Policia Ushtarake kërcënon me armë punonjësit bashkiakë
Një incident i rëndë u shënua dje ndërmjet efektivëve të Policisë Bashkiake dhe asaj Ushtarake në Berat. Këta të fundit i kanë bërë qëndresë vendimit të Këshillit Bashkiak për prishjen e një muri rrethues, duke kërcënuar policët e bashkisë me armë automatike. është dashur ndërhyrja e policisë së rendit për të qetësuar situatën dhe për të evituar ndonjë tragjedi të mundshme. Mësohet se muri rrethues ishte në pronësi të degës ushtarake, por së fundmi i kishte kaluar bashkisë. Kur dje, policia bashkiake po shoqëronte drejtuesit e sektorit të ndërtimeve për prishjen e murit, kanë reaguar ashpër krerët e Degës Ushtarake. Ata kërkuan që muri që kapte një sipërfaqe rreth 116 metër katror të mos prishej. Kur fadroma është afruar, sipas burimeve në vendngjarje, komandanti i Policisë Ushtarake ka urdhëruar efektivët e tij të rrëmbejnë armët në mbrojtje të murit që rrethonte këtë degë. Dy efektivë të Policisë Ushtarake kanë dalë me armë zjarri në duar duke terrorizuar punonjësit. Fadromisti i tmerruar është detyruar të tërhiqet deri në një urdhër të dytë. Ai ka guxuar të futet sërish për të shembur murin vetëm kur në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë së Beratit. Ata mbërritën në një moment mjaft të acaruar ndërmjet dy policive. Ajo ushtarake tregonte kallashnikovët, të cilët me urdhër të komandantit të tyre i mbanin gati, ndërsa ajo bashkiake kërkonte që të vazhdonte punë me fadromën për të zbatuar vendimin e Këshillit Bashkiak. Shefi i rendit, Përparim Dyrma, ndërhyri me forcat e tij në ambientet e Degës Ushtarake ku çarmatosi efektivët e ushtarakes. Ata u detyruan të fusnin armët sërish në magazinën e armatimit. Blutë nuk kryen shoqërimin e tyre por, urdhëruan vijimin e punimeve nga ana e Policisë Bashkiake. Mësohet se vendimit të Këshillit Bashkiak i kishte dhënë “OK” edhe vetë Ministria e Mbrojtjes por, sipas burimeve në degën ushtarake, dikasteri nuk e kishte vënë në dijeni degën në varësi të saj për prishjen. Veprimi i Policisë Ushtarake indinjoi dje mjaft banorë, të cilët prej muajsh po presin rikontrusksionin e rrugës në lagjen e tyre. Kryetari i Degës Ushtarake, major Kastriot Naksi, në lidhje me këtë ngjarje u shpreh se ajo që kishte ndodhur ishte e pahijshme për të dyja palët. Ai theksoi se bashkia i kishte bërë një kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes që një sipërfaqe 116 metra katrorë të kalonte nga pronë e Degës Ushtarake në atë të bashkisë, por nuk sqaroi detaje në lidhje me incidentin.