Dritat, rimbursimi i janarit në faturat e prillit
Rimbursimi i vlerës tepër në faturat e janarit do të bëhet në faturat e muajit prill. Drejtori i Shitjeve i CEZ Albania Ales Konrad dha dje gjatë një konference për shtyp detajet rreth kësaj çështje. “Ne ju rikonfirmojmë që do të rimbursojmë pjesën e keqllogaritur në faturat e ardhshme dhe mund të themi tani që në faturat e prillit, klientët do të kenë një zë të ri, i cili tregon shumën e rimbursimit. Nuk do të ketë transferim të shumës ‘kesh’, vetëm një zbritje në shumën e faturës së prillit me konsumin e saktë” u shpreh Konrad. Një tjetër pikë ku ai u përqendrua ishte ajo rreth vendosjes së matësave dhe heqjes së faturimit afrove. “Kompania ka punuar intensivisht në këta muajt e fundit dhe ishte në gjendje të instalonte më shumë se 80,000 matësa totalisht të rinj”, tha drejtori i Shitjeve. Ai informoi për zbatimin e një teknologjie të re “MyAvis” e cila konsiston në leximin e matësit duke futur këto të dhëna direkt në sistemin e faturimit. Ky projekt ka filluar të zbatohet fillimisht në Durrës dhe më pas do të shtrihet më gjerë. Kjo sipas Konrad do t’i shërbejë një faturimi më të mirë duke qenë se kjo pjesë ka shfaqur probleme. Nga ana e OSSH konfirmohet se për shkak të abuzimeve janë pushuar nga puna 100 faturistë.