E Diel, 1 Nëntor 2026

Faljet, Topi do firmosë emrat që propozon Qeveria



ADI SHKEMBI

Qeveria do t’i propozojë Presidentit emrat e të burgosurve që do të përfitojnë falje. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është miratuar projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë “Për faljet”, i cili parashikon kriteret ligjore dhe kushtet që duhet të plotësojnë personat që vuajnë dënimin për të përfituar falje, një atribut ky i përcaktuar me Kushtetutë për kreun e shtetit.
Ligji
Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë bëjnë të ditur se dy janë arsyet kryesore që çuan në hartimin e një kuadri të ri ligjor. Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin se ligji në të cilin referohej kreu i shtetit ishte i marsit të vitit 1981, i ndryshuar vetëm një herë në vitin 1993. Por arsyeja e dytë dhe më kryesorja ka të bëjë me rrugën që ndiqet deri në firmosjen e dosjes për falje në Presidencë. Aktualisht, veç këtij ligji kreu i shtetit bazohet edhe në nenet 92 dhe 93 të Kushtetutës, në nenin 70 të Kodit Penal, si dhe merr propozime nga individë të ndryshëm, organe të pushtetit lokal dhe institucione të tjera. Kjo do të thotë se zyra juridike e kreut të shtetit analizon vetë dosjet dhe personat që mund të përfitojnë nga dekreti. Me hyrjen në fuqi të ligjit të miratuar dje në Qeveri, kjo procedurë do të ndryshojë. Tani të gjitha propozimet për falje do të kalojnë nga zyra e Ministrit të Drejtësisë. Burimet bëjnë të ditur që individët, institucionet qendrore dhe organet e pushtetit lokal, do t’i dërgojnë në Ministrinë e Drejtësisë të gjitha propozimet për falje që do të dekretojë kreu i shtetit. Ministria më pas do të bëjë të gjitha verifikimet e vendimeve të gjykatave, përpara se t’i dërgojë kreut të shtetit dosjen me emrat mbi të cilët ai do të firmosë. “Në mbështetje të nenit 92, pika “b” dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 70 të Kodi Penal të Republikës së Shqipërisë, nenit 1 të ligjit nr.6299, datë 27.03.1981 “Për faljen”, të ndryshuar me ligjin Nr.7682, datë 09.03.1993 “Për disa ndryshime në ligje”, me propozim të organeve të pushtetit lokal dhe të institucioneve të tjera...”, thuhet në dekretet e nxjerra nga Presidenti Topi për faljen e dënimit të të burgosurve.
Berisha
Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Berisha vlerësoi draftin e propozuar nga Ministria e Drejtësisë. “Një projektligj i rëndësishëm është ai “Për faljen”, një detyrim kushtetues. Ky ligj veçse përforcon të drejtën kushtetuese të Presidentit të Republikës për faljen, pasi Kushtetuta i njeh Presidentit të drejtën e faljes dhe Parlamentit të amnistisë. Por në çdo vend ka një procedurë ligjore për procesin e faljes dhe ky projektligj, i hartuar dy-tre vjet më parë, përcakton kushtet dhe kriteret ligjore që duhen aplikuar në procesin e faljes, e cila është një dhunti, sepse shteti dënon, por edhe fal”, theksoi Berisha. Sipas tij “pavarësisht se ndonjëherë ngjall sentimente shqetësuese për raste të caktuara, sërish shteti nuk tërhiqet kurrë nga ky virtyt që është falja. Dhe këtë, në tërësi Kushtetutat ia atribuojnë kryetarit të shtetit”.

Neni 92

Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:

a) i drejton mesazhe Kuvendit; b) ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit; c) jep shtetësinë shqiptare dhe lejon lënien e saj sipas ligjit; ç) jep dekorata e tituj nderi sipas ligjit; d) jep gradat më të larta ushtarake sipas ligjit;

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›