E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të flasësh me 30 mijë sinomine

24/02/2005  Për herë të parë hartohet një fjalor sinonimesh i gjuhës shqipe. Specialistët e Institutit të Gjuhësisë e kanë prezantuar këtë arritje të tyre në Akademinë e Shkencave, duke dhënë këtë fjalor, që ka në përbërjen e tij 30 mijë fjalë

Për herë të parë gjuha shqipe do të ketë një fjalor të pastër sinonimesh. Departamenti i hartimit të fjalorëve ka qenë një nga sektorët më frytdhënës dhe jo vetëm në fushën e fjalorëve, por edhe në jetën e përgjithshme shkencore të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë. Rezultat i kësaj pune është edhe botimi i të parit Fjalor Sinonimik të Gjuhës Shqipe. Një fjalor me një material të pasur gjuhësor dhe një përpunim leksikografik të gjerë, një vepër e rëndësishme kulturore, që përbën një pasuri të vërtetë kombëtare, ku përfshihen rreth 30 mijë fjalë. Për të promovuar këtë arritje të këtij institucioni, dje, në Akademinë e Shkencave u organizua një takim, ku, përveç grupit të specialistëve që hartuan këtë fjalor, ishin të pranishëm edhe akademikë, gjuhëtarë dhe specialistë të fushës. Ishte i pranishëm edhe kryetari i Akademisë së Shkencës së Kosovës, Rexhep Ismajli, i cili nënshkroi edhe një protokoll bashkëpunimi në vijueshmëri me Akademinë Shqiptare, në të gjitha fushat e shkencave dhe të arteve. "Kjo vepër ka qenë një projekt i Akademisë së Shkencave dhe i Programit Kombëtar për Kërkim dhe Zhvillim të paraqitur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave, të cilët na kanë përkrahur gjatë gjithë kohës", tha akademiku Jani Thomai, drejtuesi i grupit të punës për hartimin e këtij fjalori. Të pranishmit që morën fjalën, përshëndetën këtë arritje të kolegëve të tyre dhe theksuan se, hartimi i këtij fjalori ishte një domosdoshmëri, por shtuan se ashtu si edhe fjalorë të tjerë, duhet të jetë në qendër të vëmendjes jo vetëm të ekipit hartues, por të të gjithëve, për të mos e lënë të "vjetërohet", por të pasurohet, përmirësohet e saktësohet vazhdimisht. Grupi hartues i këtij fjalori kishte në përbërje disa nga emrat më të njohur të fushës, si akademikun Jani Thomai, prof.dr. Miço Samarën, prof. as/dr. Hajri Shehun, prof. as/dr. Thanas Fekën, por edhe shumë bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët dhanë kontributin e tyre në ndërtimin e tij. Autorët e këtij fjalori nuk kanë përfshirë sinonimet në kuptimin e ngushtë të fjalës, por kanë zbatuar një koncept të pasur e të gjerë, duke krijuar kështu mundësinë të përfshijnë një lëndë të gjerë e të pasur në gjeografi të ndryshme, që ka si rezultat një përdorim më të gjerë e më të gjithanshëm të tij. Por, ajo çka ky fjalor i jep përdoruesit shqiptar apo të huaj, është mundësia e përdorimit të fjalës së saktë në kontekstin e duhur. Kjo, jo vetëm për përdoruesit e thjeshtë, por edhe për shkrimtarët, studiuesit, gazetarët, duke i ndihmuar kështu të gjithë për të ngritur nivelin gjuhësor, në përgjithësi, por edhe një udhëzues për të gjithë studiuesit.

Feka:Fjalori sinonimik është i unifikuar

Prof. as/dr. Thanas Feka, tha për "Metropol", se ky fjalor, i cili pason edhe fjalorë të tjerë, mbetet i pari në këtë aspekt, duke plotësuar kështu një boshllëk të ndjeshëm. Në intervistën e tij, paraqet disa nga veçoritë dhe risitë e këtij fjalori në jetën e gjuhës sonë.

Për të parën herë një Fjalor Sinonimik i gjuhës shqipe...

Eshtë një fjalor që për të parën herë vargjet sinonimike shpjegohen në një strukturë kuptimore, duke nxjerrë në pah të gjitha nuancat e mundshme, si edhe duke saktësuar të gjitha përdorimet përkatëse. Ky fjalor ka diferencuar nuancat përkatëse, ngarkesat stilistike, shtrirjet territoriale, prerjet e tyre historike, duke realizuar në këtë mënyrë qëllimin e mirëfilltë të një fjalori sinonimik, ku vërtet kemi të bëjmë me sinonime, por kanë edhe dallime. Në thelb, ky fjalor përbën një hap tjetër, krahas fjalorëve ekzistues, si ai shpjegues, pasi është një fjalor special, i profilizuar, një domosdoshmëri në stadin e leksikografisë shqiptare. Ishte një nevojë për të gjithë shqipfolësit, por, kryesisht për shkrimtarët dhe persona që kanë një lidhje profesionale me gjuhën.

Cilat kanë qenë pikat më të vështira në hartimin e këtij fjalori?

Sinonimia në vetvete është një fushë tepër e ndërlikuar, e kryesisht ajo që quhet, caku i sinonimisë, pra, cilat janë fjalët sinonime midis tyre. E thënë ndryshe, përcaktimi i vargjeve sinonimikë, të cilët, realisht janë të tillë: kjo ka qenë vështirësia më e madhe. Përpos kësaj vijojnë edhe vështirësi të ndryshme të karakterit teknik, si saktësimi në shpjegim, ilustrimi korrekt për t'i dhënë vlera reale etj. Personalisht, kam qenë në grupet hartuese të shumë fjalorëve, por mund të them, pa frikë, se ka qenë fjalori më i vështirë, si për sa i përket strukturës kuptimore, ashtu edhe problemeve të sinonimisë.

Sa i shtrirë gjeografikisht është ky fjalor?

Duhet të pranojmë se gjuha shqipe nuk njeh kufij administrativë. Prej kohësh, nga ne janë vjelë të gjitha prurjet gjuhësore, duke qenë edhe një bazë për hartimin e fjalorëve shpjegues. Por, ne jemi shtrirë edhe më shumë, duke vjelë edhe fjalorët krahinorë të trevave të Maqedonisë, fjalorët e fjalëve të rralla të Kosovës etj., duke përbërë një prurje tepër të rëndësishme, e cila e ka unifikuar dhe plotësuar kuadrin nga të gjitha trevat shqiptare. Por dihet që, kjo punë nuk ka fund si vetë gjuha...

Sa të ndjeshëm keni qenë ndaj fjalëve që vijnë edhe nga letërsia bashkëkohore?

Ka disa kritere, në bazë të të cilave gjykojnë gjuhëtarët në këto raste. Kriteri kryesor është nëse prurja e re është leksikalizuar, ose e thënë ndryshe, a e ka marrë ajo "pasaportën" e vet. Natyrisht që ka një kufi delikat midis përdorimit vetjak dhe leksikalizimit të një fjale, por, që në thelb, kur ka prurje cilësore, këto prurje duhet të inkurajohen. Në këtë rast, fjalorët marrin një vlerë të veçantë, pasi e hedhin në treg fjalën, e popullarizojnë atë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›