E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranvera, sa shumë lule dhe gjumë!

Është pranverë, dita fillon të zgjatet, ngrohtësia të nxit të dalësh dhe të jesh më aktiv. Por shpesh, së bashku me dëshirën për të shijuar gjithçka, ndiejmë lodhje dhe jemi të nervozuar. Për të kuptuar më mirë se çfarë ndodh dhe pse, i jemi drejtuar një alergologeje.

Doktoreshë, në pranverë njerëzit ndihen më të lodhur dhe ndonjëherë të nervozuar. Pse ndodh kjo?

Sepse vijnë nga një dimër i gjatë, gjatë të cilit kanë konsumuar shumë karbohidrate të pasura me glutinë (prodhime furre, brumëra), yndyra, sheqerna të thjeshta, si dhe produkte të fabrikuara. Pasojat janë: tepricë myku në trup, sistemi limfatik i ngadalësuar, zorrë të bllokuara. Këtyre, në pjesën më të madhe të rasteve, u shtohet edhe stresi i madh i punës, pagjumësia, oksigjenimi i pamjaftueshëm i organeve dhe indeve për shkak të mungesës së aktivitetit fizik. Pranvera, periudha e transformimit dhe ndryshimit të natyrës, është stina gjatë së cilës mëlçia pastrohet nga toksinat e dimrit, të cilat vijnë nga stomaku, pankreasi, shpretka, zorrët dhe zorra e trashë. Kështu, mëlçia e ndjen mosfunksionimin e mirë të këtyre organeve.

Ju do të pyesni pse jemi nervozë? Nga pikëpamja evolutive, në energjetikën kineze pranvera krahasohet me adoleshencën. Gjendja emocionale është reaktiviteti, zemërimi. Zhurma është "bërtitja".

Çfarë mund të bëjmë për t‘u ndier më mirë?

Për t‘u ndier më mirë duhet:

- Të ushqeheni në mënyrë të rregullt, duke e përtypur ushqimin për një kohë të gjatë, për të asimiluar energjinë që na "dhurojnë" ushqimet e paziera, të gjalla, me ngjyra si sythet, frutat, zarzavatet, drithërat. Ushqimet e pasura me provitaminë A (beta-caroten), magnez, zink, selen, vitaminë C, E, vitamina të grupit B që riekuilibrojnë sistemin nervor.

- Të ekspozoheni në diell. Drita e diellit është një antidepresiv i fuqishëm. Në Evropën veriore njerëzit depresivë kurohen me llamba që riprodhojnë spektrin e dritës së diellit.

- Të pushoni në mënyrë të shëndetshme, duke respektuar kronobiologjinë hormonale: darkën brenda orës 20:00, në mënyrë që organizmi të kryejë proceset e tretjes.

- Të kryeni aktivitet fizik, për shembull aerobi, vrap të rregullt tri herë në javë nga një orë, ose 40 minuta çdo ditë. Kjo i rrit dhe i bën më të ndjeshëm receptorët e insulinës, duke na dhuruar humor të mirë, si antidepresivët (por pa efektet e tyre anësore).

- Të praktikoni çdo ditë meditimin, ose të paktën frymëmarrjen e thellë diafragmatike - meditimi i rregullt rrit optimizmin, përqendrimin, përmirëson kujtesën, rregullon funksionimin e sistemit nervor simpatik dhe parasimpatik (agresivitetin/lodhjen).

Cilat ilaçe mund të këshillohen në këtë rast?

Ilaçet ndahen sipas organizmit të individit.

Për pastrim: angjinare, luleradhiqe, vaj me esencë limoni, carangth, rrodhe, fier toke, mështekna, aloe, dëllinjë, rozmarinë.

Për lodhjen: xinxife, çaj kamomili, barbarozë, mana, qetësues për gjumë.

Për nervozizmin dhe lodhjen: magnez, vitamina të grupit B, sidomos B6-ën që bashkëvepron me magnezin, aminoacid L-taurina, kremra për masazh, triptofan dhe disa lule deti, për shembull lule Ashe për të mposhtur zemërimin dhe xhelozinë, gjethe ahu për të kaluar dëshpërimin, zambak për impulsivitetin dhe inatin, shelg për të kapërcyer keqardhjen ndaj vetes dhe fajësimin e vazhdueshëm të atyre që na rrethojnë, lule arre për kalimin nga dimri në pranverë, shkozë për mungesën e entuziazmit që ju nevojitet për t‘iu përkushtuar punëve tuaja, lule ulliri për lodhjen fizike, lule vidhi për ata që për mungesë të energjisë ndihen skllevër nga pesha e detyrimeve të punës, lule dele për ata që kanë luhatje të humorit. Dhe së fundmi lule molle për ata që ndiejnë se kanë nevojë për çlodhje fizike dhe psikologjike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›