E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dritëro Agolli,kaskë për Ismail Kadarenë

24/02/2005  Pse iu besua Dritëro Agollit redaktimi i romanit të Ismail Kadaresë: “Dimri i madh”; Çfarë lidhjesh ekzistojnë midis dy shkrimtarëve që nuk “tradhtuan” njëri-tjetrin në diktaturë; Ish-kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve vihet në qendër të botimit “Një dosje për Kadarenë”; Vërejtjet e Agollit ishin të përgatitura nga Ramiz Alia; qëndrimi i butë dhe kundërthëniet e shkrimtarit për Kadarenë; Zonja Agolli: Drejtori i Arkivave është korrekt me dokumentacionin

Diku prapa godinës së 15-katëshit, në një pallat jo fort të mbajtur, ku zilkës mund t’i biesh dhe për shkrimtarin Kadare, familja Agolli, në këto dy ditë ruante hijen e qetë. Por me pakëz trazim të fshehur. Për komshiun e tyre, i ikur prej kohësh nga ai apartament, nuk mund të lëshonin lehtë fjalët. Kështu kishte ndodhur gjithnjë, edhe në motet kur Dritëro Agollit i duhej të mbante një nga recensionet më të vështira. Në vitin 1977, nga Komiteti Qendror i Partisë iu besua redaktimi i romanit të Ismail Kadaresë, “Dimri i vetmisë së madhe”. Romani gati sa nuk shkoi drejt kartonit, kur u lëshua “urdhri” nga lart se duhej riparë e ndrequr konceptualisht dhe formalisht vepra.

Por, Agolli, duke qenë dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, u pa si njeriu më i përshtatshëm, sigurisht, dhe për potencialin që zotëronte Kadare, për të bërë redaktimin e romanit.

Se sa i “ashpër” ishte kryetari i Lidhjes, dokumentacioni që është publikuar në botimin “Një dosje për Kadarenë”, nga drejtori i Arkivave, Shaban Sinani, duket se i ka mbajtur ca frymën familjes Agolli. Megjithëse, Sadija, e shoqja e shkrimtarit Agolli, thotë se drejtori i Arkivave që ka bërë këtë botim, ka qenë mjaft korrekt në punën e tij dokumentare, në botimin e kritikave që janë bërë kundër Kadaresë, në kohën e diktaturës.

Por, Sadija pohon e sigurtë se masa e dokumenteve të botuara në “Një dosje për Kadarenë”, nuk është aq tronditëse sa ç’ka bërë censura e egër, e asaj kohe, sidomos kur bëhej fjalë për redaktorët që caktoheshin për të kritikuar veprat e shkrimtarëve. Ku zakonisht, kritikat vinin të gatshme vetëm sa për t’u lexuar nga redaktorët. Në këtë rast dhe vërejtjet që shkrimtari Dritëro Agolli i ka bërë Kadaresë ishin të gatshme, të përgatitura nga ish-sekretari i Komitetit Qendror në atë kohë, Ramiz Alia.

Por Sadija, nuk e koncepton dot shkrimtarin e diktaturës jashtë kornizave të asaj kohe. Kujt i caktohej si detyrë të bënte recension për një botim, sigurisht, që porosia ishte të bënte vërejtje për veprën. Gati duke qeshur, Sadija thotë se, ka “shpëtuar” që nuk i kanë caktuar atëherë asnjë vepër për ta redaktuar, në të kundërt nuk do mund të kundërshtonte dot faktin se “ashtu ishte koha”, dhe se do të kishte hyrë në rrjedhën e të tjerëve, ku patjetër u kërkoheshin shënimet kritike. “Çdo gjë duhet parë në kontekstin e asaj kohe, se si të imponohej kritika për një vepër. Kur të merrej libri për recension dhe vetë e shanim duke nxjerrë të meta... gati për ta çuar vetë deri në karton”, thotë Sadija.

Nën këtë ironi, çakërdisje të asaj kohe, ku veprës së shkrimtarit i hiqej sharmi intuitiv, shkrimtari Dritëro Agolli “zotëron” një pjesë të mirë të dokumentacionit që ka publikuar Shaban Sinani, në veprën “Një dosje për Kadarenë”.

