E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në gjimnaz 90% e nxënësve,12% e studentëve në privat”



Investime në infrastrukturë dhe në rritjen e cilësisë në arsim. Këtë parashikon programi i Bankës Botërore në Shqipëri, i cili kap vlerën e 75 milionë eurove. Dje gjatë forumit të BB në Berlin, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj prezantoi reformat e ndërmarra dhe fushat ku do të ndërhyhet më tej”. Arsimi në Shqipëri po i nënshtrohet një reforme të thellë në të gjitha nivelet. 90% e nxënësve që mbarojnë arsimin 9-vjeçar vazhdojnë arsimin e mesëm. Në vitin akademik 2009-2010 numërohen 35 studentë që ndjekin arsimin e lartë, për çdo 1000 banorë. Rreth 12% e studentëve janë të regjistruar në Arsimin e Lartë privat”, tha Tafaj. Sipas tij, arsimi privat cilësor dhe partneriteti publik-privat janë elementet kryesore strategjike, për të rritur investimet e përgjithshme në arsim. Tafaj theksoi se falë programit të Bankës Botërore “Cilësi dhe Barazi në Arsim”, i cili po zbatohet për herë të parë në Shqipëri, po përmirësohen ambientet e të mësuarit, në mënyrë që të nxitet një mësimdhënie dhe mësimnxënie më të mirë. “Programi i Bankës Botërore në Shqipëri, me një kosto të përgjithshme prej afro 75 milionë dollarësh, 60% e të cilëve financuar nga Banka Botërore dhe dy partnerët e saj dhe 40% bashkëfinancuar nga Qeveria shqiptare është fokusuar në shumë dimensione të zhvillimit të arsimit”, tha Tafaj. Fushë parësore për këtë program ka qenë përmirësimi i infrastrukturës fizike arsimore, përmes rehabilitimit dhe ndërtimit të shkollave. Më tej akoma, ky program ka shtruar bazën për reformën në Arsimin e Lartë. Në këtë kuptim, ai është përqendruar kryesisht në Hartimin e një Master-Plani të Arsimit të Lartë, hapjen drejt një aksesi më të gjerë në arsimin e lartë, veçanërisht në fushat e orientuara të shkencës dhe teknologjisë”, u shpreh Tafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›