E Hënë, 2 Nëntor 2026

Spiunazhi grek ndalon kishën autoqefale shqiptare në Turqi

24/02/2005  Cila ishte fushata që ndërmori ortodoksia greke për kishën shqiptare në Turqi? Pse legata shqiptare nuk e ndalte dot fushatën asimiluese të grekëve? Cilat ishin synimet e spiunazhit grek në Turqi? Gazeta turke, boton deklaratën e 5 shqiptarëve, mohojnë shtetësinë greke

“Marrëdhëniet shqiptaro-greke, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta, në librin e tij. Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit, është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë, gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.

Pas kësaj kthese që morën ngjarjet, grekët nxituan të merrnin masa të tjera për të shmangur organizimin e komunitetit ortodoks shqiptar në Turqi. Ata intensifikuan përpjekjet për t`i regjistruar ortodoksët shqiptarë si grekë dhe po e zhvillonin këtë fushatë, duke manovruar me çështjet e së drejtës së pasurisë. Në fushatën e ndërrimit të shtetësisë së shqiptarëve, grekët favorizoheshin nga fakti se, shqiptarëve ortodoksë nuk u ishte dhënë shtetësia turke. Shpresat ishin të pakta për ta penguar këtë fushatë të Greqisë, për arsye se Shqipëria nuk kishte një marrëveshje konsullore me Turqinë. Ne të vërtetë ekzistonte marrëveshja e vjetër konsullore e qeverisë së Zogut me qeverinë e atëhershme turke, por qeveria komuniste nuk pranonte ta njihte vlefshmërinë e saj. Nga ana tjetër ajo nuk bëri asnjë përpjekje për të nënshkruar një marrëveshje të re me Turqinë. Nga pakësimi i numrit të shtetasve shqiptarë rrezikohej të humbiste edhe baza për krijimin e kishës ortodokse shqiptare. Legata e Shqipërisë ndjehej e pafuqishme për ta penguar fushatën asimiluese greke. Ajo i propozoi MPJ që të nxiste shqiptarët të merrnin shtetësinë turke, si të keqen më të vogël.

Autoritetet greke e morën shumë seriozisht çështjen e kishës shqiptare dhe filluan një fushatë të gjerë shtypi kundër saj. Madje atakuan edhe Patrikun, duke e akuzuar atë se “po shtyhej më shumë nga ndjenjat e tij kombëtare si shqiptar se sa nga detyra si Patrik dhe nga detyrimet, që kishte kundrejt Greqisë”. Pas kthesës që morën ngjarjet dhe pas ofensivës politiko-propagandistike greke, patriku Athenagaras e ndryshoi qëndrimin e tij, duke e tërhequr lejen që kishte dhënë për çeljen e kishës shqiptare. Pas kësaj presioni ndaj Athenagarasit vazhdoi për ta detyruar atë të anullonte edhe vendimin për njohjen e F.Nolit si kryetar i kishave shqiptare të Amerikës. Lufta kundër tij po ashpërsohej dhe po zhvillohej si nëpërmjet shtypit ashtu edhe me mjete të tjera të inspiruara nga qeveria e Athinës dhe nga klerikët grekë brenda në Greqi.

Në këtë kohë u dërgua në Turqi edhe zbuluesi grek, agjenti i njohur dhe i specializuar për çështjen e “Vorio-Epirit”, Theodor Karvunis. Ai u përpoq të aktivizonte agjentët grekë në radhët e kolonisë shqiptare, duke u vënë atyre këto objektiva kryesore: 1- Të merrnin në dorë drejtimin e shoqatës turko-shqiptare të Stambollit ose, në pamundësi për ta realizuar këtë objektiv, ta dobësonin atë, duke nxitur bojkotimin e saj nga shqiptarët ortodoksë; 2 – Të sabotohej përfundimisht plani për hapjen e një kishe autoqefale shqiptare në Stamboll; 3- Të krijohej një komitet “vorio-epirot” në Turqi, i cili të bënte deklarata në favor të aneksimit të Shqipërisë së Jugut nga Greqia dhe të ndihmonte moralisht e materialisht politikën greke kundrejt Qipros. Ky komitet mund të ishte dhe i fshehtë në qoftë se do ta diktonin rrethanat. Ai do merrej me regjistrimin e ortodoksëve shqiptarë në të dhe me mbledhjen e firmave në mbështetje të kërkesave për “autonominë” e minoritetit grek në Shqipëri dhe për autonominë e gjithë “Vorio-Epirit”. Karvunis kishte organizuar një veprimtari të tillë në një shkallë më të gjerë edhe në SHBA. Në kontaktet me shqiptarët e Stambollit, ai u kishte thënë atyre se kishte mbledhur rreth 90.000 firma për t`i patur gati kur qeveria e tij të shtronte çështjen e autonomisë së “Vorio-Epirit” .

