E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në shtator, shëndetësia nis reformimin e thellë”

Në shtator i gjithë sistemi shëndetësor do të përfshihet nga një reformë e thellë. 

Durrës/ Oerd Ulqini

Për ministren e re Anila Godo, kjo nuk do të thotë vetëm luftë ndaj korrupsionit të bluzave të bardha, por mbi të gjitha ndërhyrje në legjislacion për të përmirësuar shërbimin. Vizitën e parë të punës jashtë Tiranës, ministrja e Shëndetësisë e ka bërë në spitalin e Durrësit. “Do të jenë një sërë ligjesh që do të rishikohen. Do t’i propozojmë parlamentit ndryshimet, të cilat sigurisht do të jenë në funksion të reformimit të sistemit”, tha Godo. E pyetur për paratë nën dorë që u merren pacientëve ministrja ka qenë e prerë. Sipas saj, asnjë mjek nuk ka të drejtë të bëjë pazar me shërbimin shtetëror. Godo komentoi edhe punën e paraardhësit të saj demokristian, duke thënë se ka gjetur mangësi si tek ilaçet, ashtu edhe tek menaxhimi i punës nga bluzat e bardha. Ajo siguroi se për të eliminuar këto mangësi fillimi i vjeshtës do të zgjidhë edhe furnizimin e spitaleve me ilaçe. Ministrja konfirmoi se procesi reformues po studiohet imtësisht nga ana e saj. “Po përpiqemi të ecim me hapin e duhur”, tha ajo. Ministrja vlerësoi cilësinë e shërbimit në spitalin e Durrësit, i cili është i pari spital në vend ku po aplikohet skema e sigurimeve shëndetësore. Ajo premtoi se së shpejti do të vihen në shfrytëzimin maksimal të gjitha pavijonet e këtij Spitali. Duke vlerësuar infrastrukturën e spitalit të Durrësit, ministrja shprehu bindjen se në të ardhmen ky spital mund të jetë një Qendër Universitare me të gjithë elementët e saj. Së shpejti do të sigurohen aparaturat e nevojshme, që mungojnë dhe që i shërbejnë shëndetit të qytetarëve. Eshtë Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, i cili financon tërësisht funksionimin e spitalit të Durrësit. ISKSH, ka deklaruar disa herë se projekti pilot i aplikuar në këtë spital ka rezultuar i suksesshëm dhe brenda vitit që vjen, skema pritet të shtrihet edhe në spitalet e tjera të vendit. Ndërsa personat që paguajnë sigurime shëndetësore nuk paguajnë për shërbimin, të pasiguruarve u jepet faturë për çdo vizitë apo analizë që kryejnë. Gjatë vizitës së saj në spitalin e Durrësit ministrja Godo u ndal edhe tek inaugurimi i maternitetit të ri të qytetit, duke e cilësuar atë si një prioritet dhe domosdoshmëri, pasi qyteti po zhvillohet dita-ditës me ritme të larta dhe nevoja për këtë shërbim është shumë e madhe. Materniteti i Durrësit vazhdon të strehohet në mjediset e Pediatrisë dhe lindjet kryhen mes vështirësive shumë të mëdha.
    

