TIA, arritjet pas pesë vitesh koncesion
Fundi i prillit përkoi me 5-vjetorin e dhënies me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Kompania që aktualisht menaxhon aeroportin e ka vlerësuar këtë si një periudhë të suksesshme për të dhe aeroportin. Kryetari i Këshillit Administrativ të TIA-s, Holger Linkweiler, gjatë aktivitetit të organizuar me rastin e këtij përvjetori vuri në dukje strategjinë e ndjekur nga kompania për t’u rritur vit pas viti. “Ne vazhdojnë përpjekjet tona duke qenë të bindur se çdo sfidë paraqet një mundësi unike. Modeli ynë i biznesit është i bazuar në marrëdhëniet e qëndrueshme me partnerët tanë dhe me palët e interesuara. Ne e zhvillojmë biznesin tonë me shpejtësi duke kapur shansin e kërkesës në rritje për transportin ajror, dhe duke u bazuar në zhvillimet pozitive të Shqipërisë. Besojmë se në vitet që vijnë, do të rritemi dhe do të bëhemi më të fortë” theksoi ai. Ndërkohë gjatë aktivitetit një falënderim i veçantë i është rezervuar institucioneve me të cilat TIA bashkëpunon çdo ditë. Drejtoresha Ekzekutive e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës,Andrea Gebeken në fjalën e saj vuri në dukje rëndësinë e këtij bashkëpunimi. “Së bashku ne kemi krijuar një vizion ku emri Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është bërë sinonim i përsosmërisë, risisë, ndershmërisë, integritetit, dhe cilësive të jashtëzakonshme të shërbimit. Ne kemi nevojë ta mbajmë këtë vizion. Unë besoj në profesionalizmin tonë dhe në frymën tonë si një kolektiv kompakt”, u shpreh ajo. Mbështetës të rritjes së vazhdueshme të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës duket se janë edhe rezultatet. Vetëm gjatë 2009-ës TIA pati një rritje prej 10 për qind.