Sidomos duke u ndalur në redaktimin e veprës “Dimri i madh”, i cili i ishte besuar Agollit. Ky, nga ana e tij, duket se i ka bërë një mbrojtje të butë mikut të tij Kadare. “Shoku Dritëro vuri në dukje se ai kishte pasur vërejtje për romanin që iu dha për redaktim, por, sipas tij, Ismaili i realizoi të gjitha vërejtjet që ai kishte bërë. Shoku Dritëro theksoi se në redaktim, ai kishte pasur parasysh faktin kryesor, që “romani drejtohet kundër revizionistëve dhe ata i demaskon”. Ndonjë gjë të diskutueshme të dorës së dytë mund ta ketë romani, por ai është nisur nga ato më të rëndësishmet”, thuhet në materialin prej 25 faqesh me vërejtjet për romanin e Kadaresë, pas një debati që ka zgjatur 6 orë midis shkrimtarit Agolli dhe Thanas Lecit, më 16.09.1967.

Drejtori i Arkivit, Sinani, thotë se ky “nuk ishte rasti i parë dhe i vetëm që D.Agolli ka mbajtur të njëjtin qëndrim ndaj Kadaresë, ashtu sikurse nuk përjashtohen rastet e qëndrimeve kundrathënëse për shkak të detyrës”.

Agolli, një letër Ramiz Alisë për “Dimrin e madh"

Pjesë nga një letër e përbashkët e D.Agollit dhe e A.Kondos drejtuar R.Alisë, ku njoftohet se Komiteti i Partisë i Tiranës është për ndalimin e “Dimrit të madh”

DOKUMENTI NR.21

Tiranë, më 17.02.1977

Informacion

Shoku Ramiz! Na falni që po ju shqetësojmë për një çështje, por, meqë puna ka ngecur në këtë çështje, detyrohemi t’ju drejtohemi juve.

Romani “Dimri i madh" (“Dimri i vetmisë së madhe”) të shkrimtarit Ismail Kadare, pas shumë ndryshimeve e rregullimeve që i janë bërë nga autori në bashkëpunim me redaktorin, shokun Dritëro Agolli, shokun Anastas Kondo dhe me shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, është shtypur i tëri në 25 mijë kopje.

Por ditët e fundit, nga ana e sekretarit të Komitetit të Partisë, shokut Xhelil Gjoni, ka një vërejtje për dy rreshta dhe insistuam që ato të hiqen patjetër.

Konkretisht, ai thotë që të hiqen këto dy rreshta të faqes 51.

“E pse të mërzitesh, - ndërhyri Çlirimi, - atje në Vançesllav, unë me shokët e tij çekë ia merrnim e ia jepnim vajzat njëri-tjetrit çdo javë”.

(Dimri...f.51)

Këto rreshta merren krejt të shkëputura nga teksti para këtyre rreshtave dhe fill pas tyre.

Vazhdimi i tekstit është ky:

“Beni bëri një gjest padurimi:

-Na mërzite me atë Vançesllavin tënd - tha. - S’ke ndonjë bisedë tjetër?

Çlirimi prishi buzët, por nuk u përgjigj”.

(Dimri...f.51-52)

Mendojmë se kjo përgjigje e aty për atyshme jep një sqarim për lexonjësin. Aq më tepër kur pak më parë, dhe pikërisht në faqen 47, jepet një sqarim i plotë për figurën negative të Çlirimit, si një bartës i një mënyre jetese revizioniste:

“Çlirimi, që ata e thërrisnin Vançesllav, buzëqeshi që larg. Ai kishte studiuar një vit për gjeologji në Pragë, por e kishin kthyer mbrapsht, ngaqë kishte ngelur. Në të vërtetë, Çlirimit i kishte lindur të parit ideja që ata të dilnin e të rrinin me orë të tëra në rrugën e Dibrës. Ai u tregonte se kështu kishte qëndruar me shokët e tij në sheshin Vançesllav në Pragë” (“Dimri...” f.47).

Kështu që, përpara se t’i thotë ato fjalë në faqen 51, Çlirimi, qysh më parë (në f.47), është demaskuar përpara syve të lexonjësit. Rrjedhimisht, fjalët e tij merren me sens kritik.

Më vonë, gjatë shtjellimit të subjektit, Beni bie në konflikt të hapur me Çlirimin dhe rrugët e tyre ndahen përfundimisht.

Përveç arsyeve të mësipërme, ne mendojmë se nuk ia vlen të hiqen rreshtat e nënvizuara, edhe për faktin se libri është shtypur. Heqja e këtyre rreshtave do të thotë që të grisen 200 mijë fletë të shtypura, gjë që do të sjellë një harxhim shumë të madh letre, si dhe vonimin e botimit.

Për të gjitha këto arsye, ne bashkohemi me mendimin e autorit, që rreshtat e mësipërm të mbeten në roman.

Dritëro Agolli, Anastas Kondo, Thanas Leci.

1.AQSH, F14/AP, Str.,V.1977, D.522,fl.36

2.Nuk ka shënime të R.Alisë ose të ndonjë autoriteti tjetër partiak

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›