Merret në pyetje ish-ministri Mediu
Për hetimet mbi ngjarjen e Gërdecit prokurorët e grupit hetimor në këtë çështje morën në pyetje dje në orët e para të mëngjesit ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës pohuan se prokurorët morën fillimisht deklarimet e ish-ministrit Mediu dhe realizuan në vazhdim procesin e pyetjes së tij, në cilësinë e deklaruesit që ka dijeni për rrethanat e çështjes. Në kuadër të hetimeve për ngjarjen në fshatin Gërdec, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, u është drejtuar për ndihmë autoriteteve të SHBA-ve. Ndihma është kërkuar përmes ambasadorit të SHBA-ve në Tiranë, për të përshpejtuar sa më tepër hetimet për këtë ngjarje. Nga autoritetet amerikane është kërkuar ndihmë në dy drejtime: Për marrjen e informacioneve në lidhje me shoqërinë “Southern Ammunition Company Inc” dhe aktivitetin e saj. Për asistencë dhe ekspertizë të specializuar të ekspertëve të FBI-së, në lidhje me identifikimin e kufomave, të këqyrjes dhe analizimit të vendit të ngjarjes, si dhe bërjen e një studimi të plotë kriminalistik të vendit të ngjarjes. Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri deklaroi se "do të bëjë çdo gjë brenda mundësive të saj për të ndihmuar në hetimin e prokurores së Përgjithshme për ngjarjen e Gërdecit", si dhe konfirmoi, se "ka mësuar për ekzistencën e një kompanie amerikane, Southern Ammunition Company, Inc. (SAC) nga Karolina e Jugut, vetëm pas kësaj ngjarjeje".
21 Mars 2008