Qeveria shet pronat për kompensimin
BLEDAR HOTI
Qeveria nxjerr në shitje pronat shtetërore, me qëllim krijimin e fondit të veçantë për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin "Për kushtet dhe procedurën e tjetërsimit të sipërfaqeve të tokës me cilësi të veçanta, për llogari të fondit të kompensimit". Në bazë të këtij vendimi, sipërfaqet që tashmë do të shiten duhet të jenë rrugëkalime parcelash bujqësore, sipërfaqe të zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje. Paratë që do të nxirren nga shitja e këtyre tokave do të shkojnë në krijimin e fondit të posaçëm të kompensimit financiar. Tokat që do të nxirret në ankand përfshihen ato në pronësi të shtetit dhe të patransferuara në inventarin e bashkive dhe të komunave. Kategori tjetër që përfitojnë: "janë të përfshira brenda një pasurie të paluajtshme, në pronësi të kërkuesit apo që rrethohet ose lidh dy a më shumë pasuri të paluajtshme, në pronësi të kërkuesit; Brenda tyre ose në lidhje funksionale me to, kërkuesi të ketë ngritur ndërtesa banimi, sociale apo industriale apo të jenë pjesë e një studimi urbanistik të miratuar, të pa trajtuara nga legjislacioni përkatës, për legalizimin dhe urbanizmin e ndërtimeve pa leje; Janë në masë deri në 20 për qind të sipërfaqes së tokës, në pronësi të kërkuesit".
Procedura e blerjes
Personat që duan të blejnë tokën që kanë afër banesës së tyre, duke e tjetërsuar atë duhet të paraqesin kërkesën zyrtare pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Blerësit duhet të depozitojnë në të njëjtën kohë edhe një kapar për pronën që kërkojnë ta blejnë. "Kapari është në masën 20% të kundërvlerës në lekë, të sipërfaqeve, që do të tjetërsohen në pronësi të tyre, sipas çmimit përkatës, të përcaktuar në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, sipas metodikës për vlerësimin e pronës së paluajtshme, miratuar me vendimin nr.183, datë 28.4.2005, të Kuvendit. Kapari të jetë paguar për llogari të fondit të kompensimit të pronave, jo më vonë se 3 muaj nga data e marrjes së njoftimit prej AKKP-së, por përpara dërgimit të materialeve nga AKKP-ja te Ministri i Drejtësisë", thuhet në vendimin e qeverisë.
Ndërsa për sipërfaqet e zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje, të jetë marrë paraprakisht miratimi nga ministria përkatëse. Në rastet e ndryshimit të projekteve, aplikuesi, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duhet të paraqesë dhe të ndërtojë, me shpenzimet e veta, ndryshimet e mundshme në veprat në fjalë, për ruajtjen e funksionit. Kërkuesi duhet të paraqesë pranë AKKP-së: dokumentin e lëshuar nga ZRPP-ja, që vërteton pronësinë e kërkuesit mbi pasuritë e paluajtshme, të cilat ndodhen brenda apo rrethojnë ose lidhen nga sipërfaqja, që kërkohet të tjetërsohet, si dhe, sipas rastit, lejen e ndërtimit, dhënë nga organi përgjegjës në periudhën kur është bërë ndërtimi, apo studimin urbanistik, të miratuar. Gjithashtu duhet të paraqesë dhe dokumentin e lëshuar nga ZRPP-ja, që vërteton pronësinë e shtetit mbi pasuritë e paluajtshme, që kërkohen të tjetërsohen, si dhe regjistrimin përkatës kadastral të kësaj sipërfaqeje pranë zyrave të administrimit dhe të mbrojtjes së tokës, në këshillin e qarkut. Gjithashtu duhet të paraqitet edhe planvendosjen e sipërfaqes së kërkuar për t'u tjetërsuar, të lëshuar nga ZRPP-ja. Zyrat rajonale të AKKP-së brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës i dorëzon zyrës qendrore në Tiranë. Ndërsa vetë AKKP-ja duhet që të verifikojë brenda 30 ditëve dokumentet e paraqitura.
