E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sekseri i Hipotekës, vilë në Golem me ryshfetet e pronave”

TIRANE – Zyra Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës përfundoi hetimet për shtatë personat e arrestuar gjatë operacionit “Furtuna”. 

 Burimet zyrtare nga Prokuroria, thanë se të pandehurit e dosjes penale janë: Artan Mehmeti, 41 vjeç, Ramiz Hykaj, 42 vjeç, Enton Babameto, të tre me detyrë specialistë në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme në Tiranë. Bashkë me ta akuzohet edhe i dyshuari Veiz Senko, 55 vjeç. Ky person është marrë i pandehur për shtatë akuza, duke filluar me falsifikimin, korrupsionin, ushtrimin e ndikimit të paligjshëm te zyrtarët shtetërorë dhe deri te falsifikimet dhe pastrimi i produkteve të fituara nga krimi. Bëhet fjalë pikërisht për fitimet që Senko dyshohet se ka arritur nga ndërmjetësimi për jetësimin e pasurive me të cilat dyshohet se ai ka ndërtuar një vilë në Golem. Pikërisht me anë të veprimeve të tilla, sipas akuzës, Veiz Senko akuzohet se ka kryer pastrimin e parave me origjinë të dyshimtë, të cilat i përfitonte gjatë ndërmjetësimit për regjistrimin e tokave në kryeqytet. Në dosje ndodhen edhe dy të pandehur të tjerë, Dali Hakorja, 52 vjeç, ish-oficer policie dhe Halil Hima, 47 vjeç. Edhe këta persona akuzohen për korrupsion pasiv, falsifikime dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm te zyrtarët shtetërorë. Me dërgimin e fashikullit penal për këta persona në gjykatë, Orokuroria ka bërë ndarjen e dosjes në dy pjesë. Veç dosjes së Hipotekës së Tiranës, e cila do të dërgohet në gjykatë për gjykim në muajin shtator, në Prokurori janë mbajtur aktet për disa persona të tjerë, që dyshohet se janë implikuar në veprime të paligjshme, ndaj të cilëve hetimet do të vazhdojnë për një afat të dytë deri në zbardhjen e rolit që ata kanë pasur dhe grumbullimin e provave kundër tyre. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›