E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, 300 vaksinat e para për ushtarët

ISHP-ja, vaksina për të gjithë të dëmtuarit në Gërdec. Masa për të dëmtuarit, vaksina gjendet në çdo qendër rehabilitimi
Emanuela Sako

Të gjithë të dëmtuarit e Gërdecit që nuk janë vaksinuar me vaksinën e tetanosit, duhet të vaksinohen për të shmangur sëmundjet. ISHP-ja ka marrë masa për vaksinimin e të dëmtuarve, si dhe për forcat speciale që kanë marrë pjesë në gjetjen e trupave dhe pastrimin e zonës nga predhat. Për specialët janë vënë në dispozicion rreth 300 vaksina. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, sqaroi për gazetën “Albania” se vaksinimi i personave të lënduar dhe atyre në gjendje normale është i domosdoshëm. Për këtë janë vënë në ndihmë të gjitha spitalet që kanë pritur të sëmurët, si dhe janë marrë masa në edhe në qendrat pritëse për të mbijetuarit nga tragjedia.
Masat
Masa të tilla janë të domosdoshme, pasi nga prekja e predhave, hekurave, të ndryshme apo materialeve, duhet medoemos vaksinimi për parandalimin e vaksinave. Vaksina është shpërndarë në të gjitha spitalet dhe iu është injektuar personave që nuk e kanë kryer këtë vaksina. Vaksina është pjesë e kalendarit të listës së vaksinave në Ministrinë e Shëndetësisë. Por ka edhe nga ato raste që disa persona të mos e kenë kryer diagnostikimin. Specialistë të ISHP-së kanë shkuar në çdo qendër pritëse ku qëndrojnë të pastrehë e Gërdecit, si në qendrat e Durrësit, dhe kanë verifikuar rastet e pavaksinuara. Për ta është kryer diagnostikimi i menjëhershëm. Ndërsa për ata që nuk e kanë kryer vaksinimin, ISHP-ja u bën të ditur që të drejtohen në spitale për të marrë këtë shërbim. Vaksinimit do t’u nënshtrohen personat që kanë rënë në kontakt me lëndët plasëse dhe me hekurishtet. Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se nga shtatë qendrat shëndetësore, Gërdec, Marqinet, Marikaj, Muçaj, Gjokaj dhe Fushë-Prezë, Vorë, vetëm dy janë funksionale.
Dezinfektimi
Institucionet e ISHP-së, ASHR-së dhe OBSH-së që në ditët e para kanë dhënë rekomandimet përkatëse dhe vlerësimet paraprake të fakteve, masat parandaluese që duhen marrë në ujin e pijshëm, në vaksinimin e popullatës, dezinfektimin e kafshëve dhe grumbullimin e popullatës së zhvendosur në zonën e Vorës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga analizat e deritanishme të ujit të pijshëm, mostra të marra nga pikat fundore dhe puset tregojnë se uji i pijshëm është i ndotur dhe nuk duhet të konsumohet.
Zona e Gërdecit i është nënshtruar dezinfektimit dhe pastrimit nga mbetjet toksike dhe kafshëve të ngordhura, me synim shmangien e kontaminimit të ambientit.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›