Pjesë nga Vendimi i qeverisë
1. AKKP futet në procedurën e shitjes së pronave në këto raste
a) Sipërfaqet të jenë rrugëkalime parcelash bujqësore, sipërfaqe të zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje, të cilat kanë këto cilësi:
i. Janë në pronësi të shtetit dhe të pa transferuara në inventar të organeve të qeverisjes vendore, në bazë të ligjit nr. 8744, datë 22.2.2001, "Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore", të ndryshuar;
ii. Janë të përfshira brenda një pasurie të paluajtshme, në pronësi të kërkuesit apo që rrethohet ose lidh dy a më shumë pasuri të paluajtshme, në pronësi të kërkuesit;
iii. Brenda tyre ose në lidhje funksionale me to, kërkuesi të ketë ngritur ndërtesa banimi, sociale apo industriale apo të jenë pjesë e një studimi urbanistik të miratuar, të pa trajtuara nga legjislacioni përkatës, për legalizimin dhe urbanizmin e ndërtimeve pa leje;
iv. Janë në masë deri në 20 për qind të sipërfaqes së tokës, në pronësi të kërkuesit;
b) Kërkuesit të kenë paguar në numrin e llogarisë së caktuar nga AKKP-ja, për llogari të fondit të kompensimit të pronave, të krijuar sipas pikës 1, nenit 23, të ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004, "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar, kapar, në masën 20% të kundërvlerës në lekë, të sipërfaqeve, që do të tjetërsohen në pronësi të tyre, sipas çmimit përkatës, të përcaktuar në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, sipas metodikës për vlerësimin e pronës së paluajtshme, miratuar me vendimin nr.183, datë 28.4.2005, të Kuvendit.
c) Kapari të jetë paguar për llogari të fondit të kompensimit të pronave jo më vonë se 3 muaj nga data e marrjes së njoftimit prej AKKP-së, por përpara dërgimit të materialeve nga AKKP-ja te Ministri i Drejtësisë.
ç) Kërkesa të depozitohet në zyrën e AKKP-së në qendër, e shoqëruar me dokumentacion provues, sipas këtij vendimi.
d) Për sipërfaqet e zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje të jetë marrë, paraprakisht, miratimi nga ministria përkatëse. Në rastet e ndryshimit të projekteve, aplikuesi, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duhet të paraqesë dhe të ndërtojë, me shpenzimet e veta, ndryshimet e mundshme në veprat në fjalë, për ruajtjen e funksionit.
2. Kërkesa për tjetërsimin, për llogari të fondit të kompensimit, të sipërfaqeve të përcaktuara në këtë vendim, paraqitet nga kërkuesit pranë zyrës së AKKP-së, në qendër me postë rekomande. Krahas kërkesës, sipas formularit tip, të miratuar nga drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, kërkuesit duhet të paraqesin edhe dokumentet e mëposhtme:
a) Dokumentin e lëshuar nga ZRPP-ja, që vërteton pronësinë e kërkuesit mbi pasuritë e paluajtshme, të cilat ndodhen brenda apo rrethojnë ose lidhen nga sipërfaqja, që kërkohet të tjetërsohet, sipas kushteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, si dhe, sipas rastit, lejen e ndërtimit, dhënë nga organi përgjegjës në periudhën, kur është bërë ndërtimi, apo studimin urbanistik, të miratuar;
b) Dokumentin e lëshuar nga ZRPP-ja, që vërteton pronësinë e shtetit mbi pasuritë e paluajtshme, që kërkohen të tjetërsohen, sipas kushteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi si dhe regjistrimin përkatës kadastral të kësaj sipërfaqeje pranë zyrave të administrimit dhe të mbrojtjes së tokës, në këshillin e qarkut;
c) Planvendosjen e sipërfaqjes së kërkuar për t'u tjetërsuar, të lëshuar nga ZRPP-ja.