E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritat, Tirana dy orë në errësirë

 

Fabiola Çela

Për dy javë disa qytete të vendit do të përballen me mungesën e energjisë elektrike. Shkak për ndërprerjet e energjisë janë defektet në linjat e transmetimit të energjisë, të cilat janë shkaktuar nga moti i keq që ka përfshirë vendin. Kështu është shprehur dje në një deklaratë për mediat kreu i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Ymer Balla.
Ndërprerjet
Linja e transmetimit të energjisë 220 kV, Vau i Dejës-Lezhë, është e vetmja që ende nuk është riparuar, pas dëmtimit që pësoi ditët e fundit nga moti i keq. "Brigadat e riparimit të avarive të OST-së janë në terren dhe po punojnë për vënien në punë sa më shpejt të linjës Vau i Dejës-Lezhë, ku janë tetë shtylla të dëmtuara", tha Balla. Në deklaratën e tij për media, Balla sqaroi se defekti në këtë linjë është i rëndë dhe për riparimin nevojiten deri në dy javë, që ajo të rivihet në gjendje pune. Si pasojë e këtij defekti, në disa qytete ka patur kufizime të energjisë. "Nga mosfunksionimi i linjës, pasojat u reflektuan gjatë mbrëmjes së djeshme, nga qyteti i Tiranës, Laçit dhe deri në Lezhë. Meqenëse linja e Shkodrës është stakuar, e gjithë zona veriore furnizohet nga nënstacioni 220 kV i Tiranës. Për këtë arsye mbrëmjen e djeshme ka pasur mbingarkesë në nënstacionin e Tiranës dhe jemi detyruar të bëjmë kufizime të vogla në furnizimin me energji në kryeqytet, Laç dhe Lezhë" u shpreh Balla. Në një situatë të tillë, OST po bashkëpunon me OSSH-ë që kufizimet të jenë të alternuara, në mënyrë që konsumatorët mos të kenë shumë ndërprerje të energjisë elektrike. Konkretisht, sipas Ballës, janë porositur grupet e drejtimit që të mos bëjnë manovrim me skemën, në mënyrë që hidrocentrali i Shkopetit të furnizojë me energji Veriun, çka do të bëjë që kufizimet e energjisë në Tiranë të jenë mjaft të vogla. "Nëse kjo nuk arrihet, kufizimet në kryeqytet do të jenë shumë të vogla, kryesisht në orët e pikut 18:00-20:00. Duke i alternuar në të gjithë qytetin, besoj se do të jenë të pandjeshme për qytetarët e Tiranës" theksoi ai. Si pasojë e motit të keq, u dëmtuan dhe disa linja të tjera të transmetimit, si linja Elbasan-Librazhd, por qyteti i Librazhdit, që mbeti një kohë të shkurtër pa energji, u furnizua nga qyteti i Korçës, tha Balla. Sipas tij, për shkak të defekteve në linjat nga ngricat dhe moti i keq, pati mbingarkesa dhe në linjat e tjera, ndaj për të evituar dëmtimet e mëtejshme, pati kufizime të pjesshme të energjisë në qytetet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit si dhe në jug të Shqipërisë. "Dëmtime pati dhe në linjat 110 kV, kryesisht në zonat verilindore të vendit, ku si pasojë mbeti pa energji elektrike qyteti i Lezhës. OST organizoi brigadat e riparimit të avarive, që konstatuan në terren këputjen në përcjellësin në linjën Laç-Vau i Dejës, çka shkaktoi ndërprerjen e energjisë për 10 orë" u shpreh dje Drejtori i OST-së, Ymer Balla. Ndërkohë, sipas të dhënave më të fundit nga KESH, konsumi i energjisë është goxha i lartë, gati 22.9 milionë kilovat orë në ditë. Nga kjo sasi energjie, 14.7 milionë kilovat orë është prodhim vendas ndërsa pjesa tjetër e kërkesës për energji plotësohet nga importi.
Linja Podgoricë
Linja e interkonjeksionit 400 kV Elbasan-Podgoricë do të përfundojë në fund të vitit 2009. Deri tani në linjën Tiranë-Podgoricë janë vendosur 190 bazamente shtyllash, nga rreth 320 gjithsej, ndërsa janë ngritur mbi 60 shtylla dhe në proces janë 30 të tjera. Punimet po vazhdojnë edhe në segmentin Tiranë -Elbasan, një linjë më e shkurtër se Tiranë-Podgoricë.

Nafta D2 jashtë tregut në janar 2010

Në 2010 në pikat e tregtimit të karburanteve nuk do të ketë më naftë D2. Deklarata është dhënë dje nga Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë. "Autoriteti i Konkurrencës, me të drejtë i kërkon qeverisë të ndryshojë një vendim. Pas diskutimeve të zgjeruara, mendoj se ne kemi marrë vendimin më të drejtë, jo të shtojmë squfur për mushkëritë e shqiptarëve, por gjithashtu të mos pranojmë situatën pothuajse monopol të një operatori në fushën e naftës" tha ai. Madje, sipas tij, mitra e energjetikës po punon dhe me autoritetin, në mënyrë që operatori i prodhimit të jetë i detyruar ta shpërndajë naftën D2 tek operatorët e tjerë, sipas përqindjeve të caktuara dhe peshës që ka në treg. "Nafta D2 është importuar, por tani nuk do të ketë më import të saj" theksoi Berisha. Kjo pasi naftë D2 ka përmbajtje të lartë squfuri.

Të dhënat në HEC

    284.18 metra niveli i ujit në Fierzë
    112 m3/sek prurjet e ujit
    13 cm rënia ditore e nivelit të ujit
    170.61 metraniveli i ujit në Koman
    58 m3/sek prurjet anësore të ujit
    74.16 metraniveli i ujit në Vaun e Dejës
    14.7 milionë kilovat orë prodhimi i energjisë
    8.2 milionë kilovat orë importi
    22.9 milionë kilovat orë konsumi ditor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›