Kësaj veprimtarie të ethshme antishqiptare iu kundërvu një grup patriotësh shqiptarë ortodoksë, të cilët e demaskuan misionin e Karvunisit. Pas ndërhyrjes së organeve të kundërzbulimit turk, ai u detyrua të largohej shpejt nga Turqia. Ortodoksët shqiptarë bënë një deklaratë, e cila mohonte çdo lidhje të tyre me Greqinë dhe denonconte pretendimet e synimet greke kundrejt Korçës e Gjirokastrës. Kjo deklaratë, e firmosur nga Milto Theodhoraqi. Koço Thano, Vangjel Nako etj., u botua në gazetën “Cumhurjet” më 20 prill 1964. Në të thuhej: shqiptarët ortodoksë të krahinave Korçë dhe Gjirokastër, që ndodhen në Stamboll, duke parë se po luhet me nënshtetësinë tonë dhe me të drejtat tona kombëtare, me qëllim për të aneksuar krahinat tona shqiptare, vendosën që të deklarojnë si më poshtë: 1 – Jemi shqiptarë e duam të mbetemi shqiptarë të lirë të vendit tonë dhe refuzojmë shtetësinë greke, që po na sugjerohet indirekt 2 – Po të jetë se ndjejmë nevojë për të marrë nënshtetësi të huaj, preferenca jonë është për nënshtetësinë turke sepse në Turqi po punojmë prej vitesh në liri dhe me të drejta të siguruara dhe se populli dhe qeveria turke janë miq të vërtetë të kombit shqiptar 3 – Disaprovojmë çdo shqiptar këtu, që ndahet nga vatra dhe merr nënshtetësinë greke, duke vënë kështu në rrezik tërësinë tokësore të atdheut. Disaprovojmë vendosmërisht ndërhyrjen e çdo elementi të papërgjegjshëm në punët tona dhe në të drejtat tona kombëtare.

Në fillim të vitit 1965 autoritetet turke ndryshuan përsëri qëndrimin dhe filluan të interesohen për krijimin e komunitetit ortodoks shqiptar. Qeveria i dha udhëzime Bashkisë së Stambollit për të gjetur një truall të veçantë për varrezat e ortodoksëve me shtetësi turke dhe shqiptare. Sekretari i Përgjithshëm i MPJ të Turqisë, Ali Bikajes, u tha diplomatëve shqiptarë në Ankara se qeveria turke e mirëpriste krijimin e kishës ortodokse shqiptare të pavarur nga Patriku grek. Qeveria shqiptare nuk pranoi të jepte ndihmë financiare për çeljen e kishës ortodokse shqiptare dhe as të ndërhynte pranë qeverisë turke për ta nxitur dhe çuar përpara këtë projekt. Por u kujdes që, në krye të komunitetit ortodoks shqiptar të viheshin ato njerëz, të cilët ishin pro saj.

Megjithë vështirësitë, më 23 tetor 1965 u hap kisha shqiptare në Stamboll, e cila u quajt Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare “Shën Kolli”. Kjo ngjarje shkaktoi një reagim të ashpër të shtypit grek. Në pararojë qëndronte gazeta “Embros”, e cila, në një kryeartikull të botuar më 26 tetor 1965, mohonte të drejtën e shqiptarëve të Stambollit për të themeluar një kishë kombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›