E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehen të prangosurit e “Gërdecit”: “Jemi të pafajshëm”

Tre të arrestuarit për Gërdecin mohojnë akuzat para gjyqtarit të gatshëm. Burg Delijorgjit, Pinarit e Minxollit. Në seancë dhe inspektorë të KLD-së
Laureta Rryçi

Tiranë - Të arrestuarit për tragjedinë e Gërdecit jo vetëm kanë mohuar akuzën para gjykatës, por kanë dhënë edhe argumentet për pafajësinë e tyre. Për gati dy orë me radhë në një nga sallat e Gjykatës së Tiranës, u zhvillua dje masa e sigurisë për Mihal Delijorgjin, Ylli Ponarin dhe Dritan Minxollin. Gjyqtari Asim Vokshi, pasi dëgjoi akuzat e dy prokurorëve për të arrestuarit, vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për të tre. Masa e sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura. Mirëpo përveç palëve prezent në sallë, kanë qenë dhe tre inspektorë të KLD-së. Burime pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë shpjeguan se inspektorët kanë mbajtur shënim mënyrën se si u realizua masa e sigurisë, duke lënë të kuptohet kështu se KLD-ja ka ndër mend të monitorojë zhvillimin e gjykimit të dosjes “Gërdeci”. Burime pranë kësaj gjykate pohuan se të tre të arrestuarit kanë preferuar të japin vetë shpjegime në lidhje me pozicionin që kishin. Biznesmeni Delijorgji ka shpjeguar se kontratën e kishte me amerikanët dhe s’kishte asnjë lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes. Ndërsa për drejtorin e “MEICO”-s, Ylli Ponari, përgjegjësia ishte vetëm ndjekja e procedurave të rregullta për nënshkrimin e kontratës. I arrestuari Minxolli mësohet se ka shpjeguar para gjykatës se ai shkonte shpesh në fabrikë. Madje dhe ditën e shpërthimit kishte qenë atje. Ngjarja ndodhi më 15 mars 2008, në fshatin Gërdec të Vorës, rreth 20 kilometra larg Tiranës, ku një fabrikë në të cilën kryhej çmontimi i municioneve luftarake shpërtheu duke shkaktuar vdekjen e 19 personave, rreth 300 të plagosur dhe disa të tjerëve që rezultojnë të humbur.
Masa
Gjykata e Tiranës vendosi të lerë në burg të tre drejtuesit e kompanisë që merreshin me çmontimin e municioneve luftarake në fabrikën e Gërdecit në Vorë, ku ndodhi shpërthimi më datë 15 mars 2008. Mihal Delijorgji, 42 vjeç, administrator i firmës “Alba Demil", Dritan Minxholi, 30 vjeç, drejtor Ekzekutiv i kësaj kompanie dhe Ylli Pinari, 55 vjeç, me detyrë drejtor i ndërmarrjes "MEICO", të cilët akuzohen për veprën penale "shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive". Tre drejtuesit u shoqëruan të hënën në polici dhe u ndaluan një ditë më pas. Prokuroria dhe prokurorët e përfshirë në hetimin e tragjedisë së Gërdecit, po vazhdojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e kësaj çështjeje, duke marrë të gjitha të dhënat e mundshme e administruar prova që ndihmojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Prokurorët e grupit hetimor për ngjarjen e Gërdecit sekuestruan edhe një sërë aktesh që lidhen me procedurat e ndjekura në Ministrinë e Mbrojtjes për çështjen në fjalë. Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit po verifikon edhe pasuritë e shtetasit Mihal Delijorgji, administratorit të firmës “Alba Demil”. Po merren informacione nga bankat dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Prokuroria e Durrësit bllokoi më datë 18 mars veprimtarinë dhe dokumentacionin e firmës “Përparimi” në Shkozet të Durrësit, pronë e Mihal Delijorgjit.
Dëshmitë
Pas komunikimit të akuzës, të arrestuarit kanë nisur të shpjegojnë pozicionin e tyre para gjyqtarit të gatshëm. “Kontrata ishte e rregullt. Duhej që kompania amerikane të kontrollonte kushtet e zbatimit të masave në fabrikë”. Këto mësohen të kenë qenë një nga deklarimet e djeshme të biznesmenit Delijorgji. Burime pranë gjykatës pohuan e ai në asnjë moment nuk e ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij duke thënë se që në momentin që ka nënshkruar kontratën iu ka qëndruar korrekt procedurave që duheshin ndjekur. Ndërsa për drejtorin e “Meico” ka qenë më se i pamundur të kishte informacione për gjithçka. “Unë duhet të kujdesesha që procedurat e kontratës të ishin të rregullta. Edhe sikur të doja nuk kisha mundësi të merrja vesh të gjitha çdo të ndodhnin më pas”, deklaroi dje Pinari. Ndërsa Minxolli ka rrëfyer se në pozicionin e drejtorit ekzekutiv shkonte shpesh në fabrikë. “Unë që ditën kur është ngritur grupi hetimor kam qenë në dispozicion të hetimeve. Nuk jam përgjegjës për tragjedinë”, - ka përfunduar deklarimet e tij, Minxolli.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›