Dritëroi Agolli: “Ja pse rrashë brenda me Sadijen”
Petrika GROSI
Ka një lidhje 46-vjeçare, të mbushur me momente të bukura e të vështira, duke qenë shpesh në qendër të vëmendjes, politikës, debateve e thashethemeve të njerëzve e të mediave, duke udhëhequr mendimin letrar e politik në kohë të caktuara... Duke i kënduar natyrës e më pas duke e shijuar atë, duke i kënduar dashurisë e duke shkruar dhe kënduar për të... Po si lindi kjo dashuri që do të zgjaste për vite të tëra me këtë bashkëjetesë 46-vjeçare me në krah bashkëshorten e tij të sotme dhe çfarë e shtyu shkrimtarin e madh Dritëro Agolli, që ta Sadijen për shoqen e tij të jetës? Cila është filozofia dhe koncepti për dashurinë, jetën, gruan, bashkëjetesën dhe martesën për lirikut e njohur që në të vërtetë nuk është aspak tip romantik? Të gjitha këtyre pyetjeve mundohemi t’i japim përgjigje nëpërmjet intervistës që vijon, për të cilën u nisëm nga Tirana drejt Tushemishtit, në Pogradec, ku çifti Agolli bashkë me mbesën e tyre po kalojnë pushimet verore sivjet.
Ndërsa Sadija thotë se te ju dashuroi burrin, çfarë dashuroi Dritëroi Agolli te gruaja e tij?
Dashuria nuk ka për kryesore tërheqjen e jashtme por bashkimin e shpirtit të njërit me shpirtin e tjetrit. Kur shpirtërat bëhen njësh të dy, atëherë dashuria është e plotë. Dashuria nuk është problemi i seksit që shikon një femër të bukur dhe thua: “Ah sikur të flej një herë me këtë, e mbase e bëj edhe grua...” Por, ka edhe të përbashkëta nga rinia jonë me këtë të tanishmen; njeriu i pamartuar, që do të gjejë shoqen e jetës, në atë kohë mendohej më shumë. Takonim e rrinim me gra, shokë e shoqe të ndryshme, njihnim shumë por natyrisht, nuk martoheshim me të gjitha... Kështu, vet e zgjodha atë që më pëlqente dhe që afrohej shpirtërisht me mua por edhe që ishte e bukur. Ne kemi filozofinë që të gjesh një shoqe të mirë dhe të jetosh gjatë derisa të vdesësh me atë, por filozofia e përgjithshme dhe dashuria kanë ca ndryshime. Gruaja që do të marrësh duhet të të pëlqejë edhe nga ana e jashtme, se nuk mund të flesh me një lugat apo jo? Nuk mund të flesh as me një hundëmadhe që e ka hundën si hunda ime... Mund të jetë një grua shumë e zgjuar, që në 100 vjet të bëjë 100 romane por kjo nuk mjafton. Gruaja duhet të ketë nje pamje të mirë dhe të jetë e dashur që të të tërheqë. Pastaj ti e shikon që sjelljet, shpirti i saj, afrohen me dëshirat e tua, me filozofinë tënde e me gjithë të tjerat. Fjala vjen, shtëpia jonë ka qenë një shtëpi që ruante traditat e hershme dhe i mbante dyert të hapura për njerëzit. Unë kisha shumë miq, shokë e të njohur nëpër fshatra, deri te miqtë e miqve të mi. Kur këta vinin në qytet, doemos do të vinin në shtëpinë tonë dhe Sadija nuk përtonte t’i priste ashtu si unë, me fisnikëri e dashuri, që ata ta ndjenin veten të lirë si në shtëpitë e tyre. As atëherë e as tani, kur në shtëpinë tonë të paktën 4-5 veta në ditë do të vinë, gruaja nuk është mërzitur dhe nuk ka përtuar asnjëherë. Sadija nuk ishte transplantuar për t’u përshtatur me familjen time por qe pjesë e organizmit.
A i bëje provokime Sadijes gjatë njohes tuaj për ta kuptuar atë më mirë?
Nuk bëja provokime. Që në fillim më pëlqente dhe flisja normalisht.
Kur një burrë vendos që të martohet me një grua, thonë se ky çast është pak mister, pra, i pashpjegueshëm. Ju si mendoni?
