Tenton të rrëmbejë 24-vjeçaren, arrestohet
URE-VAJGURORE - Tentoi t’i rrëmbejë vajzën me forcë, e plagos gjashtë herë me thikë. Ngjarja ndodhi të enjten rreth orës 22:30 në familjen e 63-vjeçarit Veli Memaj. Ai pësoi plagë të rënda në trup pasi u plagos nga shtetasi Lefter Arapi. Sipas policisë, në fshatin Orizaj, komuna Otllak, 39-vjeçari Arapi ishte futur me dhunë në familjen Memaj, duke tentuar të marrë vajzën 24- vjeçare. Por kjo e fundit e ka kundërshtuar atë duke kërkuar ndihmën e familjarëve të saj. Babai tentoi të ndihmonte të bijën, por ai hasi në agresivitetin e Arapit, i cili nxori një thikë duke e qëlluar atë në pjesë të ndryshme të trupit. Mësohet se Memaj ndodhet në spital në gjendje të rëndë, ndërsa 39-vjeçari u arrestua. Sipas burimeve, Arapi është i martuar, ndërsa dyshohet se vajzën donte ta merrte me dhunë me qëllime trafikimi. d.xh