E Shtunë, 31 Tetor 2026

USAID: Qytetarët, 91.8 % ka korrupsion



Erald Kapri

Shumica dërmuese e shqiptarëve mendojnë se zyrtarët e shtetit janë të korruptuar. USAID, në bashkëpunim me IDRA, publikuan dje në raportin e vitit 2010 sondazhin vjetor të opinionit publik mbi perceptimin e korrupsionit, nga ku rezulton se 91.8% e të intervistuarve në kampionin e publikut të gjerë mendojnë se korrupsioni ndërmjet zyrtarëve publikë është “Shumë i përhapur” ose “Disi i përhapur”. Të dhënat e këtij sondazhi u komentuan edhe nga Ambasadori i ShBA-ve në Tiranë, John Withers, i cili u shpreh se është i shqetësuar për këto të dhëna. Ai tha se partitë politike në Shqipëri janë përfshirë në një luftë të madhe për pushtet, duke larguar vëmendjen nga nevoja e qytetarëve. “Sot në Shqipëri partitë politike janë përfshirë në luftë të madhe për pushtet. Njëra parti kundra tjetrës. Ju në këtë raport thoni se partitë janë më pak të besueshmet ndër institucionet shqiptare, ndaj jam i trishtuar për këtë raport. A është koha që liderët tuaj t’ju dëgjojnë? A është koha për ata që të ndalojnë luftën kundër njëri-tjetrit dhe të kujdesen për ju dhe punët e njerëzve. Unë kam një admirim për urtësinë e popullit shqiptar dhe pyes nëse kjo urtësi mos i paraprin urtësisë së vendit”, tha Withers.
Sondazhi
Të dhënat për vitin 2010 tregojnë se perceptimi mbi korrupsionin në Shqipëri vazhdon të mbetet i lartë. “Vlerësimi mesatar i publikut të gjerë mbi korrupsionin e perceptuar të institucioneve në sondazhin e vitit 2010 është 62.4 pikë, në shkallën nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë “Shumë i ndershëm” dhe 100 do të thotë “Shumë i korruptuar”, thotë raporti, duke shtuar se drejtuesit fetarë, Presidenti, ushtarakët, media, mësuesit e shkollave publike dhe drejtuesit e OJF-ve, vazhdojnë të konsiderohen si më pak të korruptuar ndër 20 grupet dhe institucionet e vlerësuara. Nga ana tjetër, doganierët, tatimorët dhe mjekët janë vlerësuar si më të korruptuarit.
Ndërsa lidhur me përvojën direkt, qytetarët kanë rënë pre e korrupsionit mesatarisht me 1.31 mënyra, nga 10 mënyra të mundshme. “Treguesi i viktimizimit është pothuajse i njëjtë me atë të vitit të kaluar. Gjithsesi, ky tregues është më i ulët se në vitin 2005, ku numri mesatar i mënyrave përmes të cilave qytetarët kanë rënë pre e korrupsionit ka qenë 1.7. Sektori i shëndetësisë vazhdon të mbetet sektori më i përmendur për korrupsion”, thotë raporti, duke shtuar se 33.5% e të intervistuarve deklarojnë që t’i kenë paguar ryshfet një doktori ose infermieri, gjatë vitit të kaluar. Më tej thuhet se në përgjithësi qytetarët nuk kanë besim te lufta kundër korrupsionin të institucioneve. Nga ana tjetër vërehet një ulje e besimit te sistemi i drejtësisë.

Perceptimi i korrupsionit

PERCEPTIMI I KORRUPSIONIT: Vlerësimi mesatar i publikut të gjerë mbi korrupsionin e perceptuar të institucioneve në sondazhin e vitit 2010 është 62.4 pikë, në shkallën nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë “Shumë i ndershëm” dhe 100 do të thotë “Shumë i korruptuar”.
PëRVOJAT ME KORRUPSIONIN: Në sondazhin e vitit 2010, qytetarët kanë rënë pre e korrupsionit, mesatarisht me 1.31 mënyra nga 10 mënyra të mundshme. Treguesi i viktimizimit është pothuajse i njëjtë me atë të vitit të kaluar.
LUFTA KUNDëR KORRUPSIONIT: Vlerësimi mesatar i 9 institucioneve/grupeve është 42.4 pikë. Ky vlerësim është poshtë mesit të shkallës së vlerësimit nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë “Nuk ndihmon aspak” dhe 100 do të thotë “Ndihmon shumë”.
BESIMI: Besimi i qytetarëve shqiptarë në institucione mbetet ende i ulët. Mesatarisht, niveli i besimit për të gjitha institucionet e vlerësuara është 43.8 pikë, në shkallën nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë “Aspak besim” dhe 100 do të thotë “Shumë besim”.
TRANSPARENCA: Publiku i gjerë i ka vlerësuar institucionet me 38.7 pikë, ndërsa punonjësit e sektorit publik me 48.9 pikë.
SISTEMI GJYQëSOR: Vetëm 35.9% e të intervistuarve deklarojnë se kanë “Shumë besim” ose “Disi besim” në sistemin gjyqësor, 10.7 pikë përqindje më pak se në vitin 2009.
VLERëSIMI I EKONOMISë: Perceptimi i publikut të gjerë mbi situatën ekonomike është i njëjtë me atë të një viti më parë dhe nuk ka ndryshuar shumë që prej vitit 2005. Më shumë se gjysma e të intervistuarve (53.9%) mendojnë se situata ekonomike e vendit është “E keqe” apo “Shumë e keqe”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›