E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOP-i prezanton strategjinë ekonomike

24/02/2005  Lëvizja e opozitës zhvendoset në Durrës

DURRËS - Përfaqësues të Komitetit të Orientimit të Politikave pranë Partisë Demokratike, kanë zhvilluar takim me disa itelektualë të qytetit të Durrësit, të anëtarësuar në radhët e PD-së për të diskutuar rreth strategjisë ekonomike, e cila do t’i paraprijë politikës së madhe për qeverisjen e ardhshme të PD-së. Kryetarja e departamentit për hartimin e kësaj strategjie, Tatjana Kongoli, si dhe sekretari, Edmond Spaho, kanë paraqitur para forumit në degën e PD Durrës synimet në këtë fushë si dhe qëllimin e KOP-it për hapjen e Partisë Demokratike me shoqërinë civile, botën akademike, intelektualët dhe ekspertët. Kryetari i degës së PD-së, Armand Teliti, u bëri të ditur se kishte ngritur disa forume në Durrës dhe të gjithë intelektualët po përgatisin raporte e materiale përkatëse me çështje specifike nga Durrësi për t’ia përcjellë departamenteve në qendër. Kongoli e Spaho thanë para të pranishmëve se në qendër të filozofisë ekonomike është “të paguajnë të gjithë, të paguajnë më pak”, duke cilësuar se kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë në hapjen e vendeve të punës si dhe në rritjen e nivelit ekonomik. Aty u diskutua edhe për evazionin fiskal, reformën në administratë, thjeshtëzimin e taksave, artikujt e shportës, politikën e kreditimit, mbështetjen dhe zhvillimin e biznesit dhe tatimet e të gjitha llojeve. Është hera e parë që përfaqësues të Komitetit të Orientimit të Politikave zhvillon një takim me intelektualë në qytetin bregdetar të Durrësit për t’u njohur me mangësitë dhe me “thembrën e Akilit”, për të cilën intelektualët durrsakë mendojnë se duhet të korrigjohet sa më parë. KOP-i ka bërë takime të tilla tashmë në kryeqytet, ku janë prezantuar dhe projektet e këtij komitetit të krijuar pranë Partisë Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›