Njeriu është kozmos në përgjithësi, por kur ti vendos që do të bashkohesh me njërën, anët pozitive apo negative të asaj që do të bashkohesh dalin dalëngadalë dhe nuk zbulohen menjëherë. Bile, e mira është që gjithnjë te gruaja jote apo tek e dashura, të gjesh një gjë të re si në një roman që saherë ta lexosh zbulon diçka që nuk e dije. Ky është sekreti që e bën dashurinë të zgjasë sepse po i zbulove të gjitha njëherësh, gjithçka përsëritet nga dita në ditë e nga viti në vit dhe humb kurioziteti bashkë me interesin. Jetëgjatësia e dashurisë dhe e bashkimit të një gruaje me një burrë është zbulimi i gjërave të reja. Mund të zbulosh një mirësi të re, mund të zbulosh një ëmbëlsi të madhe, por papritur zbulon edhe një inat që s’ta priste mendja dhe edhe kjo është një gjë shumë tërheqëse. Nëse kthehet në monotone, gjithnjë po me ato gjëra, jeta nuk ka kuptim. E gjitha kjo është njësoj si të hedhësh një gur në liqen apo një pikë uji mbi ujë. Aty do të hapet një valë e vogël, e cila dalëngadalë zmadhohet në trajtë rrethore derisa bëhet valë e madhe. Nëse guri bie në këtë liqen apo pellg me ujë dhe nuk bën asnjë valë, atëherë çfarë interesi ka e gjitha kjo? Ana tjetër është që të dy bashkëshortët duhet të shfaqen sa më të natyrshëm në gëzimet e jetës dhe të mos jenë artificialë. Gjithashtu, humori duhet mbajtur gjallë.
A mund t’i thuhen njeriut që dashuron të gjitha gjërat që ti bën dhe që mendon?
Të gjitha gjërat nuk mundet t’i thotë njeriu, sepse as vetes së tij nuk ja thotë. Ai duhet të thotë një të vërtetë të përgjithshme, aq sa e lejon rrethana. Një herë, takova në mbrëmje një njeri të panjohur rrugës, që vinte nga Malësia. Gjatë rrugës e pyesja “...more, çfarë bën, si je, nga je etj...”
-Ja, tha, kam ardhur po s’gjej dot hotel se vajta te hotel “Vjosa” dhe nuk kishte vend.
-E njoh unë, atë të hotelit, i thashë, ndaj ajde të shkojmë bashkë.
Shkuam dhe më thanë se nuk kishte asnjë vend. E ftova të vinte në shtëpi burrin pasi nuk kisha si ta lija të flinte jashtë. Kështu ai erdhi në shtëpi. Aty ishte nëna, Sadija dhe të tjerët.
-Ky është një miku im, u thashë dhe sot do të flerë këtu.
Ia bëmë të gjitha të mirat atij. Nëna kishte një gjysmë pule dhe ja nxorri. Në atë kohë punoja në gazetën “Zëri i popullit”. Mirëpo pastaj mendova se ky i panjohur mund të ishte ndonjeri që kishte probleme me pushtetin, mund të ishte ndonjë hajdut, ndonjë që ka ikur nga burgu, apo ndonjë që ka lidhje me agjentura të huaja... Këto nuk i mendova shumë në momentin kur e mora të panjohurin me vete se atë çast thashë le të dalë ku të dalë.
Më tepër se merak isha dhe shumë kurioz. Prita deri në mëngjes dhe kur ai ishte ngritur për të shkuar në banjë hyra në dhomën e këtij të panjohuri që e kisha marrë të flinte në shtëpinë time.
Pashë se kishte lënë te komoja e madhe në mes të dhomës, mes të tjerave edhe një kobure. Në këtë moment u qetësova se mendova që duhej të ishte njeri i besuar pasi nuk mund të guxonte që të mbante armë me vete në atë kohë një njeri që nuk e kishte në rregull me pushtetin. Pas pak vitesh, në 1968-n, në një udhëtim që bëri Enver Hoxha në Shqipërinë e Veriut, në mitingun e Kukësit më del edhe ky miku. Unë isha me një ekip të tërë dhe mbaja shënime për të bërë reportazhe mbi Enver Hoxhën. Nga turma del një njeri e më thotë “tungjatjeta”.
-Unë këtej matanë Drinit e kam shtëpinë. Do të vish me mua në shtëpi se më ke bërë një nder që asnjeri tjetër s’ma ka bërë deri më sot. Jam këtej, tha, nga një fshat afër Hasit. Ajde shkojmë të flejmë sot në shtëpinë time!
Por unë nuk pranova: -Po jo bre, i thashë, unë jam gazetar dhe po mbaj shënime se do të shkruaj për Enver Hoxhën.
E pra, është e vërtetë ajo thënja që mali me malin nuk takohen...
Nuk ju shqetësoi puna e kobures?
Ky njeri ishte një malësor që jetonte pranë kufirit dhe mbante armë. E kisha të qartë këtë gjë ndaj nuk u frikësova.
Atë kohë sapo ishit martuar apo jo?
Po dhe Sadija tregoi atëherë e më pas, se ishte grua dhe shoqe në problemet e fëmijëve, ndihmës të njerëzve në nevojë, mosprishjes së miqësive etj., e po kështu edhe unë në dashurinë me të dhe në sjelljen time me prindërit e Sadijes. Mund të marrësh një grua që të mos dojë ansjë nga farefisi yt por ajo nuk është jetë!