Tabaku: Menaxhuam me sukses krizën e ilaçeve

Luan Tabaku, financieri në krye të Qendrës Spitalore në Elbasan, shpjegon menaxhimin e mirë që iu bë krizës së ilaçeve, që në këtë qendër ishte inekzistente. Sipas tij, në këtë qendër priten investime të konsiderueshme nga qeveria.
Zoti Tabaku, si paraqitet aktualisht gjendja në Qendrën Spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan, përsa i përket furnizimit me ilaçe, por dhe shërbimit ndaj pacientëve?
Gjendja përsa i përket furnizimit me ilaçe mund t’ju them se është hera e parë në 17 vite demokraci që kjo qendër ka një furnizim të tillë. Ne kemi mundur ta përballojmë falë menaxhimit me sukses që i kemi bërë rezervave me ilaçe. Aktualisht pranë qendrës spitalore që unë drejtoj nuk ka mungesa në ilaçe dhe çdo pacient merr të gjitha medikamentet që i nevojiten pranë spitalit. Kurse përsa i përket mënyrës së shërbimit, kjo është një pikë, e cila vazhdon të mbetet ende problematike dhe jo në nivelin ku kërkohet.
Sa të mos qenurit mjek në profesion ju pengon në menaxhimin e një administrimi të suksesshëm të qendrës spitalore?
Pikësëpari unë nuk kam ardhur në këtë pozicion si preferencë partiake, pasi nuk bëj pjesë në asnjë parti politike. Unë jam emëruar në këtë post si një profesionist në fushën e financës, aty dhe ku jam diplomuar. Nëse Qendra Spitalore në Tiranë kaloi një krizë në lidhje me furnizimin me ilaçe, ne falë këtij menaxhimi, bëmë që kjo krizë të mos shfaqej në qendrën tonë spitalore. Mendoj se deri tani, Drejtoria e Spitalit të Elbasanit, falë dhe bashkëpunimit me stafin e mjekëve, kanë dhënë maksimumin e tyre për t’i ndryshuar imazhin qendrës spitalore.
Cilat janë investimet që pritet të kryhen aktualisht pranë Qendrës Spitalore në Elbasan?
Aktualisht janë duke u kryer një sërë investimesh, të cilat kryesisht janë në pajisje si dhe vendosje aparaturash, por dhe në rikonstruksionin e godinave që ka qendra jonë. Shumë shpejt do të nisë puna për riparimin e spitalit pediatrik, për të cilin është bërë dhe projekti dhe që është miratuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, gjithashtu është miratuar dhe kanë filluar procedurat tenderuese për vendosjen e skanerit pranë spitalit të Elbasanit, vlera e të cilit shkon në 50 milionë lekë të reja. Gjithashtu një pjesë e madhe e fondit që përfiton Qendra Spitalore në Elbasan shkon dhe për repartin e dializës, i cili ka aktualisht rreth 45 pacientë që kryejnë dializë dhe që vijnë nga Korça, Durrësi, Tirana, si dhe qarku i Elbasanit. Por dua të theksoj se në këto tre muaj që unë jam në krye të qendrës spitalore, janë rritur me 23.3% të ardhurat dytësore në krahasim me tremujorin e parë të këtij viti.                  a.k.

Takimi me autoritetet vendore

Gjatë vizitës në qytetin e Durrësit ministrja Godo zhvilloi disa takime me autoritetet vendore. Pjesë e diskutimeve ishin  problematikat e shëndetësisë në qytetin bregdetar. Ministrja  kërkoi më shumë informacion lidhur me decentralizimin e sistemit shëndetësor, me qëllim përmirësimin e këtij shërbimi për qytetarët. Prefekti i qarkut, Klodjan Pajuni, kërkoi pajisjen sa më të shpejtë të spitalit rajonal me aparaturat e skanerit dhe të dializës, mjaft të rëndësishme për këtë zonë me rreth 400 mijë banorë. Ndërsa kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, e informoi ministren e Shëndetësisë rreth problematikave të qytetarëve e veçanërisht pensionistëve, që i drejtohen strukturave spitalore dhe shërbimit të mjekut të familjes.
   
Vizita në spitalin e Kavajës

Kavaja ka qenë ndalesa tjetër e shefes së dikasterit të shëndetësisë. Në këtë qytet po ndërtohet një spital model me vlerë 7.6 milionë dollarë amerikanë, që janë investime të qeverisë shqiptare dhe të Bankës Islamike. Por në kantierin, ku po zhvillohen punimet janë dalluar vonesa, të cilat do të ndikojnë edhe në shtyrjen e datës së inaugurimit. “Pesëmbëdhjetë  minuta e ndajnë shpeshherë jetën nga vdekja, ndaj për shumë shërbime, të cilat Kavaja nuk i plotëson, pacientet nuk mund të presin transportin prej 30 minutash deri në Durrës”, tha Godo. Sipas saj, ndërtimi i godinës së spitalit të ri të Kavajës duhet të shihet nga këndvështrimi i një rasti urgjent spitalor. Inaugurimi ishte parashikuar të ndodhte në prill 2009, por sipas gjasave më optimiste parashikohet si afat i përurimit korriku i vitit 2009. “Kemi humbur shumë kohë për zbrazjen e gropës nga ujërat. Duhet të ecim me ritme të tjera”, tha ministrja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›