar diskutime të shumta është ajo mes Bjordit dhe Adelës. Gjatë kësaj kohe ka pasur momente të shumta afrimi, mërzitjesh, por edhe të bukura mes tyre. "Vëllai i Madh" u kishte bërë një surprizë të dyve. Në dhomën e rrëfimit, ata kanë parë së bashku një klip me momentet më të bukura që kanë kaluar gjatë këtyre javëve.

Surpriza për Qetsorin

Pas 10 javësh qëndrimi në shtëpinë e famshme të "Big Brother", një surprizë ka ardhur edhe për Qetsorin. Gjatë kësaj kohe ai ka folur vazhdimisht për familjen e tij e sidomos për shtatzëninë e bashkëshortes së tij. Arbana e fton Qetsorin të ndjekë një klip, në të cilin shihet bashkëshortja e tij, Liljana, duke bërë vizitën e shtatzënisë në klinikë. Gjatë kipit ajo i tregon se bebja që presin është një vajzë. Më pas i kërkohet Qetsorit që të ndjekë tingujt e audios dhe të gjejë nga vijnë ato. Shkon në akuarium, ku gjen Liljanën. Momente emocionuese për të dy, të cilat brenda shtëpisë marrin edhe më shumë vlerë.

Supermarket në shtëpi

Edhe këtë javë banorët nuk e kanë kaluar provën. Kjo do të thotë më pak buxhet dhe mundësi për të blerë ushqime. Kjo i mërziti pak banorët, por lajmi i mirë vjen më pas. "Vëllai i Madh" u ka sjellë në oborr supermarketin "Euromax", ku për dy minuta banorët morën dhe futën në shtëpi gjithçka mundën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›