Ju ka pëlqyer familja patriarkale
Një djalë kam dhe shtëpia është e madhe, me 4-5 dhoma. Duhet që vet ai të përpiqet e të luftojë siç bëra unë. Jam plak dhe jo biznesmen, pastaj nuk e kemi qejf vetminë dhe jemi njerëz socialë, me miqësira e shoqëri të mëdha. Nëse do të nisem nëpër fshatra tani, në Mokërr, Goropar, Devoll apo në vende të tjera të fushës së Korçës, ju siguroj se duhet të rri pesë vjet vetëm duke më pritur miqtë. Me Sadijen kemi shkuar gjithandej nëpër Shqipëri, madje deri në Kërnajë, përtej Tropojës, në atë zonë që quhet “Bjeshkët e Namuna”. Bashkë kemi qenë edhe jashtë vendit, në Francë, Itali, Turqi, Gjermani, Rusi, Zvicër e Amerikë, vetëm në Kinë që nuk kemi qenë bashkë. Nuk isha egoist, që të ikja vetëm e ta lija Sadijen këtu. Bile, i kam vënë kusht edhe të tjerëve, që kur më ftonin, të shkoja i shoqëruar. Pra, udhëtimet, sa herë që kishim mundësi i kryenim së bashku, por jo gjithmonë, kuptohet.
Udhëtonit shumë si gazetar?
Me makinën e shkrimit me vete, ikja në shërbim. Dilja mblidhja informacione e mbaja shënime në fletë dhe pastaj kthehesha dhe shkruaja artikullin. Ishte shumë më e vështirë se sa të punosh me kompjuter sot.
A ju vjen keq që mungonte kaq shumë liria në atë kohë?
Nëse ka shtet nuk ka liri të plotë. Kur të mos ketë shtet, atëherë do të jetë liri e plotë. Kur doli njeriu nga majmuni ishte i lirë. Pastaj, kur filloi prona, ndarja e gjërave (kjo është e imja dhe kjo e jotja...) njeriu e humbi lirinë. Kur të mos ketë pronë do të ketë liri.
Sipas Sadijes, Dritëro Agolli nuk ka qenë shumë tip romantiku, pse?
Romantizmin varet si ta kuptosh. Çdo njeri e ka një bërrthamë romantike. Fjala vjen, shikon këto lulet që kemi para ne dhe thua: “Sa të bukura janë këto lule!” Edhe kjo është një shprehje romantike. Romantika te njeriu jeton gjithmonë, ndërsa romantizmi është rrymë që edhe del nga moda. Ajo që nuk desha unë ishte romantika e stisur, e trilluar, për të qenë i bukur, për ta bërë një femër për vete duke i thënë që unë jam poeti më i madh etj.
E pra, këtë nuk e kam pasur kurrë. E pëlqej një gjë vërtet dhe them: “Më pëlqen një lepur, kam qejf ta zë për veshi...”
Trillimi është armiku im më i madh. Po ta shohësh, edhe në shkrime apo intervistat që kam bërë, asnjëherë nuk kam qenë i shtirur. I kam thënë të metat edhe të partive ku nuk jam, edhe të metat e asaj partie ku jam. Në Kongresin X të Partisë së Punës fola dhe mu ngritën të tjerët kundra...
Sa ka qenë i vështirë për ju, momenti i diskutimit në Kongresin X të PPSH-së, pra, si i mbani mend ato ditë?
Sa u dha raporti në Kongresin X të Partisë së Punës (8-12 qershor 1991) erdha në shtëpi dhe nuk thashë asnjë fjalë. Shkova të flija gjumë dhe i thashë Sadijes që, kushdo që të më merrte në telefon nuk isha në shtëpi. E kisha si zakon të flija ditën. U zgjova nga ora 7 dhe bisedova me Sadijen. I thashë se ata nuk e kuptonin që kishte ardhur koha e pluralizmit dhe gjërat duhet të ndryshonin. Do të shkruaja diskutimin tim dhe deri natën vonë ndenjëm zgjuar. Unë shkruaja, Sadija daktilografonte. Pasi e mbajta diskutimin e kuptova se nuk po më jepnin të drejtë. Kishte shumë fanatikë. Megjithatë, Misto Treska, Petro Lalaj, Moikom Zeqo dhe Qamil Buxheli më mbështetën, ndërkohë që të tjerët më bënin letra nga më të ndryshmet, ku më kujtonin të gjitha të mirat që kishte bërë Partia e Punës për mua.
NESËR DO TË LEXONI:
Sadije Agolli: “Te Dritëroi dashurova burrin”
“Kemi 46 vjet që njihemi me Dritëroin, që në vitin 1963, kur unë isha 21 vjeç dhe ai 32 vjeç. U rrita me Dritëroin dhe ai u mësua me mua. Si çdo grua që ka jetën e vet, me të mirat e me të këqijat e saj, bëra jetën time krah tij. Kisha shokë e miq plot më përpara por derisa njoha Dritëroin nuk kisha gjetur një burrë të vërtetë. Ai më befasonte me çdo gjë...”. Kështu do ta fillonte Sadije Agolli rrëfimin mbi jetën, njohjen dhe dashurinë me shkrimtarin e madh. Përveç vijimit të pjesës së dytë të intervistës së sotme me Dritëro Agollin, nesër do të lexoni bashkëshorten e tij, e cila tregon ekskluzivisht për gazetën “Albania” detaje të pathëna më parë për publikun mbi historinë e çiftit Agolli, që pas pak vitesh do të festojë 50-vjetorin e tij.
21 Korrik 2009