Dritëhijet e një biznesmeni
Mihal Delijorgji, presidenti i firmës "Alba-Demil", u ndalua tri ditë më parë së bashku me dy persona të tjerë, me akuzën e "shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive". Si administrator i kompanisë që merrej me demontimin e lëndëve eksplozive, ai u mor fillimisht në pyetje lidhur me shpërthimin e një fabrike me municion në fshatin Gërdec, 20 km larg Tiranës, më datë 15 mars. I lindur në fshatin Terihat të Gjirokastrës dhe banues në Tiranë, 42-vjeçari Delijorgji është babai i dy fëmijëve. Si banor i Dropullit të Poshtëm, pas viteve ‘90 Delijorgji emigroi në Greqi, ku qëndroi disa vite. Në vitn 1992 ai kthehet në Shqipëri dhe fillimisht vendoset në qytetin e Durrësit. Disa vite më pas, në Shkozet të Durrësit, ai ndërton fabrikën e tij moderne, për prodhim të skarave, rrjetave metalike, llamarinave etj., ku ngriti edhe firmën e tij, "Përparimi". Përveç biznesit të tij për tregtinë e hekurit, Delijorgji investon edhe në fushën e futbollit, ku në vitet 2003-2004 investon për Sport-Klub Dinamon. Në prill të vitit 2004 u arrestua gjatë kohës që ishte president i Sport-Klub Dinamos me urdhër të Prokurorisë së Durrësit për shmangie të detyrimeve doganore, evazion fiskal dhe falsifikim dokumentesh. Në atë kohë ai ishte president i firmës "Përparimi" dhe u akuzua se u është shmangur detyrimeve për importimin e hekurit, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 1.2 milionë dollarësh. Më pas lirohet, pas një garancie pasurore të konsiderueshme. Në vitin 2006 Mihal Delijorgji zotëron edhe firmën "Alba-Demil", që kryente çmontimin e municioneve në fshatin Gërdec. Në periudhën 2006-2007, përveç bizneseve të tij, ai u rikthehet investimeve në fushën e futbollit, por këtë herë si president i Sport-Klub Luftëtarit (Gjirokastër), rreth ky i origjinës së tij.
21 Mars 2008